Shkup, 21 korrik – Reagime të ashpra në rrjetet sociale, ka shkaktuar publikimi i fotografive ku fëmijë parashkollore shihen se si kryejnë rituale fetare islame në një çerdhe private në Shkup. Nga fotografitë e publikuara në faqen e çerdhes në rrjetin social “Fejsbuk”, shihen fëmijë të moshës nga 3 deri 5 vjeç. Çerdhja quhet “Bleta” dhe ndodhet në lagjen Gazi Babë të Shkupit. Përveç aspekteve tjera të aktiviteteve, në fotografitë dhe videot e çerdhes pasqyrohen sekuenca ku fëmijët kryejnë rituale fetare. Fëmijët shihen duke u falur vajza dhe djem së bashku, madje disa në praktika tjera të ritualit fetar, ndryshe nga seç jemi mësuar këtu tek ne. Madje, në njërën nga shumë videot e publikuara shihen fëmijët duke improvizuar ritualin e Haxhit pranë Qabes së ndërtuar nga kartoni. Në disa foto shihen edhe fëmijë me gishtin tregues të ngritur, ashtu siç jemi mësuar të shohim nëpër aktivitete të ISIS-it. Në një nga albumet vjetore me fotografitë e nxënësve, thuhet se është gjenerata e tretë e vitit shkollor dhe përskaj nxënësve shihen edhe dy edukatore, njëra prej të cilave e mbuluar me burka. Këto pamje kanë shkaktuar reagime të shumta, në të cilat shtrohet pyetjet: A është çerdhja e licencuar? A është nën kontrollin e institucioneve dhe a janë prindërit të njoftuar për aktivitete e fëmijëve në çerdhen “Bleta”?
MPPS: “Bleta” është çerdhe e palicencuar
Pas reagimeve të shumta, disa nga të cilat kanë arritur edhe në adresë të redaksisë, gazeta KOHA kërkoi edhe mendimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, nën ingjerenca të së cilës janë çerdhet publike dhe private në Maqedoni. Prej aty thonë se çerdhja “Bleta” nuk gjendet në regjistrin e tyre të çerdheve, ndërkaq sqarojnë se çdo çerdhe publike apo private, për të ushtruar veprimtarinë e saj, duhet të siguron leje nga MPPS. Përveç kësaj, edhe plan-programi i çerdhes duhet të miratohet nga ky dikaster. Në rastin konkret, në MPPS theksojnë së çerdhja Bleta as që ka të miratuar plan program nga ana e tyre.
“Në lagjen Gazi Babë, sipas adresarit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, nuk ekziston kopsht fëmijësh me emrin ‘Bleta’ apo në maqedonisht “Pçella”. Ndërsa sa i përket se me çfarë plan programi duhet të punojnë kopshtet, të gjitha janë të detyruar të punojnë sipas planit programit të unifikuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale”, thotë Vera Rsitovska nga Sektori për mbrojtje të fëmijëve në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Ajo thekson se çerdhet kanë të drejtë të punojnë edhe sipas plan programit të tyre, por i cili duhet të kalojë filtrat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Gazeta KOHA ka kërkuar edhe qëndrimin e drejtuesve të çerdhes “Bleta” për të marrë edhe mendimin e tyre rreth licencimit të çerdhes dhe reagimeve të shfaqura në opinion. Mirëpo, në numrin e telefonit nuk përgjigjet askush, ndërsa e kanë mbyllur edhe faqen e tyre në Fejsbuk, edhe pse gjatë ditës së enjte e njëjta ishte e hapur për publikun.
Sulejman Rexhepi: Nuk lejojmë të helmohen fëmijët
Bashkësia Fetare Islame e ka dënuar veprimtarinë e çerdhes “Bleta”. Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi thekson se këto kopshtet fetare në Maqedoni nuk janë të lejuara dhe se një veprim të tillë do ta luftojë në mënyrë institucionale. “Për këtë nuk kemi njohuri, gjithandej ku nuk kemi njohuri ne nuk jemi kundër çerdheve sepse çerdhe kemi këtu edhe në të kaluarën kemi pas sa kanë qenë të mjaftueshme. Por çerdhe në kuptimin të edukimit të fëmijëve në frymën islame pa ne atë punë nuk mund ta bëjë askush, dhe është mirë të mos i hyj kësaj pune. Ne nuk lejojmë që fëmijët tonë të nivelit të pavetëdijes që ndokush ti infekton sa është informim sa është edukim mund të jetë helmim. Unë ju garantoj këtë me gjithë organet e mia u kundërvihemi”, ka deklaruar Rexhepi… (Më gjerësisht do të mund të lexoni në numrin e nesërm të Gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara