Athinë, 18 qershor – Me negociata dhe bisedime në të cilat do të merrnin pjesë edhe patrikana serbe dhe ajo ekumenike, mund të gjendet zgjidhje edhe për kishën e Shkupit, thotë zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Marko Bolaris në një intervistë për televizionin grek ERT, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Mendoj se edhe për kishën që ekziston në Shkup, e cila ishte nën Kryepeshkopatën e Ohrit, me negociata dhe bisedime që do të jenë në nivel të kishës, ndërsa në të cilat në secilin rast duhet të marrin pjesë edhe patrikana serbe dhe ekumenike, mund të gjindet zgjidhje, jam i sigurt. Nga momenti kur ndalon propaganda, antishkencorja dhe antigrekja, janë hapur rrugët edhe për këtë popull që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe të jetë partner i yni dhe të hyjë në NATO, të jetë aleat i yni dhe ne, në kufirin tonë verior grek të jemi të qetë, pa pasur intervenime dhe konteste nga ana e Turqisë”, thotë Bolaris.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, i cili njëherit e kryesoi ekipin grek në Komitetin e librave, në intervistën thotë se problemi në të kaluarën për të cilin Greqia ishte e zemëruar “ishte provokimi dhe sfidimi i objektivitetit të historisë dhe propagandës joshkencore, johistorike dhe joakademike e cila ishte shkaku kryesor për tensionin i cili ekzistonte mes të dyja vendeve dhe mes të dy popujve”.
“Nga momenti kur ky popull në Shkup heq dorë nga propaganda e cila është në dëm tonin është absolutisht e qartë se hapen perspektiva të reja që të mundemi të bisedojmë me ta, të bashkëpunojmë me ta në nivel të popujve krishterë ortodoksë”, thotë zëvendës shefi i diplomacisë greke, transmeton MIA.
Bolaris në intervistën për televizionin shtetëror grek e transmetoi mendimin e tij pas ngjarjeve të fundit në relacioni Greqi-Qipro-Turqi dhe ndikimin e Marrëveshjes së Prespës.
“Sot hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut, në Shkup e kontrollojnë, përgjegjësinë e kanë F16 greke. Para marrëveshjes në këtë proces ishin aeroplanët luftarakë turq. Dua të them se kur ekziston politikë e jashtme që është në vijim, me rëndësi është ta shikojmë tërë spektrin e interesave dhe të mos fokusohemi vetëm në një sferë. Marrëveshja që është nënshkruar, mes tjerash ishte edhe marrëveshje që e mbulon kurrizin e vendit në rast se kemi probleme intensive që kulmojnë me Turqinë”, thotë Bolaris.