Bllokohen rrugët e Tetovës për Festën e Bajramit

94

Urim Hasipi

Tetovë, 12 maj – Një ditë para festës së Fitër Bajramit, rrugët e qytetit të Tetovës pothuajse janë të bllokuara. Bulevardet kryesore të Tetovës janë në kaos të vërtetë për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe lëvizja në komunikacion bëhet me vështirësi. Përveç komunikacionit të dendur, poashtu shumë qytetarë hasen nëpër trotuare dhe në grumbuj nëpër shitore pa respektuar masat anti covid, pra distancën sociale. Krahas kësaj, lehtësimi i lëvizjes së lirë ka bërë që edhe shumë lokale të punojnë, shkruan gazeta Koha. Ajo që bie në sy këtyre ditëve është se shumë qytetarë lëvizin pa maska kurse më të frektuara janë pjesa qendrore e qytetit, qendrat tregtare dhe tregu i gjelbërt.

Në këta vende ka numër enorm të qytetarëve të cilët bëjnë përgatitjet e fundit për festën e Bajramit. Për të rregulluar ngecjet në komunikacion – në çdo rrethrrotullim dhe udhëkryq vërehen edhe pjesëtarë të policisë që asistojnë për një komunikacion më të lehtë të automjeteve në Tetovë. Ka ankesa nga qytetarët se për të arritur nga një skaj i qytetit në tjetrin skaj nevojiten mbi 30 minuta dhe kjo ka shkaktuar edhe nervozizëm tek drejtuesit e automjeteve. (koha.mk)