Shqiptarët e kanë mundësinë e rrallë e ndoshta të vetme për të ndrequr pasoja të së kaluarës, dhe të identifikohen si një popujt e këtij shteti e jo si numër i tij! Kryeministri ka mundësinë e rrallë që të lirohet nga presionet e atyre shqiptarëve që deri tash kanë pritur e përcjellë parti në pallatin Qeveritar, duke patur Blerim Rekën si President
Nga Dr.Arben Taravari
Blerim Reka është aktualisht një garanci për identitetin shqiptar. Kandidimi i tij për President të Maqedonisë së Veriut është një nga ngjarjet më miqësore që historia ka mundur t’ju sjellë ndonjëherë shqiptarëve në veçanti por sigurisht edhe z.Zaev dhe misionit të tij euro-atlantik, po do të ndalem më pas në këtë pikë. Nga andrallat dhe loja e pokerit që kanë luajtur Qeveritë jugosllave prej në kohë të ish-Jugosllavisë, shqiptarët herë haptazi e shpesh fshehurazi kanë qenë objekti i sulmit. Qëllimet e qeverive zullumqare që mbretëronin me agresivitet anë trojeve tona, i përdornin shqiptarët si kalë beteje për të fituar “pëlqimin e elektoratit sllav” duke i sulmuar, përzënë, përndjekur burgjeve, vrarë, masakruar, kudo që gjendeshin në ish-Jugosllavi.
Politika shovinste punoi për të ngjallur urrejtje për kombin tonë deri tek djepet e fëmijëve sllavë. Kjo strategji, ky hiperbolizim i “shqiptarëve të këqij”, ky grotesk i “gogolit shqiptar” ishte një biletë gjithnjë e suksesshme për të hyrë në sarajet qeveritare dhe për të ndenjur gjatë në to. Urrejtja ndaj shqiptarëve dhe lufta ndaj tyre i ka interesuar gjithnjë mbajtësve të kurorave qeveritare, jo sepse ata kishin ndonjë problem të drejtë për drejtë me shqiptarët, jo, diagnoza ishte edhe më e thellë: ata kishin problem të drejtë për drejtë me karakterin e tyre. Mania e tyre për të mbajtur pushtetin me çdo kusht ka qenë patologjike dhe ata kishin zgjedhur shqiptarët si mjetin që do përdorin për të arritur qëllimin e tyre- mbajtjen e pushtetit!
Nga ana tjetër në këtë Poker anti-njerëzor, ku shqiptarët ishin gurët që luheshin duke u vrarë, përdhunuar, djegur e përzënë, defaktorizimi shqiptar, tkurrja e tyre në numër, ishte një pasojë natyrale e gjithë kësaj masakre. Mirëpo çdo e keqe e ka një fund, asnjë popull nuk është aq naiv sa të mashtrohet deri në pafundësi, dhe kështu në Maqedoninë e Veriut duket se nga stuhitë shoviniste, filloi të fryjë një erë që synon paqe dhe destinatë NATO-je.
Është pikërisht ky moment që ndodhemi, ku shqiptarët për hir të tekave politike e sidomos për paaftësi të partisë shqiptare që i përfaqëson në qeveri, rrezikojnë të humbasin edhe emrin e tyre, pasi kushtetuta nuk na quan më shqiptarë, por “njëzetpërqindësha”! Me kandidimin e Blerim Rekës për President, i cili është padyshim një nga figurat më të përgatitura intelektuale dhe diplomatike, një gjë tjetër që është fat historik, është përkatësia e tij kombëtare. Domethënë që kandidati më i mirë ndër të tre, ndodh që të jetë shqiptar, ndodh që Zoti t’u japë mundësinë shqiptarëve që të përfaqësohen në këtë shtet me një President që do të heqë damkën absurde “20%-e” dhe do të evidentojë qartë se në këtë shtet jetojnë shqiptarë prej kur historia ka filluar të shkruajë, prej lindjes së saj!
E mira e dytë pse të gjithë duhet të votoni Rekën, është pasi z.Reka dhe z.Zaev kanë qëllim të qartë dhe të përbashkët euroatlantik. Vet z.Zaev nuk ka kandidat më të mirë se z.Blerim Reka për President. Nëse zyrën presidenciale do t’a zinte po prapë një maqedonas, ai nuk do të ulej aq lehtë në zyrat e NATO-s dhe BE-së. Shteteve që janë të uritur për të ngrënë Ballkanin bashkë me çdo popull që jeton në të, shtete që z.Zaev i di qartë, do t’i jepte shumë mundësi për ta bërë këtë gjë, nëse nuk të kishte ndarje të institucioneve të shtetit me popullin shqiptar, këtu nuk aludoj për drejtori apo ministri, këtu i referohem qartë institucionit të Presidentit.
Shqiptarët dhe maqedonasit janë shumë më të qartë tani se kanë qenë marioneta të qeverive që kanë mbushur xhepat e tyre duke zbrazur ata të popullit. Ata nuk pranojnë më të vazhdojnë këtë lojë me “të fortin dhe të dobëtin”! Shqiptarët kanë të drejtë absolute që të përfaqësojnë zyrën presidenciale të këtij shteti! Maqedonasit kanë plotësisht të drejtë t’i tregojnë botës që ende sot përfliten si armiq patetik ndaj shqiptarëve, që nuk janë të tillë! Maqedonasit e kanë mundësinë e rrallë të tregojnë që janë njerëz të mençur e që duan paqe e bashkëjetesë duke votuar Rekën si President!
Shqiptarët e kanë mundësinë e rrallë e ndoshta të vetme për të ndrequr pasoja të së kaluarës, dhe të identifikohen si një popujt e këtij shteti e jo si numër i tij! Kryeministri ka mundësinë e rrallë që të lirohet nga presionet e atyre shqiptarëve që deri tash kanë pritur e përcjellë parti në pallatin Qeveritar, duke patur Blerim Rekën si President, që vizioni i tij për të qenë të gjithë bashkë, vizion të cilit i besuam shumë ne shqiptarët, të marrë udhë! Në të gjitha zyrat e BE-së dyert do hapeshin shumë më lehtë e ngrohtë, nëse pas 21 prillit vendi do të kishte President z.Blerim Reka. Shqiptarëve që tash po ju rrezikohet seriozisht emri, do të kishin mundësi të identifikoheshin si popull që jeton prej krye të herës në këtë vend! Të gjithë etnitë, i gjithë vendi, vet kryeministri ka nevojë për Blerim Rekën si President!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)