Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në prononcimin e fundit për media ka thënë bulevardi do të përfundojë por pa dhënë ndonjë afat. “Jemi në proces të eksproprijimit dhe duhet të kryhen pagesat. Të gjitha punët që i kemi filluar edhe i kemi përfunduar”, ka thënë shkurt për gazetarët Teuta Arifi
Urim HASIPI
Tetovë, 3 gusht – Nga 19 shtëpi, aq sa duhet të rrënohen, vetëm për tre është kryer procesi i eksproprijimit, apo janë paguar. Kështu janë informacionet e fundit për hapjen e Bulevardin “Bllagoja Toska”, i cili ka mbetur pezull apo nuk ka vijuar të ndërtohet. Edhe 16 lëndë janë për eksproprijim, nuk kanë përfunduar ndërsa përllogaritjet janë se nevojiten rreth 1 milion euro, mjete këto të cilët Komuna nuk i ka në dispozicion, shkruan gazeta KOHA.
Nga Komuna e Tetovës disa herë gjatë miratimeve të buxhetit vjetor ndër vite kanë paraparë mjete për këtë bulevard, por gjithnjë punët nuk kanë filluar. Pikërisht mos fillimi i punëve, shpesh herë është përcjellë edhe me kritika nga këshilltarët e opozitës në këshillin e Komunës së Tetovës, të cilët kanë kërkuar përgjegjësi dhe përgjigje se pse nuk fillon ndërtimi i bulevardit. Bulevardi “Bllagoja Toska” fillon nga unaza te ish Restorant “Mema” dhe përfundon te Stadiumi i qytetit, hapja e këtij bulevardi përpos kostos së madhe, do të duhet të rrënojë dhe disa shtëpi, njëkohësisht dhe të zgjidh disa çështje pronësore juridike. Edhe pse kjo rrugë gjendet pothuajse në zemër të Tetovës dhe afër Spitalit klinik në Tetovë, në këtë pjesë nuk është bërë as një investim infrastrukturor edhe përkundër frekuentimi të madhe të qytetarëve dhe shumë premtimeve. Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi në prononcimin e fundit për media ka thënë bulevardi do të përfundojë por pa dhënë ndonjë afat. “Jemi në proces të eksproprijimit dhe duhet të kryhen pagesat. Të gjitha punët që i kemi filluar edhe i kemi përfunduar”, ka thënë shkurt për gazetarët Teuta Arifi.
Ajo ka theksuar edhe njëherë se problem mbetet eksproprijimi i shtëpive të cilët duhet të rrënohen. Bulevardi “Bllagoja Toska” është një ndër arteriet kryesore të qytetit të Tetovës hapja e të cilit do të lehtësonte qarkullimin e automjeteve dhe njerëzve në pjesën qendrore të qytetit. Në këtë rrugë përveç problemeve të shumta infrastrukturore, problem tjetër janë edhe veturat të cilat parkohen pikërisht mbi urë apo Bulevardin “Bllagoja Toska”. Sipas banorëve, veturat të cilat parkohen vend e pa vend në këtë pjesë, janë vetura të administratës së Spitalit të Tetovës, ata kërkojnë ndihmën e Sektorit për punë të brendshëm në Tetovë, që të dalë në teren dhe të vërtetojë gjendjen faktike. Hapja e bulevardit “Bllagoja Toska”, në mënyrë që të shkarkohej komunikacioni në qytetin e Tetovës, është shndërruar një vend parkim për vetura.
Qytetarët janë të lodhur me premtimet e vazhdueshme për fillimin e punëve për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë. Ata shprehen të zhgënjyer me premtimet e njëpasnjëshme ndër vite se pse ky bulevard nuk filloi që të ndërtohet. Sipas banorëve, tashmë në këtë pjesë ka shumë pluhur, ka shumë baltë,krijohet kaos me parkimin e veturave dhe kjo situatë tashmë po përsëritet vite me radhë. Kah fundi i muajit qershor të vitit të kaluar filluan punimet e fazës së parë për hapjen e bulevardit të shumëpërfolur, por ende punët kanë ngelur në pjesën fillestare me vetëm rrënimin e dy objekteve të pabanueshme dhe nuk është vijuar me punët. (koha.mk)