Shkup, 16 maj – Dimitar Bogov tërhiqet nga kandidatura për guvernator të Bankës Popullore të Maqedonisë dhe për këtë e ka njoftuar presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, i cili e propozoi për mandatin e ri të guvernatorit.
Në një deklaratë me shkrim për MIA-n, Bogov thekson se me kujdes e ka ndjekur debatin në opinion lidhur me propozimin për herë të dytë të emërohet për guvernator të BPRM-së dhe se vendimin e ka sjellë duke i pasur parasysh reagimet e një pjese të faktorëve në politikë dhe afatet për zgjedhjen e guvernatorit.
“Me këtë rast do të doja t’i shpreh falënderime presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov për besimin që ma ka dhënë me propozimin e sërishëm timin për njeri të parë të Bankës Popullore, që për mua personalisht paraqet valorizim të bashkëpunimit në shtatë vitet e fundit. Duke i pasur parasysh reagimet e një pjese të faktorëve të jetës politike në Republikën e Maqedonisë, konstelacionin momental politik dhe afatet për zgjedhjen e guvernatorit, në dobi të shtetit tërhiqem nga kandidatura për guvernator të Bankës Popullore, për këtë e njoftova tashmë presidentin e Republikës së Maqedonisë”, thekson Bogov.
Ai beson se në periudhën që vijon do të gjendet zgjidhje dhe në kohë sa më të afërt do të propozohet kandidat i ri për guvernator i Bankës Popullore, nga radha e profesionistëve, i cili do të marrë mbështetje konsensuale politike.
“Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë nuk guxon të lihet pa guvernator. Pres zgjidhje në afat sa më të shkurtë kohor, që do të jetë në interes të Republikës së Maqedonisë”, potencoi Bogov.
Mandati i Bogovit si guvernator i BPRM-së përfundon më 20 maj, ndërsa më 21 maj në seancë të re të Kuvendit, sipas burimeve kuvendore do të vendoset pika në rend dite për zgjedhjen e guvernatorit të ri.