Shkup, 21 korrik – Reagime të ashpra në rrjetet sociale, ka shkaktuar publikimi i fotografive ku fëmijë parashkollore shihen se si kryejnë rituale fetare islame në një çerdhe private në Shkup. Nga fotografitë e publikuara në faqen e çerdhes në rrjetin social “Fejsbuk”, shihen fëmijë të moshës nga 3 deri 5 vjeç. Çerdhja quhet “Bleta” dhe ndodhet në lagjen Gazi Babë të Shkupit. Përveç aspekteve tjera të aktiviteteve, në fotografitë dhe videot e çerdhes pasqyrohen sekuenca ku fëmijët kryejnë rituale fetare. Fëmijët shihen duke u falur vajza dhe djem së bashku, madje disa në praktika tjera të ritualit fetar, ndryshe nga seç jemi mësuar këtu tek ne. Madje, në njërën nga shumë videot e publikuara shihen fëmijët duke improvizuar ritualin e Haxhit pranë Qabes së ndërtuar nga kartoni. Në disa foto shihen edhe fëmijë me gishtin tregues të ngritur, ashtu siç jemi mësuar të shohim nëpër aktivitete të ISIS-it. Në një nga albumet vjetore me fotografitë e nxënësve, thuhet se është gjenerata e tretë e vitit shkollor dhe përskaj nxënësve shihen edhe dy edukatore, njëra prej të cilave e mbuluar me burka. Këto pamje kanë shkaktuar reagime të shumta, në të cilat shtrohet pyetjet: A është çerdhja e licencuar? A është nën kontrollin e institucioneve dhe a janë prindërit të njoftuar për aktivitete e fëmijëve në çerdhen “Bleta”?
MPPS: “Bleta” është çerdhe e palicencuar
Pas reagimeve të shumta, disa nga të cilat kanë arritur edhe në adresë të redaksisë, gazeta KOHA kërkoi edhe mendimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, nën ingjerenca të së cilës janë çerdhet publike dhe private në Maqedoni. Prej aty thonë se çerdhja “Bleta” nuk gjendet në regjistrin e tyre të çerdheve, ndërkaq sqarojnë se çdo çerdhe publike apo private, për të ushtruar veprimtarinë e saj, duhet të siguron leje nga MPPS. Përveç kësaj, edhe planprogrami i çerdhes duhet të miratohet nga ky dikaster. Në rastin konkret, në MPPS theksojnë së çerdhja Bleta as që ka të miratuar plan program nga ana e tyre. “Në lagjen Gazi Babë, sipas adresarit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, nuk ekziston kopsht fëmijësh me emrin ‘Bleta’ apo në maqedonisht “Pçella”. Ndërsa sa i përket se me çfarë plan programi duhet të punojnë kopshtet, të gjitha janë të detyruar të punojnë sipas planit programit të unifikuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale”, thotë Vera Rsitovska nga Sektori për mbrojtje të fëmijëve në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Ajo thekson se çerdhet kanë të drejtë të punojnë edhe sipas plan programit të tyre, por i cili duhet të kalojë filtrat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Gazeta KOHA ka kërkuar edhe qëndrimin e drejtuesve të çerdhes “Bleta” për të marrë edhe mendimin e tyre rreth licencimit të çerdhes dhe reagimeve të shfaqura në opinion. Mirëpo, në numrin e telefonit nuk përgjigjet askush, ndërsa e kanë mbyllur edhe faqen e tyre në Fejsbuk, edhe pse gjatë ditës së enjte e njëjta ishte e hapur për publikun.
Rasti “Bleta” nxjerr në sipërfaqe ndasitë
Në rrjetet sociale dhe portale, pas publikimit të fotografive dhe videove nga aktivitete e çerdhes “Bleta”, vazhdojnë reagimet pro dhe kontra. Madje, debati nga çështja nëse është çerdhja e licencuar dhe çfarë predikohet aty, ka degjeneruar në akuza se kush është mysliman e kush është islamofob. Publicisti Xhelal Neziri shkruan se rasti i çerdhes nxjerr në sipërfaqe se sa i thellë është bërë hendekun brenda shoqërisë shqiptare në Maqedoni si dhe përdorimin e besimit si ideologji. “Rasti ‘Bleta’ tregon se sa i thellë është bërë hendeku midis atyre që fenë e shohin vetëm në rrafshin individual dhe atyre që e përdorin si ideologji. Midis atyre që religjionin dëshirojnë ta mbajnë brenda tempujve fetarë dhe atyre që tentojnë ta instalojnë në institucione, shkolla, politikë dhe në sferën publike në përgjithësi. Midis atyre që parapëlqejnë vlerat e Perëndimit dhe atyre që përqafojnë Lindjen. Ky hendek do të vazhdojë të thellohet përderisa nuk ka sinqeritet te kategoria e dytë, të cilët kundërshtojnë laicizmin Perëndimor por publikisht nuk e ofrojnë Lindjen si alternativë të orientimit strategjik. Kemi të bëjmë me një ‘ketmanizëm’, ku formalisht pranohet një sistem vlerash, por realisht zbatohet një tjetër. Kjo krijon frustrime që prodhojnë sharje dhe ofendime, në vend të debatit të mirëfilltë se çfarë ofron Perëndimi e çfarë Lindja, cilat vlera duhet t’i synojmë dhe pse etj. Çdo kritikë kuptohet si dekonspirim apo etiketohet si islamofobi”, shkruan publicisti Neziri. Duke shkruar rreth rastit të “Bletës”, artistja dhe gazetarja Anita Latifi ka apeluar për debat pa kërcënime dhe fyerje. “…Nëpër mure Facebooku (më pak) e në Inboxe (jashtëzakonisht më shumë) po qarkullojnë foto e video të një kopshti për fëmijë që është vendosur në Komunën e Çairit. Si gjithmonë dy taborre: në njërën anë ata që e quajnë veten ‘mysliman të devotshëm’ dhe në anën tjetër të gjithë që nuk bëjnë pjesë në grupin e parë dhe që nga këta të parët quhen ‘islamofob’. Shpresoj që debati mbi ‘Bletën’ të ketë rezultate të mirëfillta në të mirë të përgjithshme të shoqërisë. Shpresoj të mos përfundojë me disa ofendime të nivelit të ulët dhe me kërcënime (madje edhe për jetë) – si që na është bërë zakon. Secili le t’i qaset debatit me argumentet e veta”, shkruan aktivistja Anita Latifi. Ndërkaq, shkrimtari Bardhyl Zaimi shkon përtej, duke theksuar se beteja e ardhshme e shqiptareve duhet të jetë e dimensionit kulturor. “Identiteti shqiptar do të vazhdojë të atakohet nga degjenerime të shumta të cilat vijnë si pasojë e instrumentalizimeve të shumta. Kultura shqiptare ka një matricë të kodifikuar identitare dhe civilizuese rezistente ndaj atavizmave shkatërrues. Jo rastësisht të gjitha sulmet bëhen pikërisht te ky kod, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijojnë individ të manipulueshem. Ta afirmojmë me sa më shumë qytetari, identitetin tonë të kristalizuar përgjatë rrugës së historisë…”, shkruan shkrimtari Bardhyl Zaimi. Ndërkaq, më i ashpër në reagimin e tij është gazetari nga Shkupi, Ilir Ajdini. “Ka ndonjë bir nane prej faktorëve shqiptarë në Maqedoni, në Qeveri, në Ministri të Arsimit, ndonjë parti, organizatë qytetare… që të shohë kush janë këta injorantë, kush i lejon dhe kush ua mundëson që t’i keqpërdorin fëmijët, t’ua shpëlajnë trurin në moshë 4-5 vjeçare?”, shkruan në profilin e tij në Fejsbuk, gazetari Ilir Ajdini .
Sulejman Rexhepi: Nuk lejojmë të helmohen fëmijët
Bashkësia Fetare Islame e ka dënuar veprimtarinë e çerdhes “Bleta”. Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi thekson se këto kopshtet fetare në Maqedoni nuk janë të lejuara dhe se një veprim të tillë do ta luftojë në mënyrë institucionale. “Për këtë nuk kemi njohuri, gjithandej ku nuk kemi njohuri ne nuk jemi kundër çerdheve sepse çerdhe kemi këtu edhe në të kaluarën kemi pas sa kanë qenë të mjaftueshme. Por çerdhe në kuptimin të edukimit të fëmijëve në frymën islame pa ne atë punë nuk mund ta bëjë askush, dhe është mirë të mos i hyj kësaj pune. Ne nuk lejojmë që fëmijët tonë të nivelit të pavetëdijes që ndokush ti infekton sa është informim sa është edukim mund të jetë helmim. Unë ju garantoj këtë me gjithë organet e mia u kundërvihemi”, ka deklaruar Rexhepi
Enver Robelli: Bleta helm për Shkupin
Publicisti dhe gazetari nga Kosova, Enver Robelli, lidhur me rastin e çerdhes “Bleta” ka reaguar përmes një shkrimi autorial në portalin dialogplus. ch, duke kritikuar ashpër institucionet, partitë politike shqiptare në Maqedoni, por edhe prindërit. Ai mes tjerash shkruan se pamjet e edukatoreve dhe keqpërdorimi prej tyre i fëmijëve për “eksperimente” fetare janë një shenjë alarmante mbi depërtimin e ekstremizmit islamik në jetën e përditshme të shqiptarëve. “Duhet thënë hapur: kjo qasje e edukatoreve nuk ka të bëjë asgjë me islamin, por me trushpëlarje, me indoktrinim, me dhunim të fëmijëve, të cilët nuk janë në gjendje të vendosin vetë se kujt duan t’i besojnë dhe nëse fare duan të besojnë. Turp për prindërit që kaq egërsisht helmojnë shpirtrat e fëmijëve të tyre. Këso kopshtesh për fëmijë nuk kanë asnjë mision edukues, por synojnë shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe trajtimin e tyre si pjesëtarë të ymetit mbarëbotëror mysliman”, shkruan gazetari Robelli. Ai më tej shton se nesër fëmijët e “edukuar” në këtë mënyrë makabre si në kopshtin “Bleta” në Shkup do ta kenë më lehtë ta shohin veten më të afërt me ndonjë si të Jemenit se sa me një vëlla katolik nga Shkodra e Prizreni, apo ndonjë ortodoks nga Korça apo një bektashinj nga Tepelena. “Përballë pamjeve makabre nga kopshti ‘Bleta’ imponohet pyetja urgjente se si është e mundur të hapet një institucion i tillë parashkollor. A është e mundur që radikalët islamikë në qytetet me banorë shqiptarë në Ballkan të ndihen aq të sigurt, aq të fuqishëm, saqë të ndërtojnë sistem paralel të ‘edukimit’ të fëmijëve? Si është e mundur që ky kopsht të funksionojë pa leje të autoriteteve përgjegjëse? A ka edhe kopshte të tjera të kësaj natyre? Nuk mund të pranohet gjithçka në emër të lirisë së besimit. Nuk mund të lejojmë si shoqëri që gratë e pandershme dhe të maskuara me nikab të merren me manipulimin e fëmijëve. Shumë pyetje të tjera duhet të shtrohen tani. Cili është qëndrimi i Bashkësisë Islame të Maqedonisë në lidhje me kopshtet e fëmijëve të llojit të “Bletës”? Cili është qëndrimi i politikanëve shqiptarë në Shkup, Tetovë e Strugë? A kanë gjë për të thënë intelektualët, edhe ata që besojnë në zot, por e ndiejnë veten (ende) pjesëtar të kombit shqiptar? A duhet të heshtin politikanët në Tiranë dhe Prishtinë përballë fenomeneve të tilla të neveritshme të keqpërdorimit të fesë për qëllime politike të organizatave ekstremiste të botës arabe, me të cilat shqiptarët nuk i lidhë asgjë? A ka kopshte si “Bleta” edhe në Shqipëri dhe Kosovë? Në Kosovë prej vitesh funksionojnë disa “konvikte” të nancuara nga organizata joqeveritare të cilat dyshohet se alimentohen nga burime të dyshimta nga Gjiri Persik. Nuk është e çuditshme që kopshte të tilla nuk pengohen nga qeveria e dominuar nga sllavët në Maqedoni. Sa më shumë kopshte të tilla, aq më lehtë mund t’u mohohen të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Sa më shumë çerdhe të tilla, aq më lehtë shqiptarët mund të stigmatizohen si radikalë islamikë – sidomos në biseda me diplomatë perëndimorë. Sa më shumë çerdhe të tilla, aq më i lehtë do të jetë veçimi kulturor i shqiptarëve si shoqëri që nuk synon dijen, por sjelljen vërdallë rreth Qabesë të fëmijëve parashkollorë, të cilët, po e përsërisim, në këtë moshë nuk janë fare në gjendje të marrin asnjë vendim vetë, andaj për këtë arsye, mes tjerash, bartin edhe pampersë. Pas zbulimit të këtij skandali në Shkup, është koha e fundit të ndërhyjnë ministria e Arsimit e Maqedonisë dhe të asin krerët e të gjitha partive politike shqiptare. Sa më shumë që të koketojnë këto parti me islamin politik të sponsorizuar nga disa vende të agjendë terroriste nga Gjiri Persik apo nga shtete të tjera, aq më agresivë do të jenë militantët fetarë. Askush në botën shqiptare nuk ia mohon të drejtën e besimit asnjë komuniteti fetar, por çdo gjë e ka një ku. Dhe kur është aty kur fëmijët e pafajshëm bëhen pjesë e planeve të errëta për deformim kombëtar, kulturor, shpirtëror dhe mendor”, shkruan mes tjerash gazetari Enver Robelli. Përndryshe, sipas informacioneve tona, prej shumë kohësh, çerdhe pothuaj e njëjtë funksion edhe në afërsi të Parkut të Çairit. Pavarësisht konstatimeve e deklaratave të ndryshme në forma të shkruara, është koha e fundit që të ndërmerret diçka konkrete për t’i penguar të gjitha dukuritë që pengojnë zhvillimin e lirë sidomos të fëmijëve, ndërkaq në këtë drejtim, kontribut duhet të japin të gjitha institucionet relevante, përfshi edhe partitë politike shqiptare (në pozitë e opozitë), BFI-në, shoqatat e ndryshme shqiptare, me të vetmin qëllim-fëmijët shqiptarë të edukohen në frymë të shëndoshë, por pa e nëpërkëmbur edhe fenë. (R.K)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.