Është ky libër që troket dhembshëm në kujtesën kombëtare dhe në ndërgjegjen njerëzore. Autori, Emin Azemi, me përkushtimin që ka treguar nuk ka bërë vetëm një libër. Ai gjithë atë dramë njerëzore, gjithë atë tragjedi e dhembje të pafundme e ka thyer në kujtesë historike, në vetëdije kombëtare dhe në qortim të ndërgjegjes njerëzore
Nga Gani BYTYÇI
Bota ka njohur Halokaustin nga mesi i shekullit XX. Ajo ka njohur edhe trenat e vdekjes. Askush s`e ka menduar se Holokausti tjetër do të ndodhte në mbyllje të po atij shekulli. Në ditët e tij të fundit. Dhe se ai do të ndodhte pikërisht në këtë nënqiellin tonë. Askush nuk e ka menduar se trenat e vdekjes do të shfaqeshin sërish edhe në mbyllje të shekullit. Se ata do të mbusheshin e do të bartin frikë, tmerr e trishtim, sëmundje, dhembje, vuajtje e pikëllim. Se do ta bartnin njeriun tonë, drejt kufinjve, drejt tretjes, drejt humbjes, drejt tortures e vdekjes… drejt absurdit të kohës.
Bllaca, ky vend biblik, i kthyer apo që do të duhej të kthehej në një një vend pelegrinazhi, për ta parë e kujtuar gjithmonë dimensionin e tragjedisë, rënkimin e dhembjes, rrenqethjen e trishtimit, për ta parë çastin kur më lehtë është të jesh i vdekur se sa i gjallë, për ta parë se sa barbarë mund të jenë qeniet njerëzore, përballë tjetrit, përballë njeriut përballë vetvetës…
“Gjatë ditëve të ftohta të mars-prillit 1999 po vihej në skenë një prej tragjedive më makabre të njerëzimit. Atyre ditëve, njeriu i shkulur kosovar, ndodhej në paanësinë e një fushe të mbuluar me krrokama korbash e vaj fëmijësh, brenda një teli me gjemba, të cilin po e ruanin me fanatizëm policë të Maqedonisë. Në Bllacë takohej fryma e njeriut me asgjënë… Balta e Bllacës, për gazetarët ishte material i gatshëm për të bërë konfigurimin e një atmosfere danteske, ku jeta e njeriut kushton më lirë se gjithçka”.
Po, vërtet, atje gazetarët thuren rrëfimet e tyre danteske. Virxhili e shoqëroi Danten nëpër rrathet e ferrit për t`i shpjeguar atij se kush ishin vuajtësit-mëkatarë. Edhe Emin Azemi e shoqëron lexuesin po atyre rrathëve të ferrit dantesk. Po, derisa ferri i Dantes ishte imagjinar dhe vuajtësit brenda tij ishin të gjithë mëkatarë të imagjinuar, ferri i Emin Azemit, me të gjithë rrathët e tij, është krejt real. Atmosfera brenda tijështë po aq reale. Edhe vuajtësit breda atij ferri, të gjitha janë qenie reale. Po ato pamje, ngjajnë aq të pabesueshme dhe krejt surrealiste. Dhe, këta vuajtësit e ferrit të librit të Emin Azemit,nuk janë mëkatarë. Ata janë viktima të pafajshme. Viktima të urrejtjes së verbër patologjike, viktima të çmendisë e të sëmundjes vrastare. Ato janë viktima të barbarisë. Dhe ato viktima janë të të gjitha moshave, të të gjitha gjendjeve sociale, fizike e psikologjike. Ata janë gra, burra, fëmijë, të moshuar, të sëmurë, të torturuar, të frikësuar, të keqtrajtuar, të kërcënuar, të dhunuar….Dhe të gjithë ata janë në këtë ferr për të vetmen arsye, se janë shqiptarë. Tek shfletojmë këtë libër, këta njerëz i ndeshim në çdo shkronjë të tij. E ndjejmë pëlcitjen shpirtërore përbrenda tyre, tek i përndjekin, i shkulin nga vatra, tek i nxjerrin nga shtëpitë e tyre, tek i përzënë drejt absurdit, drejt zhdukjes, tek i nxjerrin nga vetja e tyre. E ndjejmë frikën e tyre, vajin, lotin, gjëmën, rënkimin, lutjen, mallkimin…ndjemë rënkim e ofshamë të moshuarish, ndjejmë vaj e çirrje fëmijesh, kujë e gjëmë nënash…O Perendi, a vriten zogjtë, a përndiqen engjujt nga qielli i tyre…?! Dhe të gjithë këta njerëz, pa përjashtim, në atë botën e tyre të lënë pas vetes, kanë lënë edhe shpresat, dëshirat, ëndrrat, kanë lënë zemrat dhe shpirtin e tyre… Kanë lënë besimin se të gjallë a të vdekur, një ditë do të kthehen në Atdhe!
“Në Bllacë dita është më e gjatë se viti”. Të tillë e bëjnë, dhembja, vuajtja, frika, pasiguria, uria, sëmundja…trishtimi e tmerri. Aty gjithçka është bosh, e pa qenë. E vdekur. «Pika kufitare e Bllacës i ngjanë një qyteti të vdekur».
«Më thanë se ku dëshiroj të shkoj, …dërgomëni atje ku ka Zot, se këtu nuk paska»- thotë një refugjat në Bllacë.
Po çfarë i bëri këta njerëz që të mbijetojnë këtë ferr?Solidariteti me vëllezërit e tyre të gjakut, të atyre që ishin përtej këtij tmerri. Ata, vëllezërve të tyre ua shtrinë duart, ua mor;n dhembjen e ua dhanë zemrën. Kjo është ndjenja e vëllazërisë. Pastaj ishte edhe padurimi, malli e dëshira për t`u kthyer në vatrat e tyre. Përballja me këtë realitet ishte tronditëse, rrënqethëse. Atje tani vetëm qielli nuk ishte djegur e shkatërrua! Kishin ikur edhe zogjtë. Nuk kishte as kohë stinësh as dritë e rreze dite. Gjithçka ishte e errët, e zymtë. Trishtuese!
«Me të arritur në Kosovë, të dëbuarit nga thika e përgjakshme serbe, po i shpalosin plagët e reja. Para syve të tyre shpërvilej perdja e skenarit të kalvarit shqiptar. Sa ishim larg shtëpisë së djegur, kujtonim se, kur të kthehemi në Kosovë, do t`i takojmë ata që kishin mbetur atje. Në Kosovë sa më shumë kthehen të dëbuarit aq më shumë mungojnë njerëzit, që kemi shpresuar se do t`i gjejmë të gjallë, kur të kthehemi ».
Familjarët e të zhdukurve edhe sot, pas 20 vitesh, presin që të gjejnë një shenjë të djalit, të vajzës, të vëllait, të motrës, të nënës, të babait, gjithandej të të dashurve të tyre, që atyre t`u bëhet një shenjë varri dhe që familja të mund t`ua bëjnë zinë. Kjo nuk po ndodh as pas kaq vjetësh ngase fqinji ynë që na e shkaktoi gjithë këtë tragjedi, edhe më tej sillet me shpërfillje e indiferencë!
Autori, Emin Azemi, me përkushtimin që ka treguar nuk ka bërë vetëm një libër. Ai gjithë atë dramë njerëzore, gjithë atë tragjedi e dhembje të pafundme e ka thyer në kujtesë historike, në vetëdije kombëtare dhe në qortim të ndërgjegjes njerëzore. Për këtë libër kronikë dhembjeje është krejt e padrejtë të thuhet vetëm diçka e të mos thuhet e shumta sepse e tëra është gati e pamundur të thuhet.
Cyrih, 04. 05. 2019