BLERINA MATRAKU: Jam e lumtur që “Unaza” gjeti kaq shumë njerëz që e duan (FOTO)

Sapo ka sjell një këngë të shoqëruar me klip me një titull po aq interesant sa edhe vetë klipi “Unaza”. Ajo unaza e bekuar që të gjitha femrat presin nga dashuria e jetës për ta marrë një ditë, Blerina Matraku e ka sjellë në këtë këngë dhe klip të skalitur aq bukur sa do këndoeht e do qëndrojë në piedestal për shumë kohë derisa këto i rrëfen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Blerina, sapo ke realizuar një këngë të re, me titull “Unaza”, si u prit kjo këngë? Është nga to këngë që të mbetet në mendje besoj? 

Fabula e këngës i përshtatet çdo njeriu që ka shumë dëshirë që dashuria e zemrës t’i dhurojë atë të bekuar unazë. Jam e lumtur që “Unaza” gjeti kaq shumë njerëz që e duan.

KOHA: Ishte i lehtë realizimi i tij, e kujt ishte ideja?

Ka qenë ideja ime e realizimit të klipit, sigurisht me prekjen e profesionistëve, por që për të pathënat e këtij klipi, dua të flas pak më gjatë në një tjetër intervistë sepse kam shumë për të treguar.

KOHA: “Unaza” është një baladë mjaft e ndjerë, një produksion nga Irkenc Hyka. Çfarë të bën të rikthehesh te ky kompozitor?

Për këtë këngë është punuar për një kohë të gjatë. Me Irkencin kam bashkëpunuar dhe më parë dhe jemi edhe miq të vjetër, njihemi edhe familjarisht por më shumë për faktin që ai është shumë i talentuar dhe nuk i rezistova dot këngës, sapo e dëgjova.

KOHA: Ndërkohë që je e angazhuar tek “Maratona” një turne me këngëtarë të njohur nëpër Shqipëri, me muzikë shqip, si po shkon ky turne?

Një mrekulli, kemi shkuar në shumë qytete, kemi kaluar më shumë se gjysmën e turneut të “Maratonës” nëpër qytete dhe jam shumë e lumtur për pritjen që na kanë bërë. Shqiptarët e duan këngën, duan muzikën dhe duan artin. Faleminderit që na duartrokisni.

KOHA: Gjithashtu je e angazhuar edhe në organizime ku këndohet live, evente, mbrëmje. Çfarë kërkon nga Blerina publiku para të cilit këndon sa herë që je ftuar diku?

Unë, thjesht këndoj me gjithë zemër. Unë e di që publiku këtë do, të këndoj me shpirt, me dashuri, të këndoj vërtet, të humbas në këngë, të vallëzoj me këngën.

KOHA: Me çfarë do të doje ta sfidoje veten artistikisht e profesionalisht?

Me baletin, e kam pasion të hershëm.

KOHA: Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?

Akoma jo dhe nuk besoj se do të mërzitem ndonjëherë.

KOHA: Më tepër nxitohesh apo je neglizhente?

Më ndodh të nxitohem apo të neglizhoj, por vetëm për shkak të ngarkesave. Nuk e kam në natyrë të ngelizhoj gjërat apo punët e mia.

KOHA: Është më mirë të dyshosh apo të besosh?

Asnjëra nga të dyja. Gjithsesi, njeriu duhet të besojë diku, përndryshe nuk mund të jetojë. Nuk ka se si të jetojë pa besim.

KOHA: Çfarë e bën një njeri të mirë? Po të keq?

Një njeri e bën të mirë sjellja dhe e bën të keq, gjithashtu, sjellja. Sjellja ka dy anë; pozitiven edhe negativen. Secili e përdor atë sipas mënyrës së tij, varet si do të duket te të tjerët.

KOHA: A e konsideron veten të suksesshme?

Përderisa ka më të suksesshëm, do të thoja, relativisht e suksesshme.

KOHA: Thonë se trishtimi është veti e shpirtrave fisnikë…

Po, një shpirt fisnik vuan; pa vuajtje, nuk ka përparim.

KOHA: Cili është zakoni yt më i mirë?

Nuk i shaj të tjerët…(Qesh)

KOHA: Po më i keqi?

Luaj me flokët…(Qesh)

KOHA: Dëgjon më shumë zemrën apo arsyen?

Zakonisht, më pëlqen të ndjek arsyen, por unë kam dhe një këngë dedikuar kësaj dileme me titull “Zemra ime s’më dëgjoi”, ku arsyeja dhe zemra janë një.

KOHA: Ke patur shpesh problem zemre?

Po, sigurisht, si të gjithë. (Qesh)

KOHA: Dhe si i ke kapërcyer?

Kam lënë kohën të veprojë dhe e ka bërë.

KOHA: E ardhmja është rezultat i përpjekjeve apo i një goditjeje të fatit?

Të dyja bashkë, por më shumë, rezultat i përpjekjeve, do të thoja.

KOHA: Çfarë të karakterizon në marrëdhënie me të tjerët?

Mirëkuptimi, kujdesi dhe mbi të gjitha respekti!

KOHA: Mendon se je në rrugë të mbarë për të arritur ato që ke skalitur në mendjen tënde?

Asnjëherë nuk i dihet në jetë. Për mua, çdo gjë është relative, por mund të them që përpiqem.

KOHA: Si e imagjinon veten pas disa vitesh?

Më të bukur dhe në harmoni me jetën.

KOHA: Cilat do të jenë synimet e tua në vazhdim?

Qëllimi im kryesor është të përmirësohem dhe perfeksionohem si njeri. Është detyra e çdokujt për të jetuar në harmoni me të tjerët që çdo gjë të shkojë drejt gjetjes së harmonisë së vetes gjithashtu!