Mbogo ka bërë një implantim në veshin e djathtë dhe kjo i mundëson të dëgjojë tinguj të zbehtë. Ai beson se mund të kapë deri 70 për qind të tingujve duke mbajtur implantin koklear, por ai prapë duhet të lexojë buzët për të kuptuar se çfarë po thonë njerëzit. Pa implantin, ai dëgjon vetëm 30 për qind të tingujve, si shembull tingujt e muzikës, por jo fjalët
Basketbollisti i Rockvillet, Blessed Mbogo, kalon në një skenë, shkëputet nga mbrojtësi i tij dhe realizon një tresh, ndërsa topi hyn aq pastër, saqë vetëm dëgjohet zhurma e rrjetës. Ndërsa Mbogo kthehet prapa në mbrojtje, spikeri i Rockvillet thërret emrin e tij. Nxitëset e tifozëve ndezin atmosferën dhe tifozët e Rockvillet thërrasin në kor emrin e tij, transmeton Koha Ditore shkrimin e Washington Post.
Por Mbogo, 195 centimetra i gjatë dhe një nga lojtarët më të mirë të Rockvillet, nuk dëgjon asnjë nga këto. Ai është i shurdhër. “Ndiej sikur po përfaqësoj komunitetin e të shurdhërve. Duhet t’u tregoj atyre se mund t’ia dalin po ashtu”, ka thënë Mbogo në një intervistë, duke iu përgjigjur pyetjeve pasi lexon në notesin e gazetarit. Që nga lindja Mbogo ka qenë i shurdhër, e babai i tij Frederick thotë se mjekët ende nuk e kanë gjetur arsyen pse ka ndodhur kjo.
I lindur në Uganda, Mbogo ka mësuar gjuhën Bantu dhe ka kaluar fëmijërinë e hershme duke lexuar buzët e të tjerëve. Kur Mbogo mbushi 6 vjet, familja e tij imigroi në SHBA. Pos mësimit të anglishtes, Mbogo mësoi edhe gjuhën amerikane të shenjave. “Ndërrimi i gjuhës, vështirësitë në dëgjim dhe ndryshimi i papritur i ambientit, të gjitha këto ishin sfida”, ka thënë Frederick Mbogo. Mbogo u regjistrua në programin Shurdhër apo Vështirësi me Dëgjim (DHOH) në Montgomery County. Shumica e zonave në Washington kanë programe DHOH, mirëpo vetëm pak nga nxënësit e prekur marrin pjesë në aktivitete sportive.
Mbogo ka bërë një implantim në veshin e djathtë dhe kjo i mundëson të dëgjojë tinguj të zbehtë. Ai beson se mund të kapë deri 70 për qind të tingujve duke mbajtur implantin koklear, por ai prapë duhet të lexojë buzët për të kuptuar se çfarë po thonë njerëzit. Pa implantin, ai dëgjon vetëm 30 për qind të tingujve, si shembull tingujt e muzikës, por jo fjalët. Kur luan basketboll, Mbogo nuk e mban implantin, pasi është i shqetësuar mos po i bie. Kështu që derisa bashkëlojtarët e tij po bëjnë shaka në zhveshtore para ndeshjes ndaj Poolesvillet të premten, Mbogo qëndron në heshtje dhe bën zgjatje. Ai më pas dëshiron të dëgjojë se çfarë po bëhet dhe e pyet një nga bashkëlojtarët se për çfarë po diskutohet.
Mbogo shpesh humb talljet dhe është lojtari i vetëm që nuk e shikon trajnerin Todd Dembroski, kur ai mban fjalim. Mbogo shikon tabelën prapa Dembroskit, ku një përkthyes në gjuhën e shenjave i shpjegon atij se çfarë po thotë Dembroski. Rreth gjysmë ore më vonë në palestrën në Rockville, lojtarët bëhen gati për t’u futur në parket dhe ngrihen nga bankinat pasi u thirret emri nga spikeri i arenës. Për të ditur se është radha e tij për t’u ngritur dhe futur në parket mes nxitëseve të tifozëve të shkollës, Mbogo shikon në të majtën e tij dhe sheh bashkëlojtarin Jailen Anderson duke ngritur dorën e tij…