BLERINA ZGJANA: Pa muzikën nuk jetoj dot (FOTO)

32

“Kolazh me këngë tabani” është kolazhi që rikthen këngëtaren Blerina Zgjana në tregun muzikor pas një mungese të gjatë. Ajo është shumë e lidhur me muzikën e popullit, atë të shkruarën nga vetë ai dhe këngë që këndohen e kërcehen. Blerina e kërkuar dhe e pëlqyer në vendet europiane, ndërsa tregon se jeta e saj pa muzikë do ishte e pamundur

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Kënga jote më e re, vjen pas një kohe mungese, pse kjo periudhë larg klipeve, ekraneve muzikore?

Jam shkëputur për një kohë të gjatë sepse iu përkushtova familjes, obligimet e detyrueshme ndaj familjes. Të sjellësh një këngë te re dhe me nivel nuk është aq e thjeshtë. Duhen shumë komponentë dhe ndërthurje elementesh që të sjellësh një këngë dhe një klip të hairit. Të paktën kështu si e mendoj unë.

KOHA: Ku qëndron e veçanta e kësaj kënge? Më trego pak më shumë për të…

Ky është një kolazh me këngë tabani jugu dhe janë mbledhur e kënduar me shumë dashuri. E veçanta e kësaj kënge ose e këngëve të mia qëndron të zgjedhjen e këngëve të tabanit të trevës time, nuk këndoj asnjëherë këngë të kopjuara dhe gjithmonë përdor tekstet e popullit. Dua të nxjerr në pah këngët e vjetra, për shembull të një krahine të caktuar. Është për të ardhur keq që këto këngë po harrohen dhe artistët që i sjellin janë të pakët.

KOHA: Do ta kishe të lehtë t’i përshtateshe çdo rryme muzikore apo ke edhe ti preferencat e tua?

Është e vërtetë që unë i përshtatem çdo rryme muzikore edhe operës madje, sepse unë kam mbaruar për Operistikë, kam qenë një nga baritonet e treta në Shqipëri, në vitet kur bëra shkollën dhe jam cilësuar si zë karakteristik bariton. Kam dhe unë preferencat e mia por nuk i ndahem popullores, tabanin e dashuroj. Këngët e shekullit më pëlqejnë shumë, shumë shpejt do sjell edhe një album me këngët më të mira të cilësuara ndër vite, kovera sigurisht dhe paksa të moderuar. Ndoshta nuk do t’i përshtatesha repit dhe rock-ut.

KOHA: Kush ka qenë mbështetja jote kryesore në muzikë?

Mbështetja ka qenë nëna ime, më jep vullnet. Edhe në xhirimet klipit të ri më bëri gati fustanet, kur kam ndonjë event apo gëzim familjar kujdeset që të dal sa më mirë në imazh. Më besoni më shumë gëzohet ajo se unë.(Buzëqesh) Ajo është krahu im i djathtë.

KOHA: Cilat e promovojnë si duhet këngën e një këngëtari, klipet apo koncertet?

Nuk diskutohet që këngëtarin e promovojnë më shumë këngët, por edhe klipet edhe dalja e shpeshtë, mosdalja edhe nga vetja shumë.

KOHA: Kur realizon një këngë, ke ndonjë ide paraprake se si mund të pritet ajo nga audienca?

Nëse audienca është mësuar me zërin tënd, them se zakonisht pritet mirë. NË vendet ku kam kënduar jashtë shtetit, Kosovë, Maqedoni, Zvicër mezi e presin një këngë të re dhe kjo më bën të ndihem mirë. Nëse audienca më duartroket dhe më pëlqen kjo është arritja ime. Kritika ka dhe mosdashamirës kemi por nuk më prishin ekuilibrat, sepse kemi shumë dashamirës në

KOHA: I dëgjon materialet që sjellin koleget e tua herë pas here?

Sigurisht që i dëgjoj këngët e reja që sjellin kolegët e mi dhe nëse sjellin këngë të bukura, më bëhet qejfi për ta dhe i respektoj akoma më shumë kur zgjedhin tabanin, është pika ime e dobët.

KOHA: Sa ndihet konkurrenca mes njëra-tjetrës?

Nuk mendoj se kam konkurrence, nuk e pëlqej fjalën konkurrencë. Nuk konkurroj me asnjeri, thjesht tregoj atë që di të bëj unë dhe kaq!

KOHA: Me kaq kohë sa ke në këtë fushë, cilët janë sipas teje parametrat e suksesit?

Nëse duartrokitet, kërkohet, pëlqehet, nëse këngët e tua i këndon publiku bashkë me ty, për mua është maksimumi i arritjes së parametrave të suksesit.

KOHA: Është e nevojshme apo e domosdoshme të bësh kompromise në këtë fushë?

Në shumicën e rasteve nuk kam bërë kompromis, por ndonjëherë e kam ndjerë që edhe duhet ta bëj atë kompromis. Edhe është edhe s’është e nevojshme por duhet përshtatur me situatat dhe jetën.

KOHA: Veç këngëve të shoqëruara me klipe, cilat janë aktivitetet e tua të tjera?

Jam shumë e angazhuar me evente të ndryshme, gëzime familjare, por edhe si e ftuar në vende të Europës. Nuk po gjej pak kohë për veten dhe kur gjej më shumë se 10 ditë nuk diskutohet.

KOHA: Njerëzit që ndikojnë për mirë te ti dhe që do të doje t’i kishe sa më gjatë pranë…

As nuk gënjej dhe as lajka nuk bëj, më mbështesin dhe më motivojnë shumë mamaja dhe dy fëmijët e mi. Edhe shoqëria më motivon, sepse kam rreth shoqëror shumë të mirë. Do doja t’i kisha gjithmonë kështu si sot pranë.

KOHA: Cila do të jetë risia e radhës nga ti, sepse nuk besoj se do mungosh më apo jo?

Nuk do kem më mungesa kaq të gjata, dhe vitin tjetër do sjell dy klipe me këngë të reja, jo tekst nga populli. Kam një këngë që do t’ia kushtoj komunitetit rom dhe e kam të mbyllur si projekt, sepse kam mbështetjen e presidentit të shoqatës rome, Arben Kosturin për klipin.

KOHA: Zakonisht, ecën me plane apo nuk bën plane që mos të të rrëzohen pastaj?

Zakonisht nuk eci me plane, shkoj hedh zërin dhe bëj këngën. Kam plot këngë të regjistruara që presin klipet, por që nuk jam bërë mbarë për t’i realizuar. Gjithsesi, nuk eci me plane se nuk dalin.(Buzëqesh)

KOHA: Në fund, për ta mbyllur?

Pa muzikën nuk jetoj dot, pa kënduar nuk jetoj dot. Jeta ime pa muzikë do ishte e pamundur. Kam një këshillë për artistët e rinj: Duhet të kthejnë sytë pak më shumë nga tabani, duhet të bëjnë këngë për t’u shijuar, jo për komercialitet dhe konkurrencë.

Comments are closed.