E drejta e tyre është, edhe ata mund të vendosin të dalin, të formojnë grup të posaçëm të deputetëve dhe ashtu të vazhdojmë të veprojmë në koalicion. Ja PLD-ja ka dy deputetë, dëshirojnë vetë të paraqiten, jo si pjesë e grupit të përgjithshëm të deputetëve, por nuk është koha adekuate tani, nuk është koha adekuate. Në rrethana të tilla kur opozita pohon se mund të formojë shumicë, ndërsa pushteti pohon se kjo është absolutisht e pamundur, hapi i tillë nga ana e PLD-së është dërgim i porosisë së qartë, e cila është shkelje e paraqitjes në koalicion ose së përbashkët”, tha Zaev
Evis HALILI
Shkup, 22 shkurt – Pas Lëvizjes BESA, edhe dy deputetët e Partisë Liberaldemokrate kanë vendosur të veprojnë të pavarur. Këshilli qendror i partisë ka vendosur që deputetët e saj, Monika Zajkova dhe Bobi Mojsoski, që nga muaji gusht i vitit 2020 të veprojnë të pavarur, por siç thuhet në komunikatë, ende nuk ishte realizuar për arsye objektive. “Si parti, kemi sjell vendim që para shtatë muajve për veprim të pavarur në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të përfaqësojmë më mirë vlerat liberale dhe më shumë hapësirë për veprim nga deputetët tanë. Për ne, kjo është një lëvizje demokratike dhe nuk ka të bëjë me tema të përditshme politike. Ne kemi lënë hapësirë të mjaftueshme për zbatimin e këtij vendimi. PLD si dhe deputetët e saj do të vazhdojnë të mbështesin Qeverinë dhe kjo do të konfirmohet edhe me votimin e besimit të ministrave Lupço Nikollovski dhe Bojan Mariçiq”, thuhet në kumtesën nga Partia liberal-demokratike.
Nga partia shtojnë se në periudhën në vijim, vendimi do të realizohet dhe do të veprojnë si liberalët tjerë në parlamentet nëpër Evropë. Në ndërkohë, shumica parlamentare tashmë është rrezikuar edhe me mungesën në Parlament të deputetit Enes Ibrahim, njëherësh kryetar i partisë Lëvizja e Turqve të Maqedonisë. Ibrahim ka më shumë se një javë që nuk paraqitet në Parlament, ndërsa ka theksuar se shqyrtimi i koalicionit me LSDM-në, do të ndodhë në Kongresin e partisë muajin e ardhshëm. Partia Lëvizja e Turqve tashmë në disa komuna ka dalë nga koalicioni në disa Këshilla Komunal, në shenjë pakënaqësie për ndarjen e pushtetit si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror.
Edhe interpelancat për ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe për zëvendëskryeministrin për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikolovski, këtë javë nuk do të gjenden në seancat parlamentare, pasi ende nuk ka përgjigje nga ana e Qeverisë. Për propozimet e opozitës për kërkimin e besimit të dy funksionarëve qeveritarë, duhet të konvokohen seanca të reja, por këtë javë, sipas informatave nga takimi i fundit koordinativ me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi, nuk do të ketë seanca të reja plenare. Pritjet janë se interpelacione do të mund të gjenden në seanca në fillim të marsit.
Do të vazhdojnë me punë komisionet, ndërsa të enjten është seanca e rregullt për pyetje të deputetëve, e cila mbahet çdo të enjte të fundit në muaj. VMRO-DPMNE-ja opozitare edhe më tej mbetet në qëndrimin se deputetët e tyre nuk do të jenë në seanca dhe të votojnë për rendin e ditës ose për kuorum, përveç për çështjet lidhur me Kovid-19. Ndryshe, Parlamenti i Maqedonisë ka ditë të tëra që nuk mund të mbajë mbledhje, pasi shumica parlamentare nuk po arrin të sigurojë shumicën e duhur prej 61 deputetësh. Dy deputetë të BDI-së, Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku nuk shkojnë në Parlament, ndërsa njëjtë po ndodhë edhe me deputetin turk, pjesë e koalicionit të LSDM-së, Enes Ibrahim.
VENDIM JOADEKUAT I PLD-së
Vendimin e PLD-së për braktisje të koalicionit e ka komentuar edhe kryeministri Zoran Zaev. Hapin e dy deputetëve të PLD-së që të dalin nga grupi i deputetëve të LSDM-së dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur në Parlament, Zaevi e vlerësoi si legjitim, por sipas tij, momenti për publikimin e tillë nuk është adekuat, para së gjithash për shkak të pohimeve të opozitës se pushteti nuk ka shumicë stabile parlamentare.
“Unë e kuptoj këtë. Kjo është e drejtë e secilit deputet nga koalicioni, e ashtu edhe i secilës parti politike. Ju dini se edhe se e dyta sipas madhësisë parti në koalicionin tonë ‘Mundemi’ – BESA mendon, ka katër deputetë, prej këtu dëshiron grup të deputetëve. E drejta e tyre është, edhe ata mund të vendosin të dalin, të formojnë grup të posaçëm të deputetëve dhe ashtu të vazhdojmë të veprojmë në koalicion. Ja PLD-ja ka dy deputetë, dëshirojnë vetë të paraqiten, jo si pjesë e grupit të përgjithshëm të deputetëve, por nuk është koha adekuate tani, nuk është koha adekuate. Në rrethana të tilla kur opozita pohon se mund të formojë shumicë, ndërsa pushteti pohon se kjo është absolutisht e pamundur, hapi i tillë nga ana e PLD-së është dërgim i porosisë së qartë, e cila është shkelje e paraqitjes në koalicion ose së përbashkët”, tha Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve. (koha.mk)