Boksierja afgane që thyen tabutë (FOTO)

10

Për shkak të zgjedhjes së këtij sporti, Burumand thotë se shpesh ndjehet e shqetësuar nga reagimet e rrethit të saj dhe se ndonjëherë merr edhe mesazhe kërcënuese nga njerëz të panjohur

Boksierja afgane, Sadia Burumand nuk heq dorë nga profesioni përkundër kërcënimeve në shtetin e saj ku gratë shihen si qytetarë të kategorisë së dytë. Burumand në një prononcim për Anadolu Agency (AA) deklaroi se që kur ishte 8 vjeçe filloi të merrej me sport. Burumand tregon se në fillim familja e saj ishte kundër asaj që ajo të merrej me boks, por thotë që më pas i ka bindur ata.

Boksierja e re 22 vjeçare thotë se gratë në Afganistan trajtohen si qytetarë të kategorisë së dytë. “Gratë në Afganistan nuk mund të tregojnë interes sidomos për sportin e boksit. Për këtë arsye edhe ushtrimet i bëj me meshkujt”, tha ajo, duke shtuar se kjo gjendje pritet negativisht nga të gjithë.

DËSHIRON T’I THYEJ TABUTË

Ajo thotë se Afganistani është ndër vendet para ku ka më së shumti dhunë dhe presion ndaj grave. “Përkundër gjithçkaje unë nuk heq dorë nga profesioni që e dua për t’i thyer tabutë ndaj grave në vend. Dua të tregoj se edhe gratë afgane janë të fuqishme”, tha Burumand.

Për shkak të zgjedhjes së këtij sporti, Burumand thotë se shpesh ndjehet e shqetësuar nga reagimet e rrethit të saj dhe se ndonjëherë merr edhe mesazhe kërcënuese nga njerëz të panjohur. Ajo tregon se gjatë një ndeshjeje të boksit në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, në ujin e saj është futur helm, por edhe përkundër kësaj ajo vazhdon përpjekjet që të realizojë qëllimin e saj. Duke treguar se në Afganistan ka një numër të vogël të objekteve ku mund të bëjë stërvitje, Burumand thotë se largësia e sallave sportive dhe mungesa e sigurisë për jetën janë disa nga problemet tjera kryesore.

SYNON TË BËHET KAMPIONE E BOTËS

Përveç sportit të boksit, Burumand thotë se është edhe prezantuese në një program sportiv në një televizion lokal. Ajo tregon se synimi i saj është të bëhet kampione botërore. Burumand thotë se gratë në Afganistan e kanë të vështirë madje të shëtisin në mënyrë të rehatshme aty ku duan.

 

GJENDJA E GRAVE NË AFGANISTAN

Gratë afgane të cilat në periudhën e talebanëve u burgosën në shtëpitë e tyre, ende detyrohen të martohen në moshë të re dhe mesatarisht kanë nga 5 fëmijë. Afganistani është një nga vendet me nivelin më të lartë të lindshmërisë. Në periudhën e talebanëve ishte ndaluar që femrat të shkojnë në shkollë apo të punojnë. Edhe pse është e vështirë qasja në dokumente zyrtare, dihet se niveli i shkrim- leximit te femrat në Afganistan është ende shumë i ulët.

Dhuna ndaj grave është një nga problemet kryesore në vend. Sipas raportit të Ministrisë për Çështje të Grave në Afganistan gjatë 8 muajve të fundit kanë ndodhur 2.000 raste të dhunës ndaj grave.

Comments are closed.