Skuadra e Los Anxhelos Lejkers ka arritur një marrëveshje me basketbollistin australian Andrev Bogut, që sezonin e kaluar ka luajtur fillimisht me Dallas Maveriks dhe më pas me Klivlend. Lajmin e ka konfirmuar dje klubi kalifornian, që ka bërë me dije se shtatlarti (2.13 metra i gjatë) ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 2,3 milionë dollarë.
Bogut, 32 vjeç, është shpallur kampion i NBA-së në vitin 2015 kur luante me Golden Stejt dhe më pas u transferua te Dallasi. Një lojtar me përvojë në NBA, që pritet të japë kontributin e tij te Lejkers, një skuadër me shumë emra të rinj dhe që kanë nevojë për një emër me përvojë. Sezonin e fundit ai ka luajtur pak me Kavalirs, për shkak të një dëmtimi, që e mbajti gjatë jashtë fushave.