Shkup, 3 dhjetor – Dhimbjet e barkut dhe kokëdhimbja e Bojan Jovanovski – Boki 13, të akuzuarit të parë në rastin “Reket”, janë rezultat i situatës së stresuar. Për këtë arsye atij i është dhënë një injeksion “diazapam”. Kështu është shprehur në dalje të Gjykatës Penale të Shkupit, mjeku Mihaill Tolev, i cili shtoi se ai mundet ta ndjek procesin gjyqësor.
I autorizuari i Jordan Kamçevit, në seancën e parë për rastin “Reket”, tha se i bashkëngjitet aktakuzës dhe kërkon dëmshpërblim në vlerë prej 1,5 milionë euro.
Ndryshe, në fillim të kësaj seance gjyqësore, gjykata nuk i pranoi propozimet e palës mbrojtëse për ndarjen e audio-materialeve nga celularët e Jordan Kamçevit dhe video-materialet nga Boki 13, si dhe për mbajtjen e seancave përgatitore me qëllim njoftimin më të mirë me dëshmitë e propozuara dhe prononcimin e palës mbrojtëse për ata.
Prokurorja e lëndës Villma Ruskoska, tha se për këtë vepër penale nuk mund të ketë të dëmtuar, por vetëm dëshmitar në procedurë.
Gjykata pas kësaj i njoftoi të autorizuarin e Kamçevit, se në këtë procedurë mund të marrë pjesë si publik dhe nëse vlerëson mund të parashtrojë iniciativë për dëmshpërblim. Ndërkohë, i akuzuari Jovanovski, u ankua se edhe pas injeksionit ende ndihet keq, me çka gjykatësja tha se mjeku i Ndihmës së shpejtë ka konstatuar se ai mund të vazhdojë me ndjekjen e procesit gjyqësor.
Pas fjalëve hyrëse i akuzuari Jovanovski, shtoi se e ka kuptuar aktakuzën dhe se nuk ndihen fajtor për të dy veprat penale që ngarkohet. Njejtë u përgjigj] edhe e akuzuara Katica Janeva. Ndërkohë, i akuzuari Zoran Milevski-Kiçeec, tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe ndihet fajtor për atë që akuzohet. Pas kësaj situatë, gjykata dha pauzë për ndarjen teknike të procedurës për të akuzuarin që e pranoi fajin.
Menjëherë pas fillimit të seancës gjyqësore për rastin “Reket”, Gjykata ka dhënë pauzë prej 30 minutave për konsultime, ndërsa ndërkohë do të thërrasin mjek për ta kontrolluar gjendjen shëndetësore të Bojan Jovanovskit – Boki 13.
Në fillim të gjykimit, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Nikollovska Masevska ka thënë se u është dorëzuar dokumentacion mjekësor nga SPQ “8 Shtatori” nga ana e Jovanovskit, i cili sot ka pasur probleme shëndetësore – me të vjella dhe nuk ishte kontaktibil. Sipas mendimit të mjekut të burgut, ai nuk është i aftë për ta ndjekur seancën gjyqësore.
“Nuk ndihem mirë. Dhjetë herë kam vjellur. Kam dëshirë të jashtëzakonshme që në mënyrë aktive të marr pjesë në procesin gjyqësor. Nuk kam marrë terapi për diagnozën e re që më është konstatuar. Thjeshtë mjeku i burgut konstatoi se nuk mund ta ndjek gjykimin, por unë insistova të më sjellin që të mos bie sikur po zvarritem, por nuk jam në gjendje të mirë dhe racionale për ta ndjekur seancën gjyqësore”, ka thënë Boki 13, në pyetjen e gjykatëses se si ndihet tani.
Prokurorja Vilma Ruskoska, megjithatë tha se sipas mjekëve të SPQ “8 Shtatori”, Jovanovski është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Unë jam e sigurt se është kështu. Asnjë mjek nuk do ta rrezikonte licencën e vet të mjekut. Mendoj se ky është tentim për zvarritje”, ka thënë Ruskoska.
Gjykata pas kësaj ka dhënë 30 minuta pauzë për konsultime, ndërsa ndërkohë do të thirrin mjek për ta kontrolluar gjendjen e tij shëndetësore.
Gjykimi filloi me një orë vonesë për rastin “Reket”. Në sallën gjyqësore janë tre të akuzuarit Bojan Jovanovski – Boki 13, Katica Janeva dhe Zoran Milevski-Kiçeec.
Me shoqërim të policisë Boki 13 është sjell në Gjykatën penale nga Burgu i Shkupit ku po e vuan masën e paraburgimit, ndërsa nga arresti shtëpiak janë sjell ish-prokurorja speciale Katica Janeva dhe Zoran Mievski – Kiçeec.
Seanca që në fillim është ndërprerë për shkak të problemeve teknike me sistemin e zërit. Gjykimin e ndjekin një numër i madh të ekipeve. Gjykata Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në tetor të këtij viti ngriti akuzë kundër Jovanovskit, Janevës dhe Milevskit.
Siç bëri të ditur Prokuroria Publike, i akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “pranim të shpërblimeve për ndikim të jashtëligjshëm”. E akuzuara e dytë Janeva akuzohet edhe se ka kryer vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
“I akuzuari i parë në periudhën prej nëntorit të vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, duke e përdorur ndikimin e tij ndaj të akuzuarit të dytë – prokuror publik, ka ndikuar që të bëhet veprim zyrtar të cilin nuk guxonte ta kryente. Ai, duke i përdorur marrëdhëniet miqësore, ka ndikuar ndaj të akuzuarës së dytë, gjatë zbatimit të procedurës hetuese në lëndën e quajtur ‘Perandoria’, që ta lehtësojë pozitën e dëshmitarit i cili në këtë lëndë është një nga të dyshuarit dhe të cilit me propozim të prokurorit publik i ishte përcaktuar masa e paraburgimit. I akuzuari i tretë kishte kontribuuar për kryerjen e veprës penale për realizimin e takimeve të dakorduara të të akuzuarit të parë me bashkëshorten e dëshmitarit, ndërsa më vonë edhe me dëshmitarin, gjatë kësaj duke i bindur për ndikimin e tij ndaj prokurorit publik”, sqaron Prokuroria Publike.
E akuzuara e dytë e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe pasi i akuzuari i parë bashkë me të akuzuarin e tretë i kishte marrë 500.000 eurot për të cilat ishin marrë vesh nga bashkëshortorja e dëshmitarit ka dorëzuar deri te Gjykata e Apelit në Shkup propozim për përcaktimin e masës më të lehtë – arrest shtëpiak, e cila ishte pranuar. Njëherit, sipas marrëveshjes, pas pagesës së 1.000.000 euro, e akuzuara e dytë ka dorëzuar leje me shkrim deri te gjykata që pasaporta e marrë t’i kthehet përkohësisht dëshmitarit.
Me veprimet e ndërmarra zyrtare, e akuzuara e dytë kishte shfrytëzuar dhe e kishte tejkaluar pozitën e saj zyrtare dhe autorizimin dhe për vete ka marrë përfitim pronësor në vlerë të madhe edhe atë në sende – mobilie në vlerë prej 296.040,00 denarëve dhe para në vlerë prej 50.000 eurove, ndërsa për ndikimin e jashtëligjshëm dy të akuzuarit e tjerë kishin pranuar shpërblim prej 1.500.000 eurove. I akuzuari i parë edhe pse i papunë, me xhirollogari të bllokuara dhe pa të ardhura, në fillim të këtij viti kishte blerë për vete mobilie luksoze, veshmbathje dhe këpucë dhe kishte qëndruar në pushimore luksoze – resorte jashtë vendit që na bën të ditur se i ka lëshuar në qarkullim mjetet të cilat i kishte marrë me veprën penale “Pranim të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”.
Në kuadër të rastit “Reket”, Prokuroria hapi hetim të ri i cili ka të bëjë me Aleancën Ndërkombëtare të Bojan Jovanovskit – Boki 13.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit informon se hetimi për rastin “Reket” është zgjeruar, gjegjësisht është sjellë vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër pesë personave fizikë dhe një personi juridik, për shkak të dyshimit se i dyshuari i parë ka kryer vepër penale në vazhdimësi “mashtrim” dhe vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”. (koha.mk)