Blerina Matraku njihet për zërin e saj të veçantë, për baladat por edhe për fuqinë e këngëve ritmike. Sapo ka sjellë një këngë me titull “Më duj” të cilën ajo e ka prezantuar në Maratonën e Këngës Qytetare dhe me pjesë nga kjo maratonë ajo ka realizuar edhe klipin e këngës. Para kësaj kënge ajo ka sjellë një bashkëpunim me një reper të ri shqiptar, KMC, një këngë me një klip shumë të bukur me titull “Na na na” që pati një pritje të ngrohtë në publik. Blerina na tregon pak nga fillimet e saj, për këngën e fundit dhe për veten të gjitha këto për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Blerina, sapo të kemi parë me këngën tënde më të re, “Më duj”… Si erdhi kjo këngë?
Ideja e kësaj kënge nuk ishte e rastësishme. U bë posaçërisht për ta prezantuar në Maratonën e Këngës Popullore Qytetare e cila u zhvillua gjatë muajve të verës si një turne nëpër Shqipëri. Këtë këngë e kam realizuar edhe si klip nga po ky event muzikor të cilin e kam publikuar edhe në kanalin tim në Youtube ku edhe mund ta shihni dhe dëgjoni.
KOHA: Ndërkohë që edhe klipi që solle në bashkëpunim me reper të ri si KMC, ishte goxha e pëlqyer apo jo, me titull “Na, na, na”?
Po, ishte një realizim i këndshëm, një bashkëpunim me një artist të ri i cili sigurisht ka dell muzike dhe ka nevojë për një dorë ashtu siç të gjithë kemi pasur në fillimet tona. Këngë ritmike verore, ku iu shtuan edhe ngjyrat e klipit dhe pëlqimi i publikut.
KOHA: Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë?
Në koncertet live që kam pasur, komentet kanë qenë në lidhje me vokalin, madje mbaj mend në një koncert që më identifikuan si vajza me zërin e bukur. Mua, realisht, më pëlqeu, më bëri përshtypje.
KOHA: Çfarë i the vetes në atë moment?
Realisht, më erdhi ta përshëndesja me një këngë! (Buzëqesh)
KOHA: Si lindi te ti pasioni për këngën dhe, në ç’moshë ke kënduar për herë të parë?
Kam përshtypjen se pasioni për këngën ka lindur me mua, por unë e kam kuptuar në momentin që jam bërë e vetëdijshme për ekzistencën time. Për herë të parë kam kënduar në moshën 7 vjeçare, në Pallatin e Kulturës në rrethin ku jetoja, në Krujë. Më pas, në Shtëpinë e Pionierëve këndoja gjëra të vogla. Nuk kisha mundësi të merrja pjesë në koncertet e fëmijëve sepse prindërit donin të bëja gjëra më konkrete sesa kënga. E para skenë që preka në vazhdimësi ishte ajo e Teatrit “Skampa”, në Elbasan, kur isha 18 vjeçe, me këngë të huaja. 19 vjeçe bëra një këngë timen, “Ndalet zemra”, e cila nuk arriti të hynte në Festivalin e RTSH-së. Më pas kam marrë pjesë në Top Festin e parë me një këngë modeste, por ajo çfarë më ngeli peng ishte mospjesëmarrja ime në “Ethet e së premtes”; një hap më ndau nga ajo derë. Më pas kam qenë pjesëmarrëse në “Kënga magjike” për shumë edicione me radhë dhe Maratona ka qenë një prioritet të cilin unë e vlerësoj shumë.
KOHA: Përveç këngës, ka ndonjë angazhim tjetër Blerina?
Jam frankofone, sepse kam mbaruar për frëngjisht dhe përkthej nga kjo gjuhë dhe në këtë gjuhë. Këto më marrin një pjesë të konsiderueshme të kohës..!
KOHA: Cila është nota që do t’i vije vetes për të gjitha këto që ke arritur deri tani?
Kam qenë tek 6-7 tani jam tek 8 besoj, sepse jam gjithmonë me mendimin se e mira s’ka fund dhe kam shumë për të bërë për të kapur të paktën 9 apo 10-n.
KOHA: Si mund ta përkufizosh veten?
Do ta përkufizoja kështu: autokritikë, disiplinë, këmbëngulje dhe së fundmi, dëshirë për të ndryshuar, për të qenë pak më tolerante me veten.
KOHA: Muzika krijon edhe rivalitet… Ti, kë ke rivale?
Ndoshta duket e çuditshme, por jam rivale me veten…
KOHA: Çfarë vlerëson më shumë në një miqësi?
Konfidencalitetin, respektin dhe besimin.
KOHA: Po në dashuri?
Të respektosh hapësirat e tjetrit, kujdesi dhe falja.
KOHA: Të mbetemi tek aspekti sentimental. Ka ndonjë mashkull në jetën tënde?
Jo…
KOHA: Është zgjedhja jote apo s’e ke gjetur ende njeriun e duhur?
Normalisht, kjo e dyta…
KOHA: Cilat do të jenë synimet e tua në vazhdim?
Të bëj një universitet të dytë. Qëllimi im kryesor është të përmirësohem dhe perfeksionohem si njeri. Është detyra e çdokujt për të jetuar në harmoni me të tjerët që çdo gjë të shkojë drejt unifikimit. Kam një projekt që besoj se do të jetë shumë i afërt, pasi pas kësaj radhe, dua të bëj një bashkëpunim surprizë. Dua të bëj një këngë të thjeshtë e të bukur që ta këndojë i madh e i vogël.