“Vendimi është sjellë edhe në vitin 1994 nga Këshilli i Komunës, edhe në vitin 2004, dhe jemi në vitin 2019 dhe nuk është realizuar. Ne si banorë jemi të shqetësuar se pse komuna nuk e realizon këtë bulevard që është shumë i rëndësishëm, sepse dalja për nga Gostivari është gjithmonë e bllokuar, kurse do të lehtësonte edhe qarkullimin në pjesën për tek tregu, kazerma dhe rruga për në fshatin Poroj”, tha Asllan Imeri, banor në këtë pjesë të qytetit të Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shtator – Hapja e Bulevardit “Bllagoja Toska” vazhdon të mbetet një premtim i parealizuar edhe në mandatin e dytë të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Një nga premtimet kryesore të fushatës së saj për mandatin e dytë ishte edhe ky bulevard. Në Këshillin e Komunës së Tetovës disa herë janë kaluar vendime për ndarje të mjeteve, por gjithnjë procesi i fillimit të punëve ngec, shkruan gazeta KOHA.
Qytetarët që jetojnë në këtë lagje, të cilët presin vite me radhë që të fillojnë punët, janë të shqetësuar sepse ata kanë ngelur në një pozicion të palakmueshëm, sepse procesi i shpronësimit është stërzgjatur shumë. Qytetarët janë të lodhur nga premtimet nëpër fushata për hapjen e këtij bulevardi. Në ndërkohë, jo vetëm banorët që janë në proces të shpronësimit kanë shqetësimet e tyre, por edhe banorët tjerë që jetojnë afër këtij bulevardi shprehen të shqetësuar sepse infrastruktura është katastrofale.
“Vendimi është sjellë edhe në vitin 1994 nga Këshilli i Komunës, edhe në vitin 2004, dhe jemi në vitin 2019 dhe nuk është realizuar. Ne si banorë jemi të shqetësuar se pse komuna nuk e realizon këtë bulevard që është shumë i rëndësishëm, sepse dalja për nga Gostivari është gjithmonë e bllokuar, kurse do të lehtësonte edhe qarkullimin në pjesën për tek tregu, kazerma dhe rruga për në fshatin Poroj”, tha Asllan Imeri, banor në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Llogari për mosfillimin e punëve në këtë bulevard kanë kërkuar nga Lëvizja BESA. Nga kjo parti kanë drejtuar akuza në adresë të kryetares së Tetovës, Teuta Arifi, se vonesat janë të pajustifikueshme.
“Edhe pse u siguruan mjete nga Banka Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Ripërtrirje për hapjen e këtij bulevardi, edhe pse u siguruan mjete nga ana e komunës për shpronësimin e pronave, nëpërmjet programit për rregullimin e tokës ndërtimore dhe veprimtari komunale, çuditërisht u ndalën hapat e mëtutjeshëm për hapjen e këtij bulevardi. Pra, në momentin kur gjithçka ishte gati dhe kur duhej të fillonte shpronësimi dhe të nisnin punimet për hapjen e bulevardit, një dorë e zgjatur i ndërpreu ato. Pyesim publikisht kryetaren e Komunës, për çfarë arsye u ndal realizimi i këtij projekti, si rezultat i dorës së zgjatur të mafias urbane, apo si rezultat i vullnetit të hekurt për të mos bërë asgjë? Pse komuna nuk e bën shpronësimin e pronës edhe pse 80 për qind e tyre deri te shkolla Tekstile është dakorduar. Deri kur qytetarët e Tetovës do paguajnë çmimin e bulevardeve të mbyllura”, tha Besar Durmishi, këshilltar nga Lëvizja BESA në Komunën e Tetovës.
Disa herë me radhë e pyetur për ngecjet në fillimin e punëve të bulevardit Bllagoja Toska, kryetarja Arifi me të njëjtën përgjigj. “Ashtu si kemi realizuar rrugën e Banjës së Tetovës, ashtu si kemi bërë rrugët në Reçicë të Vogël dhe të Madhe, rrugën 172, dhe shumë projekte të tjera në Komunën e Tetovës, edhe Bulevardi ‘Bllagoja Toska’ do të realizohet. Jemi duke i kryer procedurat”, tha kryetarja Arifi. Vitin e kaluar u rrënuan dy shtëpi në fillim të këtij bulevardi që shënoi edhe fazën e parë, por që atëherë e këndej nuk ka asnjë veprim konkret. Problemet janë tek mosmarrëveshjet lidhur me shpronësimin e pronave, thonë nga pushteti lokal në Tetovë. Ndërsa ky proces zgjatë vite me radhë, gjendja në terren mbetet e njëjtë dhe punët nuk kanë filluar. (koha.mk)