Evis HALILI
Shkup, 27 gusht – Agjencia e Filmit ka mbyllur edhe afatin e dytë të Konkursit për mbështetjen e projekteve filmike, edhe pse rezultatet e afatit të parë nuk janë shpallur duke tejkaluar kështu të gjitha limitet kohore prej më shumë tre muaj, shkruan gazeta KOHA. Shkaku kryesor janë emërimet e mbetura pezull të anëtarëve dhe kryetarit të Këshillit Drejtues, të cilët u shkarkuan muajin e kaluar. Nga Qeveria nuk japin ndonjë informacion se pse Agjencia e Filmit është lënë në fund të listës së pritjes.
“Emërimi i anëtarëve të Këshillave Drejtues nuk ka mbaruar nëpër të gjitha institucionet, ato që janë në kompetenca të Qeverisë dhe do të bëhet sipas radhës”, thotë zëdhënësi Mile Boshnjakovski. Mosfunksionimi i Këshillit Drejtues ka krijuar kaos brenda vetë institucionit. Jo vetëm që nuk japin informacione lidhur me një afat të ri për shpalljen e rezultateve, por nuk janë në dijeni nëse projektet e pjesës së parë të konkursit, që janë miratuar nga ish anëtarët e Këshillit, do të kalojnë nëpër të njëjtën procedurë shqyrtimi. Në një njoftim në faqen e Agjencisë, ndër të tjera jepen sqarime për afatin e dytë të konkursit dhe mënyrën e konkurrimit dhe bëhet me dije se konkurrimi është i vlefshëm, edhe pse rezultatet e afatit të parë nuk janë shpallur ende. Konkursi vjetor për financimin e filmave artistike me metrazh të gjatë e të shkurtër, dokumentareve dhe të animuarave zhvillohet në dy afate. Afati i parë u mbyll në muajin mars, ndërsa afati i dytë i konkurrimit më 15 gusht. “Situata mbetet e njëjtë që me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Si për rezultatet e afatit të parë, ashtu edhe për të dytin – do të duhet të presim deri në emërimin e anëtarëve të rinj. Kjo është një situatë e re, madje nuk dihet as me projektet e afatit të parë se ç’do të bëhet, nëse do të shqyrtohen nga e para”, thonë në Agjenci. Përveç shkarkimit nga detyra të anëtarëve të Këshillit Drejtues, u shkarkua edhe drejtoresha e këtij institucioni, Mimi Gjorgovska-Ilievska. Në vend të saj, prej gati dy javësh është ulur producenti Gorjan Tozija, ish drejtor i “Vardar Film”. Tozija ka qenë i kursyer me deklarata lidhur me planet dhe programin për Agjencinë, duke deklaruar se do të duhej fillimisht të informohej me situatën në të cilën gjendet institucioni. Sa i takon projekteve për filma dokumentarë e artistikë dhe të animuar, me metrazh të shkurtër e të gjatë – do të duhet që këtë vit të pritet më gjatë, pasi sipas të gjitha gjasave, projektet e paraqitura në afatin e parë dhe që kanë kaluar të gjitha procedurat pak kohë përpara shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues, do të duhet të kalojnë në një filtër tjetër shqyrtimi. Me emërimet e reja nga Qeveria, do të duhet që këtë vit të emërohet edhe anëtari i gjashtë shqiptar, vendi i të cilit është bosh prej disa vitesh. Kjo mungesë, së bashku edhe me ato në grupet e tjera të punës së këtij institucioni, janë theksuar si arsyet kryesore që ky institucion ndan përqindje shumë të vogla për avancimin dhe promovimin e regjisorëve dhe producentëve shqiptarë. Edhe pse dy vitet e fundit janë miratuar nga 4 deri në pesë projekte filmike ato kryesisht kanë qenë me metrazh të shkurtër dhe buxhet të vogël, me përjashtime të rralla. Numri i projekteve konkurruese tek pjesa shqiptare është i vogël, pasi edhe vetë producentët dhe kineastët shqiptarë veprojnë me kapacitete të kufizuara në këtë sektor. Agjencia e Filmit konsiderohet si një prej institucioneve më buxhetin më të kamur. Që prej katër vitesh ky institucion u pavarësua, duke kaluar nga Fond në Agjenci. Buxheti vjetor jepet nga qeveria, ndërsa financimi i aktivitetit edhe veprimtarisë edhe nga burime të tjera. (koha.mk)