Shkup, 30 shtator – Në të gjitha rastet e DSK-së dhe BSP-së është shkelur ligji me incizimin e arrestimeve spektakolare, me dëshmitarë të rrejshëm, me bisedime të përgjuara në mënyrë të paligjshme. Me këto procedura është shkelur Kushtetuta dhe Ligji nga ana e DSK-së, ku shef ishte Sasho Mijalkov, ministrja Gordana Jankulloska dhe të afërmit e tij, deklaroi ish-shefi i policisë sekrete Sllobodan Bogoevski, i cili dëshmi si i dëmtuar në gjykimin e sotëm për “Target-Fortesa”.
Dëshmitari i dëmtuar, tha se në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 ka punuar në një kompani private dhe ishte konsultues, ndërsa deri tek PSP-ja ka parashtruar kërkesë për marrjen e informacionit nëse është përgjuar.
“Nga të punësuarit në DSK u paralajmërova se komunikimet e mia po ndiqen, ndërsa jam përndjekur edhe fizikisht. Siç po kalonte koha, gjithnjë e më shumë kam marrë informacione nga të punësuarit në DSK që të kem kujdes çka flas dhe me kë takohem. Nga viti 2009 mora informacione se në mënyrë të paligjshme janë kërkuar PI masa kundër meje”, ka thënë Bogoevski.
Ai tha se atë e kanë “etiketuar” për raste të ndryshme vetëm për të zgjatur PI masat/
“Këto ndjekje të paligjshme të komunikimeve janë shfrytëzuar nga policia që të montohet rasti kundër meje dhe edhe disa personave të tjerë ku dëshmia e vetme është se unë jam njoftuar me dy avokatë. Në të gjitha rastet e DSK-së dhe BSP-së është shkelur ligji me incizimin e arrestimeve spektakolare, me dëshmitarë të rrejshëm, me bisedime të përgjuara të paligjshme. Me këtë veprime është shkelur Kushtetuta dhe Ligji nga ana e DSK-së ku shef ishte Sasho Mijalkov”, ka thënë Bogoevski.
Pas dëshmisë së tij, në deklaratë për mediumet para Gjykatës, Bogoevski, tha se kjo është një ndër lëndët kyçe të PSP-së, që të mësohet pse shteti ka organizuar ndjekje masive të komunikimeve.
“Ky nuk është rast i ndjekjes së komunikimeve, nga ndonjë kurioz që dëshiron të shikojë në privatësinë e dikujt tjetër, por sistem shtetëror për ndjekje të paligjshme të komunikimeve, të motivuar nga qëllime kriminale, politike, ekonomike dhe të tjera. Si të tillë duhet të ketë zgjidhje të shpejtë”, deklaroi Bogoevski.
Theksoi se nuk janë të rëndësishme ato si pasoja, por se masoviteti i ndjekjes së rreth 20,000 komunikimeve, flet, siç tha, një sistem monstruoz dhe duhet të ketë dënime më të rrepta.