Milani i ri është në duart e Paolo Maldinit dhe Zvonimir Boban. Projekti për të cilin flitej prej kohësh, ashtë zyrtarizuar sot me ndryshimin e kompetencave të ish-mbrojtësit si dhe afrimin e ish-mesfushorit i cili ka braktisur punën e tij në FIFA.
Me një njoftim zyrtar, klubi bëri të ditur se drejtori i ri teknik i Milanit do të ishte Paolo Maldini, ndërsa Shefi i Zyrës së Futbollit do të ishte Zvonimir Boban. Pak momente para njoftimit të klubit, ishte vetë FIFA që doli me një deklaratë zyrtare duke konfirmuar largimin e ish-futbollistit kroat nga strukturat drejtuese të saj.
“Jam shumë i lumtur që kthehem përsëri te Milani im i dashur, duke u munduar të jap kontributin tim për ta kthyer aty ku e meriton të jetë. Duhet të jetë një klub protagonist e fitues, pasi kjo është natyra e vetme e historisë së tij.
Kur Paolo më telefonoi për të mësuar gatishmërinë time, i hipa makinës dhe shkova në Milano në shtëpinë e tij, në mes të natës, për të kuptuar se si ishin gjërat. Pasi fola me Ivan dhe me drejtuesit, gjithçka ishte e qartë dhe ja ku jam, në klubin që dashuroj dhe në vendin që më ka dhënë shumë. Shpresoj të shpërblej këtë besim. Dua të falënderoj edhe presidentin e FIFA-s, Xhani Infatino, i cili edhe pse interist, ishte një mik i vërtetë dhe kuptoi që kjo ishte një thirrje e ngjashme me atë të tijën tre vite më parë. E pamundur t’i thuash jo”, ishin fjalët e Boban pas zyrtarizimit.