Athinë, 13 mars – Informatat dhe spekulimet në mediat greke në 24 orët e fundit për këmbim të mundshëm të përmendoreve midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut i mohoi zëvendësshefi i diplomacisë greke, Markos Bolaris, në intervistë për radion “Njuz247”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, potencoi se në vend gjatë periudhës së kaluar u përhapen edhe shumë lajme të pavërteta dhe theksoi se për të gjithë këtë nevojitet seriozitet më i madh.
“Në perceptimin tim asnjëherë nuk ra lajmi tillë, ky lloj diskutimi për këmbim. Atë që dua ta them është se në katër, pesë, gjashtë muajt e fundit, vazhdimisht kam parë në internet dhe shumë herë madje edhe në lajme dhe në edicionin qendror të lajmeve, gënjeshtra të pabesueshme, lajme të pavërteta (fake news)”, tha Bolaris dhe sqaroi se gënjeshtra të tilla në Greqi ka pasur në lidhje me revizionin e librave, në të cilën punon komiteti i përbashkët i të dyja vendeve.
Zëvendës shefi i diplomacisë greke, i cili njëkohësisht gjendet në anën greke të Komitetit të përbashkët ndërdisiplinor të ekspertëve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, thotë se nga viti i ardhshëm duhet të largohen të dhënat irredentiste në libra.
“Marrëveshja e Prespës i lidh palët, librat dhe materialin mësimor, nga viti i ri shkollor të mos kenë asnjë qëndrim irredentist ose revizionist në Greqi”, thotë Bolaris dhe shtoi se te librat në Greqi, si vend anëtar në BE, nuk ekzistojnë pozita të tilla.