“Bllagoja Toska” në vendnumëro

Bulevardi “Bllagoja Toska” fillon nga unaza te ish-restoranti “Mema” dhe përfundon te Stadiumi i qytetit, ndërsa hapja e këtij bulevardi përpos kostos së madhe, do të duhet të rrënojë dhe disa shtëpi njëkohësisht dhe të zgjidh disa çështje pronësore juridike

 

Urim HASIPI

Tetovë, 9 mars Ndërtimi i bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska” në Tetovë, ka ngelur në pikën zero, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse kanë kaluar tashmë katër vite, ky projekt që u përfol dhe u premtua se do të realizohet gjatë këtij mandati, megjithatë nuk arriti të shoh as fillimin e punimeve. Gjatë tërë kohës mosrealizimi i këtij projekti shumë të rëndësishëm për të lehtësuar qarkullimin në qytetin e Tetovës, është arsyetuar me procedura të stërzgjatura gjatë rregullimit të procesit të eksproprijimit të pronave të banorëve që jetojnë në këtë pjesë të Tetovës.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili, ka thënë se ende nuk ka përfunduar procedura e eksproprijimit dhe kjo ka bërë që të mos fillohet të realizohet ky projekt. “Ngecjet që u bë në këtë drejtim ishin për shkak të eksproprijimit të pronave të cilët ishin në këtë bulevard. Bazuar në Ligjin për legalizim, pronat që nuk ishin të legalizuara, nuk kanë mundur të jenë lëndë për eksproprijim dhe ne e kemi pasur vështirë se çka do të bëjmë me këta prona që të hapet ky bulevard. Kjo problematikë do të tejkalohet me vazhdimin e afatit të legalizimit, pasi që me këtë u jepet mundësi pronarëve që të legalizojnë objektet dhe ne do të kemi bazë për eksproprijim”, deklaroi Xhemaili.

Advertisements

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në deklarimin e saj të fundit lidhur me këtë projekt, ka thënë se çështjet e pronësisë kanë ngadalësuar këtë projekt. “Neve kemi përzgjedhur firmën që do të realizojë punët, kurse njëkohësisht me institucione tjera jemi duke e bërë eksproprijimin e tokës, duke pasur parasysh faktin që në atë bulevard ka edhe punë që lidhen me çështjet pronësoro juridike dhe sa më shpejt të arrijmë marrëveshje me të gjithë ata që duhet të bëjmë eksproprijimin, aq më shpejt do të fillojnë punët. Kompania është përzgjedhur dhe normalisht pas këtyre procedurave do të fillojnë punë”, kishte deklaruar më herët Arifi. Paraprakisht banorët kishin dhënë pëlqimet që të fillohet me realizimin e këtij projekti, ndërsa komuna do të kompensojë pronën apo shtëpitë e tyre që do të duhet të rrënohen. Ata thonë se nuk kanë asnjë informatë lidhur me këtë projekt dhe zvarritjet për mos fillimin e të njëjtit.

“Nuk e dimë se pse ka ngecur. Ka qenë një komision dhe më pas është nuk është bërë asgjë. Ne si banorë jemi pro që të hapet kjo rrugë, sepse është me rëndësi për tërë qytetin”, thonë banorët e kësaj lagje. Janë dikur rreth 19 objekte që duhet të rrënohen dhe më pas të fillohet me ndërtimin dhe hapjen e këtij bulevardi. Nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar se edhe këtë vit ky projekt është në programin e investimeve hapja e këtij bulevardi që do të lehtësonte shumë kaosin në komunikacionin rrugorë në Tetovë. Bulevardi “Bllagoja Toska” fillon nga unaza te ish Restorant “Mema” dhe përfundon te Stadiumi i qytetit, ndërsa hapja e këtij bulevardi përpos kostos së madhe, do të duhet të rrënojë dhe disa shtëpi njëkohësisht dhe të zgjidh disa çështje pronësore juridike. Ky bulevard është një ndër arteriet kryesore të qytetit të Tetovës, hapja e të cilit do të lehtësonte qarkullimin e automjeteve në pjesën qendrore të qytetit.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.