BLLOKADAT NË PARLAMENT: Rregullore që legjitimon obstruksionet!

VMRO-DPMNE nuk është hera e parë që bllokon Parlamentin. Në të kaluarën, mundësinë për bllokadë e ka përdorur edhe Talat Xhaferi kur ishte koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. Edhe pse kështu e ka demokracia, edhe vendimet absurde të partive që nuk bien ndesh me Rregulloren e Parlamentit janë legjitime, por çështja është se çfarë efekti mund të kenë, thonë njohësit e proceseve politike

Xhenur ISENI

Shkup, 13 maj – Opozita maqedonase të martën, më 10 maj, ka nisur me bojkotin e punës së Parlamentit duke pamundësuar kështu miratimin e të gjitha ligjeve që kërkojnë dy të tretat e votave, por edhe mbajtjen e seancave të rregullta për shkak të shumicës së brishtë parlamentare, pasi nga 120 deputetë sa numëron Parlamenti, shumica ka 64. Deri te bojkoti erdhi pasi kryeministri, Dimitar Kovaçevski, refuzoi kërkesën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, për takim liderësh në të cilën kërkohej që të caktohej data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. VMRO-ja vlerëson se Qeveria nuk ka legjitimitet dhe aftësi për të udhëhequr vendin, që sipas saj, është në gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit. Nga LSDM thonë se deputetët e VMRO-DPMNE-së t’i kthejnë pagat, paratë për mëditje dhe shpenzimet për rrugë te qytetarët. Këto janë mbi 55.000 euro në muaj.

Advertisements

“VMRO-DPMNE-ja është partia e vetme në botë që në kohën e krizës më të madhe në botë bllokon Kuvendin dhe e pengon miratimin i ligjeve të rëndësishme. VMRO-DPMNE është partia e vetme në botë që mburret se i dëmton qytetarët përmes bllokimit të zgjidhjeve ligjore”, thonë nga LSDM. Por kjo nuk është hera e parë që VMRO-DPMNE bllokon Parlamentin. Në vitin 2017 deputetët e kësaj partie replikonin mes vete me qëllim që atëherë të mos votohet Talat Xhaferi për kryeparlamentar, por edhe të mos votohet Qeveria e re në krye me Zoran Zaev. Në të kaluarën mundësinë për bllokadë e ka përdorur edhe Talat Xhaferi kur ishte koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. Atëherë kjo parti i kishte vënë kusht partisë së Gruevskit që të pranojë amendamentet e BDI-së për pr/ligjin e branitellave që të përfshijë edhe rregullimin e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, ose tërheqjen e mundshme të draftit. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi, kishte theksuar se një ligj i tillë është miratuar që në vitin 2002, dhe miratimi i një të riu është i panevojshëm dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, dhe për këtë shkak ai mbante fjalime në Parlament për 7 ditë me radhë, pa e ndërprerë askush vetëm që mos të sillet ligji i propozuar nga VMRO-DPMNE, ku në disa raste lexonte dhe poezi të shkrimtarit Aco Shopov.

Në fakt veprimet e tilla edhe nuk mund të quhen ‘bllokadë’ mbase më shumë ka të bëjë me obstrukcion por kuptohet kur është fjala tek opozita, ajo kështu shpesh vepron edhe kur nuk është e nevojshme, madje edhe për çështje që nuk duhet, thotë analisti politik Qenan Aliu. Megjithatë, ai potencon se kur jemi tek instrumenti ‘Filibasternig’, ky është një veprim që duhet pyetur ‘kush ma i pari bëni’. “Pra ky instrument është i njohur në praktikat parlamentare por jo në formën dhe mënyrën siç e praktikojnë tek ne p.sh, me përmbajtje të amendamenteve paradoksale, pra vetëm duke printuar me mijëra amendamente pa kuptim, vetëm për të fituar në procedurë dhe kohë. Edhe pse kështu e ka demokracia, edhe vendimet absurde të partive që nuk bien ndesh me rregulloren e kuvendit janë legjitime, por çështja është se çfarë efekti mund të kenë? Me një fjalë shkurtimisht, instrumenti ‘filibastering’ është instrument për tu përdorur e jo për tu keqpërdorur. Instrumenti të mundëson p.sh edhe me 30 amendamente cilësore të shterosh mundësitë për të bindur shumicën në kuvend. Kuptohet nëse ata vërtet duan që të binden, e realisht nuk binden sepse të zgjedhurit nuk kanë pavarësi dhe veprojnë si në ‘kor’, siç thotë partia”, ka deklaruar Qenan Aliu, analist.

Ndryshe, kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski paralajmëroi se do të ketë hapa të tjerë, nuk do të jenë vetëm bllokada, dhe se organet partiake do të duhet të komentojnë për hapat e tjerë në vijim. Mickoski theksoi se vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe se qeveria e LSDM-së nuk ka kapacitet për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, duke shtuar se për këtë është legjitime si opozitë të kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Unë thashë se kjo do të zgjas si bllokadë, sepse ne vlerësojmë që për momentin gjendja në vend nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe se ne kemi shumë probleme dhe kjo qeveri padyshim nuk ka kapacitet për t’i zgjidhur ato probleme, kështu që është normale dhe legjitime që pasi patëm një numër të madh votash, të kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha ai. (koha.mk)