Edinson Cavani zgjodhi Manchester United tetorin e kaluar mes shumë ofertave që i mbërritën. “El Matador” firmosi për një vit me “Djajtë e Kuq” dhe deri tani ka shënuar 7 gola.
Rinovimi është larg dhe sulmuesi i njohur nga Uruguai mund të largohet nga futbolli evropian. Boca Juniors synon të fitojë Kupën Libertadores dhe ka zgjedhur t’i ofrojë Cavanit një ofertë 3-vjeçare.
Propozim tundues duke marrë parasysh moshën 34-vjeçare të goleadorit. “Ideja jonë është të transferohemi te Boca“, u shpreh për argjentinasen Ole Walter Guglielmone, agjenti i Cavanit.
Bisedimet mes palëve kanë nisur dhe po ecin mirë. Tifozët e zjarrtë të Bocas shpresojnë të arrihet sa më shpejt akordi dhe do të shijojnë dyshen Tevez-Cavani në mitikun “Bombonera”