Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 qershor – Të gjitha shtetet e rajonit, ngjashëm si Maqedonia, në vitet e kaluara kanë realizuar fushata të ndryshme për blerjen sa më të madhe të produkteve vendore. Bile, disa shtete evropiane, si Rumunia, prej muajit qershor të vitit të kaluar, kanë miratuar ligj që obligon dyqanet që të shesin së paku 51 për qind të prodhimeve lokale të mishit, pemë-perimeve dhe vezëve, shkruan gazeta KOHA. Masa ka të bëjë vetëm me shitoret me pakicë që kanë qarkullim më të madh se dy milionë euro në vit. Në Kosovë, gjithashtu, në vitet e kaluara u është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t`i blejnë dhe promovojnë produktet vendore, për shkak se kompanitë vendore prodhuese, nga viti në vit kanë shtuar linjat e prodhimit dhe kanë zgjeruar prezencën në treg, ndërsa edhe cilësia e prodhimeve vendore është rritur dukshëm.
Nga ana tjetër, edhe Ministria kroate e Bujqësisë, aktualisht realizon aksionet si “Mëngjesi nga fermat kroate”, me qëllim të promovimit të prodhimeve vendore.“ Prodhimet kroate janë më cilësore se ato vendore, por Qeveria kroate dhe Ministria e Bujqësisë nuk mund të ndalojnë shitjen e prodhimeve të huaja. Ajo që ne mund të bëjmë është të nxisim vetëdijen e qytetarëve tanë se pas blerjes së prodhimeve vendore qëndrojnë vendet e punës, gjallërimi i ekonomisë vendore si dhe mbështetja për bujqësinë në fshatrat tona”, thotë ministri kroat i Bujqësisë, Tomisllav Tolushiq.
Ekonomistët thonë se bizneset vendore mund të ndihmohen dukshëm me rritjen e konsumit të prodhimeve vendore në favor të mbështetjes së zhvillimit ekonomik të vendit. Gjithashtu, konsumi i prodhimeve vendor do të ndihmonte zbutjen e pasojave të krizës ekonomike, me të cilën ballafaqohen subjektet ekonomike në vend. Sipas ekonomistëve, marketingu është çdo herë i mirëseardhur për shitjen e prodhimeve vendore, por megjithatë nevojitet që edhe prodhuesit vendor të rrisin konkurrencën e tyre lidhur me çmimin dhe cilësinë. Gabriela Arsova, drejtore e kompanisë Agromaks nga Berova për përpunimin e pemë, perimeve vlerëson se konsumatorët në Maqedoni do të dinë të njohin prodhimet vendore, në rast se ato do të mund të gjenden në dyqanet në vendosura në vende më të dukshme. “Fushata blini prodhimet e Maqedonisë dhe reklamat tona vetanake janë të mjaftueshme që të njihen prodhimet vendore, megjithatë problem është se ato vështirë depërtojnë nëpër markete, kushtet për hyrje janë shumë të shtrenjta dhe të ndërlikuara, ndërsa pozicionimi në treg është edhe më i vështirë. Bile, edhe nëse arrini të hyni ndodh shpesh që distributorët nuk ka asnjë interes të depërtojnë dhe shpërndajnë prodhimet vendore. Më lehtë dhe më me leverdi e kanë të distribuojnë brendet e njohura dhe të shumta nga importi”, shton për KOHA, Arsova.
Sipas saj, konsumatorët vendorë, në radhë të parë kërkojnë prodhime më të lira përkundër vendit të origjinës. “Për fat të keq, kriteri themelor bile edhe kur bëhet fjalë për blerjen e prodhimeve në tregjet për të cilat nuk dihet se nga janë dhe as kush i prodhon. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mundet të jetë më i lirë prodhimi nga eksporti se sa ai vendor kur bëhet fjalë për prodhim të njëjtë apo të ngjashëm“, thekson Arsova. Sipas saj, me rëndësi është të besohet në prodhimin vendor, për shkak se duke blerë prodhimet vendore ndihmohet në zhvillimin e ekonomisë vendore, mundësohet ndërtimi i brendeve vendore dhe në të njëjtën kohë, ndikohet në mënyrë indirekte në përmirësimin e cilësisë dhe teknologjisë së prodhimtarisë dhe përpunimeve. Vlerësohet se sot në kohën e globalizimit ekonomik, të gjithë kompanitë nevojitet të jenë sa më konkurruese në treg me prodhimet e tyre. Ekonomistët janë pro prodhimeve vendore të prodhuesve vendore, por me kusht që edhe prodhuesit vendor të jenë sa më të kapshëm dhe më afër për konsumatorët në raportin e çmimit dhe cilësisë. Nga ana tjetër, ekspertët e bujqësisë thonë se fushata të tilla për blerjen e prodhimeve vendore, patjetër se kanë efekte pozitive, por shtojnë se nevojitet që edhe fabrikat vendore nevojitet të rrisin sasitë, cilësinë si dhe llojllojshmërinë e asortimentit.
Në favor të përdorimit më të madh të prodhimeve vendore, është edhe fakti se mjaft prodhime nga importi kanë një cilësi në BE, ndërsa tjetër në Evropën lindore. Kafe instant me më pak kofein, shkopinj të peshqve me përmbajtje më të vogël të peshqve, Nutella me më pak lajthia e kështu me radhë. Këto janë vetëm një pjesë e artikujve ushqimor që nuk shiten me të njëjtën cilësi në shtetet e Evropës lindore dhe perëndimore. Hulumtimet në Çeki kanë konstatuar se në 24 prodhime të testuar, bile 14 kanë qenë më pak cilësore dhe më të shtrenjta se në Gjermani. Ekspertët thonë se shitja e prodhimeve me cilësi të ndryshme, është praktikë e kompanive të mëdha, që edhe prodhimin e dedikojnë enkas për këtë treg, me shtrirjen e prodhimtarisë në Evropën lindore. Sipas njohësve të kësaj problematike, prodhuesit nuk kanë obligim që të shesin mall me të njëjtin kualitet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, por kryesorja është që të respektohen parimet themelore që garantojnë sigurinë e prodhimeve ushqimore si dhe tregojnë përmbajtjen e saktë të mallit. Për shembull, në Maqedoni, çdo prodhim që hyn në vend duhet të respektojë standardet që kërkohen sipas ligjeve të Maqedonisë, duke filluar nga Ligji për ushqim dhe veterinari për prodhimet ushqimore e kështu me radhë. Ndryshe, viteve të kaluara janë organizuara manifestime të ndryshme që të blihen prodhime vendore, me qëllim që të tërhiqen sa më shumë blerës që do të rrisin konsumin vendor, duke mbështetur zhvillimin ekonomik të shtetit. Sfidë në të ardhmen për prodhuesit vendor mbetet zgjerimi i asortimentit me prodhime të reja, që mund të jenë konkurruese në tregun vendor dhe të jashtëm me çmim dhe cilësi. Kompanitë nevojitet që më shumë të orientohen në krijimin e produkteve të reja, që do të dallohen nga konkurrenca dhe do të tërheqin vëmendjen e konsumatorëve me përdorimin më të madh të inovacioneve në prodhimtari. Gjithashtu nevojitet që gjatë reklamimit të prodhimit të ri domosdoshmërish të theksohen veçoritë dalluese të prodhimeve të reja që do rrisin shitjen e prodhimit me qëllim që konsumatorët në vend të zgjedhin prodhimin vendor në vend të atij të jashtëm.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara