Disa herë edhe këshilltarët e opozitës në Këshillin e Tetovës kanë reaguar duke kërkuar që komuna të mbajë premtimin dhe të fillojë punët në terren, por deri më tash këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër. Kryetarja Teuta Arifi thotë se për këtë bulevard, duhet të presim ditë më të mira sa i takon aspektit financiar
Urim HASIPI
Tetovë, 28 qershor – Qytetarët e Tetovës vazhdojnë të presin hapjen e dy bulevardeve kryesore, për të patur një komunikacion më të lehtë për shkak të rrugëve të ngushta dhe trafikut të rënduar viteve të fundit. Bëhet fjalë për bulevardin “Bllagoja Toska” dhe “Vidoja Smilevski Bato”. Këtyre ditëve duhet që të rifillojnë punët për hapjen e bulevardit “Vidoja Smilevski Bato”. Punimet ishin ndërprerë kohë më parë për shkak të virusit Covid-19. Punimet në këtë bulevard filluan muaj më parë me ritëm të përshpejtuar, ndërsa autoritetet komunale paralajmëruan se shumë shpejt bulevardi do të jetë gati. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se pas lehtësimit të masave, duhet që punët të fillojnë.
“Këtyre ditëve do të rifillojnë punët, kompania na ka siguruar se siç qëndron në marrëveshje, edhe do të kryhen punët në teren duke respektuar afatet kohore. Mendojmë se deri në fund të vitit bulevardi do të jetë i hapur dhe do të mund të shfrytëzohet nga qytetarët”, thotë Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës. Sa i përket bulevardit tjetër – “Bllagoja Toska”, ende nuk ka asgjë të re. Komuna e Tetovës vazhdon të ketë shumë probleme me shpronësimin e pronës, ndërsa ballafaqohet edhe me mungesë të mjeteve financiare. Shpronësimi ka filluar, por vështirë është duke shkuar, pohon kryetarja Arifi.
Sipas saj, duhet që komuna të gjejë mënyra për të ndërtuar këtë bulevard. “Këtë periudhë kemi vështirësi financiare kjo na ka vështirësuar shumë çështjen e shpronësimit. Mendoj se më shpejtë punët do të lëvizin në bulevardin në rrugën industriale, kurse për bulevardin ‘Bllagoja Toska’, duhet të presim ditë më të mira sa i takon aspektit financiar”, shprehet kryetarja Arifi. Në ndërkohë, në vendin ku duhet të hapet ky bulevard – gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Gropa të mëdha të mbushura me ujë, vetura të parkuara dhe komunikacion i çorientuar janë pamje që shihen çdo ditë në afërsi të Spitalit klinik të Tetovës. Qytetarët janë duke u përballuar me këtë situatë vite me radhë, ndërsa premtimet e njëpasnjëshme kanë qenë se ky bulevard do të hapet pavarësisht vështirësive financiare. Nga Komuna e Tetovës në fillim të këtij viti ishin shprehur optimist se çështja e shpronësimit do të përfundojë shumë shpejtë, por më pas vështirësitë financiare kanë stopuar këtë projekt imament jo vetëm për banorët e qytetit, por edhe banorët e komunave tjera të Pollogut. Procesi i shpronësimit përfshinë 19 shtëpi, të cilët pas përfundimit të procedurave, duhet që të rrënohen dhe të fillojnë punët për hapjen e të njëjtit.
Ky bulevard duhet të lidhet me bulevardin e Ilindenit dhe qytetarët do të kenë mundësi të shmangen nga kalimi nëpër pjesën qendrore të qytetit ku trafiku është shumë i stërngarkuar. Disa herë edhe këshilltarët e opozitës në Këshillin e Komunës së Tetovës kanë reaguar duke kërkuar që komuna të mbajë premtimin dhe të fillojë punët në terren, por deri më tash këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër edhe pse ka qenë një nga premtimet kryesore të kësaj përbërje aktuale që udhëheq me Komunën e Tetovës. Sipas paralajmërimeve, lëvizje pozitive në këtë drejtim nuk do të ketë deri në fund të vitit. (koha.mk)