Blerina Mahmutaj ka lindur më 23 shtator të vitit 1991. Ajo jeton në Moske të Rusisë ku studion për gazetari dhe njëkohësisht punon në po atë universitet që studion në shtetin rus. Ajo vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon mbi eksperiencën e saj
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Blerina, ti u bëre e njohur për publikun shqiptar në Botërorin “Rusi 2018” si gazetare e raportimit live në emisionin e Roland Qafokut. Të fillojmë pak nga fillimi, si shkoi Blerina Mahmutaj në Moskë dhe pse zgjodhe gazetarinë?
Përpara se të flasë për veten, dua të falenderoj Landin për mundësinë dhe vlerësimin e jashtëzakonshëm në të cilën me këmbëngulje kërkonte që unë të isha pjesë e cdo transmetimi live në botërorin “Rusi 2018”, ku pati një suksese relativisht të lartë. Motra ime ka mbaruar gjithashtu studimet në Moskë për shkenca politike po në të njëjtin Universitete dhe ka qenë ajo iniciatorja që unë të ndiqja studimet në Moskë. Gazetaria për mua nuk është profesion…është aftësi. Dhe këtë aftësi e kam zbuluar që kur kam qenë e vogël. Kisha besim në vete se me punë dhe përpjekje çdo gjë arrihet.
KOHA: Do doje të kishe një emision tëndin pasi të marrësh edhe diplomën e doktoraturës?
Kjo është ëndrra ime.. Jam përhapur në 100 drejtime dhe kjo nuk është gjë e mirë ndonjëherë. Bëj kërkime informacionesh, angazhohem në aktivitete të ndryshme, shkruaj, përkthej për të zbuluar atë që unë kam në mendje e dua të realizoj. Dua të sjellë risi të reja në mediat shqiptare. Është e domosdoshme një lëvizje, ku gazetarët të përzgjidhen jo vetëm prej pamjes fizike, por nga idetë dhe puna e vërtetë e të qenit gazetare.
KOHA: Cila ka qenë puna jote e parë serioze?
Asistente në katedrën e gjuhëve të huaja, në universitetin ku momentalisht ndjek studimet “Miqësia e Popujve”.
KOHA: Po më pas si vazhdoi rrjedha e jetës?
Më pas u bëra presidente e shoqatës së shqiptarëve në Rusi. Pastaj mu dha mundësia të punoja si gazetare në botërorin “Rusi 2018”, ndërsa sot jam pjesë e gazetës “ Intervista.
KOHA: Cila është gjëja më e shtrenjtë e jetës tënde?
Familja.
KOHA: Je adhuruese e ndonjë personazhi televiziv?
Po. Alketa Vejsiu, Grida Duma, Ardit Gjebrea dhe Eni Cobani. Janë personazhe, të cilët nuk i ndaj dot nga njëri tjetri për profesionalizmin që tregojnë në punën që bëjnë. Të jem “kopja e tyre” nuk e pranoj, thjeshtë janë shembuj në jetën time.
KOHA: Kur ishe e vogël ndiheshe e bukur, sepse tani nuk diskutohet që je?
Gjëja më e bukur tek njeriu është sjellja dhe komunikimi. Janë dy faktorë që mua më karakterizojnë më së miri. Përsa i përket bukurisë fizike, preferoj të më vlerësojnë të tjerët për atë që jam sot. Ndërsa kur kam qenë e vogël ndihesha jo e bukur, por më e zgjuara (qesh).
KOHA: Në kohë virusesh e epidemish, e ke menduar çfarë do bësh për të treguar përfshirjen tënde patriotike?
Do dëshiroja të isha mjeke, për të shprehur më së miri patriotizmin në këtë situatë në të cilën jemi përfshirë. Meqenëse jam larg, mami dhe tezja ime (infermiere) po japin kontributin e tyre dhe ndihem e lumtur sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri tjetrin. Unë po mundohem çdo ditë, ti ndihmoj me mesazhe sensibilizuese, ashtu sikurse dhe shumica e personazheve të njohura shqiptare e jo vetëm kanë dhënë kontributin e tyre.
KOHA: Nuk do mund të jetoje kurrë pa…
Dashuri dhe mirësi.
KOHA: Cila është ikona jote e ekranit?
Edi Rama (qesh). Për mua, asnjë.
KOHA: E bukur, fatlume punon e studion në Moskë, por nëse nuk do ishe Blerina Mahmutaj, kush do doje të ishe?
Do doja të isha, gjyshja ime. Punëtore, e zgjuar e plot mirësi…
KOHA: Çfarë bën kur nuk punon?
Marrë pjesë në aktivitete të ndryshme. E kam të vështirë të rri në shtëpi… (qesh).
KOHA: Sipas teje, cilat janë avantazhet dhe cilat janë pengesat e gjeneratës tënde?
Njëherë për njëherë avantazhet janë të panumërta, ndërsa pengesa e vetme mungesa e institucioneve për ndihme dhe pagesa e ulët.
KOHA: Ana pozitive dhe ana negative e të qenit pjesë e gazetarisë?
Përparësitë e kësaj pune të vështirë përfshijnë këto aspekte: përzgjedhje orari; komunikimi me njerëz; udhëtimet e njëpasnjëshme që një gazetare profesioniste mund ti kryej në nevojë të punës për t’u njohur me botën; një shkallë karriere me shumë faza, ngjitja në të cilën varet vetëm nga cilësitë personale; komunikimi me personalitete te njohura; vetë-zhvillim i vazhdueshëm etj. Disavantazhet e këtij profesioni janë: material i gjate që duhet përgatitur dhe ta dorëzosh; emocione dhe ndjenja negative; punë e tepërt dhe stres; udhëtime të papritura ; përgatitja e një numri të madh dokumentesh për udhëtime në vendet e tjera; shkallë e lartë e përgjegjësisë; qëndrim i njëanshëm i njerëzve etj. Nga të gjitha këto pika bëhet e qartë se para se të lidhni jetën tuaj me këtë fushe, duhet të mendoni me kujdes, të peshoni të gjitha të mirat dhe të këqijat.
KOHA: Cili është gjesti më i dashur që ke bërë dhe që kanë bërë për ty sigurisht?
Mua nuk më pëlqen të përmend të mirat që bëj në jetë. E bëj, sepse dua dhe ndihem mirë, pavarësisht se e mira nuk vlerësohet dhe nuk është për t’u vlerësuar ndonjëherë. Shoqëria ime është shumë e ngushtë, të gjithë janë të përzgjedhur. Për mua kanë bërë me shumë njerëz të cilët nuk i kam të afërt… Dhe i jam shumë mirënjohëse.
KOHA: Nëse do ishe presidente e Republikës së Shqipërisë, nga do e nisje ndryshimin?
Puna e mirë, fillon gjithmonë nga zero. Kështu që do ndryshoja vendin dhe rregullat të cilat nuk i përshtaten jetesës sonë.
KOHA: Cili është politikani që përmbush idenë tënde të një politikani të vërtetë?
Politikën nuk e dua, e nuk dëshiroj të bëhem pjesë e saj. Prandaj nuk mund të bëj një përzgjedhje profesionale përveçse të jepja një sugjerim: t’a ndryshojmë e të bëjmë sa më shumë për vendin tonë.
KOHA: Provo të na bësh një qeveri televizive…
Nuk do e pranoja të isha pjesë e një qeverie televizive.
KOHA: Në fund, çfarë vërtitet në kokën e një gazetareje në kohën që po jetojmë?
Frikë… Dhe këtë frikë duhet ta mposhtim duke ndihmuar njëri-tjetrin.