Finalja e shekullit është kthyer në finalen e turpit, aq sa ndeshja më e shumëpritur e Libertadores, ajo mes River Plate dhe Boca Juniors u shty, për shkak të incidenteve të shumta që ndodhën para fillimit të saj të shtunën në mbrëmje. Organizatorët vendosën që finalja të luhet të dielën në mbrëmje (ora 21:00) në stadiumin “Monumental”, por ka gjasa që as sot kjo ndeshje të mos luhet.
Presidenti i skuadrës së Boca Juniors dëshiron që ndeshja të luhet, por lojtarët janë ende në gjendje shoku pas sulmit që tifozët e River i bënë autobusit. Për këtë arsye, futbollistët dhe një pjesë e stafit drejtues, kanë deklaruar se edhe sot nuk do të zbresin në fushë.
Jo vetëm kaq, por qarkullojnë zërat se Boca do t’i kërkojnë Conmebol fitoren 3-0 në tavolinë, duke parë agresionin që tifozët vendës të River Plate i bënë ekipit mik.
Gjatë natës ka patur edhe takim mes palëve në stadiumin ku ndodhet skuadra e Boca Juniors, por deri më tnai nuk ka ende asnjë deklaratë zyrtare. Ndeshja e parë e luajtur në “Bombonera” u mbyll në barazim 2-2 dhe sot pritet të luhet sfida e kthimit.