Shkup, 16 shtator – Federata e Boksit të Maqedonisë, ka vendosur që sivjet të eksperimentojë me një skemë të re të zhvillimit të Kampionatit shtetëror në boks të të rriturve, duke e kombinuar atë me garat e të rinjve të cilat do zhvillohen në një ditë. Nga FBM-ja, bëjnë të ditur se këta janë të gatshëm për nisjen e kampionatit dhe se në te do marrim pjesë 12 klube.
“Deri më tani në Federatën e Boksit janë paraqitur 12 klube për të marrë pjesë në kampionatin ekipor. Boksierit e tyre ende nuk i kemi të njohur d.m.th do ti shohim nesër dhe do e dimë se me sa boksier do të marrin pjesë këto klube që janë paraqitur”, tha për “Alsat-M”, Faton Saliu nënkryetar i FBM-së. FBM-ja, për këtë sezon ka vendosur një risi për klubet pasi atyre do ua mbulojë të gjitha shpenzimet për të garuar dhe u ka dhënë mundësi të gjitha klubeve të marrin pjesë në këto gara ekipore.
“Për këtë kampionat jemi përgatitur mirë, pasi që tani të gjitha borxhet janë shlyer. Federata e Boksit ka vendosur një risi, për të gjitha klubet, pasi shpenzimet që do ti kenë klubet do ti shlyej FBM-ja. – deklaroi Saliu. Raundi i parë i këtij sezoni do të zhvillohet të shtunën në Shtip, ndërsa organizator teknik do të jetë “Bargalla’. Boksierët do bëjnë gara në tri kategori – kadet, junior dhe të rritur.