Blloku i tretë energjetik në REK Bitola sot është shkyçur për shkak të ndërhyrjes së planifikuar, ndërsa nevojat për energji elektrike tërësisht janë përmbushur nga kapacitetet vendore, informon SHA ELEM. Shkyçja, siç thonë nga SHA ELEM, është kryer sot në orët e paradites, për shkak të nivelit të rritur të sinjalizuar të silikateve në pjesën kondensuese të kazanit. “Bëhet fjalë për ndërhyrje preventive të planifikuar, që pritet të zgjasë prej 24 deri 72 orë. Kjo gjendje nuk ishte vendimtare për gatishmërinë e instalacionit dhe në mënyrë të paevitueshme nuk shkaktoi çkyçje të termobllokut, megjithatë, për shkak të përmirësimit të kushteve atmosferike dhe konsumit të ulur të energjisë elektrike u vendos që kjo ndërhyrje afatshkurtër teknologjike për sanim të pjesës së kondensuar të kazanit të kryhet mu në këtë periudhë”, ceket në kumtesën e SHA ELEM. ELEM informon se të gjitha kapacitetet prodhuese janë në funksion dhe në tërësi u përgjigjen nevojave të sistemit elektroenergjetik të vendit, ndërsa nevojat e përgjithshme për energji elektrike të konsumatorëve tarifor gjatë kohëzgjatjes së ndërhyrjes do të përmbushen nga prodhimi vetanak dhe, siç ceket, nuk do të ketë import shtesë të energjisë elektrike.