Shkup, 25 tetor – Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), thotë se lideri i VMRO-DPMNE-së, gënjen se është përgjuar, duke dashur që të bëhet viktimë dhe t’i shmanget përgjegjësisë për veprat e rënda për të cilat akuzohet.
“Mendoj se Gruevski gënjen kur thotë se është i përgjuar, ashtu siç gënjen kur thotë se DSK nuk ka kryer përgjim të komunikimeve dhe se shërbimet e huaja e kanë bërë atë prej disa furgonëve të verdhë që kanë shëtitur, ndërkaq dikush ka ngjitur dhe montuar biseda. Vlerësimi im është se ai do që t’i shmanget përgjegjësisë, si person i cili është i akuzuar për vepra të rënda, do të tregohet si viktimë politike dhe ta shpërqendrojë vëmendjen nga veprat e tij të këqija. I duhet këso truke në sy të zgjedhjeve. Ai edhe sot jeton në një film me furgona të verdhë dhe mendon se njerëzit i besojnë”, deklaroi Bogoevski në emisionin “Samo vistina” në TV “Kanal 5”.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me dhunën e 27 prillit në Kuvend, Bogoevski deklaroi se një pjesë e madhe e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së, janë pjesë e shoqërimit kriminal.
“Njëjtë vlen edhe për liderin, i cili vetë quhet ashtu, dhe i cili është i dyshuar dhe i akuzuar për vepra më të rënda. Të isha unë shef, asnjë minutë nuk do t’i lejoja që të jenë në liri. Ata janë të rrezikshëm për Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Bogoevski.