Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka dhënë një argument të ri se përse nuk lejohet muzika në kafene. I ftuar në studion e Report Tv, Klosi tha se valët përhapin virusin, një argument i ri ky, që nuk ishte dëgjuar më parë, por që ministri e tha me siguri, sipas së cilit është e vërtetuar shkencërisht.
“Nuk duhet t’ia bëni pyetjen ministrit të turizmit, se për politikat e turizmit do ishte shumë mirë që të ishin të hapura, por kjo pyetje i duhet bërë ekspertëve, që gjykojnë se zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar janë zonat ku virusi hapet më shumë se në çdo vend tjetër pasi valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin.
Në distancat që jemi ne të dy mund të mos ketë përçim, në distancat ku ka valë muzike përhapja e virusit është më e madhe. Dhe në ambientet me muzikë sidomos ku përdoret pija alkoolike, njerëzit duke qenë më pranë njëri tjetrit, lëshohen më shumë“, tha Klosi
Për ministrin, tërmeti dhe COVID-i “sfidoi” turizmin në vendin tonë. “Tërmeti me gjithë të këqijat që pati, po të flasim për turizmin, ishte një bonus pozitiv se tregoi qe kemi kapacitete akomoduese. Pandemia na bëri të vinim me qindra dilema, plotësuam kërkesat e biznesit, mbase jo të gjitha, por të paktën të gjitha i diskutuam dhe ajo që ndodhi me verën, përsëri them që nëse ka një gjë shumë pozitive në këtë periudhë ishte se ato nuk e ulën cilësinë e shërbimit dhe as qepenin“, tha Klosi.