Pop diva, Bleona Qereti vjen në një bisedë ekskluzive ndryshe nga herët tjera. Ajo për InfraRed të gazetës KOHA tregon alfabetin e saj nga A deri në Zh për të treguar shumë gjëra që më parë nuk keni arritur të lexoni për të. Bleona karrierën e ka të fokusuar në arenën ndërkombëtare, por rrëfimin e saj e lexojmë së bashku…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: A, si artist/e… Çfarë “emri” ka artisti brenda teje?
Artist, është identiteti im.
KOHA: B si Bleona…mamaja jote sa është e lidhur me ty dhe çfarë do ti thuash sot përmes kësaj interviste?
Faleminderit për të gjithë sakrificën që ka bërë për mua. Dashuria e saj e pakondicionuar nuk ka kufi dhe çfarëdo që të bëj unë në këtë jetë për të nuk ia shpërblej dot. Love you ma.
KOHA: D si dashuria… A mban një emër të përveçëm dashuria jote?
Jonny.
KOHA: F si fitorja… Cilën konsideron fitoren tënde më të madhe deri tani?
Transformimin e karrierës time në karrierë internacionale.
KOHA: G si gëzimi… Cili ka qenë gëzimi më i madh që u ke falur prindërve të tu?
Dashuria, unë e pafundme për ta!
KOHA: I si instinkti… E ndjen kur diçka do ecë mbarë apo kur dikush mundohet të bëjë hile?
Gjithmonë!
KOHA: J si jeta… Çfarë do të doje të mos mungonte kurrë në jetën tënde dhe çfarë do të doje të mos e provoje kurrë në jetë?
Dashuria nuk do të doja të më mungonte kurrë dhe nuk do doja të provoja humbje (vdekje) të njerëzve të zemrës.
KOHA: K si këngë…më trego pak për këngët që ke lançuar, sa janë pëlqyer dhe çfarë ka në vazhdim?
“I don’t need your love”, është aktualisht numër 3 në Billboard për një artist pa mbështetjen e asnjë kompanie muzike është arritje shumë e madhe. Kështu jam shumë shumë krenare. Kurse, për sa i takon këngës “Monster”, do të thosha se është një film i metrazhit të shkurtër dhe është debutimi i dytë i imi si regjisore pasi ideja ka qenë e imja për të hedhur dritë mbi fenomenin që po ndodh në trojet shqiptare që shumica e vajzave tona kanë zgjedhur paratë në vend të dashurisë së vërtetë dhe lirisë së tyre si qenie njerëzore. Janë thjeshtë zogj të mbyllur në kafaz. Jo të gjitha sigurisht. Kënga është aranzhuar nga Timbaland & Roccstar. Kënga do të jetë kolonë zanore e serialit televiziv “Paper empire”. Në videon e “Monster” gjërat janë bërë me idenë për të qenë këngë filmi. “Monster” do fillojë të futet në toplistat botërore, pasi unë të përfundoj promovimin e “I don’t need your love”. Para një jave, ka dalë edhe një këngë tjetër që unë e kam kënduar në italisht dhe është një ‘cover’ i këngës së famshme “Su di noi” të këngëtarit të njohur Puppo, dhe jam e lumtur që unë e kam risjellë, dhe që më ka komentuar vet ai në Instagram në momentin që e kam publikuar si këngë. Besoj që së shpejti do vij edhe me një këngë shqip. Kjo është një surprizë për fansat. Në përgjithësi, unë kam pasur më shumë sukses se sa që e kam paramenduar me këto balada.
KOHA: L … L si LA?
LA, është shtëpia ime.
KOHA: M si muzika… E ke nisur rrugën e muzikës që e vogël dhe e di që do të më thuash se muzika është vetë jeta jote… E kam gabim? Të zë ndonjëherë frika se ndoshta keni investuar jo aty ku duhet?
Asnjëherë! Muzika është jeta ime.
KOHA: S si suksesi…kë do konsideroje suksesin tënd më të madh?
Që jam një femër e lirë dhe e pavarur.
KOHA: O…si mami?
Si mami Oli..
KOHA: P si parfumi… Cili parfum të merr mendjen sa herë që del për shooping?
Unë parfumin nuk e ndërroj asnjëherë. Që 15 vjet kam të njëjtin parfum. Emri është sekret sigurisht!
KOHA: Sh si SHBA…si ndihet Bleona në tokën e premtuar?
Absolutist PO! Krenare dhe e lumtur dhe mirënjohëse që jetoj në Amerikë!
KOHA: Sh si shoqëria… Më kanë thënë se je tip shumë i shoqërueshëm. E vërtetë është?
Sigurisht po! Unë gjithmonë në një marrëdhënie të re hyjë me zemër të hapur. Është mënyra më e mirë për të qenë e lumtur. Dhe sigurisht kam pasur dhe lëndime nga zemra ime e mirë por kjo nuk do të thotë që mënyra e vetme e jetesës të jetë me zemër të mbyllur! Unë kam zgjedhur dashurinë!
KOHA: T si Tirana… Do doje të jetojë në Tiranë, ku mund edhe të bashkëpunoje edhe me artistë të tjerë e ti jepje pse jo një shtysë për të ecur akoma më shumë?
Sigurisht po! Po momentalisht jetoj midis dy vendeve LA dhe Tirana.
KOHA: V si vëllai/vëllezër….Ti ke një të tillë, të mbështesin apo është tipik burrë shqiptarë që gjen gjithmonë diçka për zënka?
Vëllai është gjysma tjetër e imja! Dhe shoku më i mirë!
KOHA: Z si zemra… Zemrën, si e ke sot, bosh apo plot?
Bosh…