Odat ekonomike të Maqedonisë dhe Serbisë apelojnë deri te qeveritë e dy shteteve të bëjnë gjithçka që është e nevojshme që të mos prishen marrëdhëniet e mira fqinje, pasi që marrëdhëniet e mira politike janë parakusht për rritjen e këmbimit tregtar. Oda Ekonomike e Maqedonisë sot kumtoi se në takimin e fundit në Shkup kryetarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe të Odës Ekonomike të Serbisë, Branko Azeski dhe Marko Çadezh kanë konstatuar se bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë para politikës. Maqedonia dhe Serbia në mënyrë tradicionale bashkëpunojnë në sferën ekonomike, por kanë bashkëpunim edhe në nisma të ndryshme rajonale dhe multilaterale. Në pesë vitet e fundit vëllimi i këmbimit tregtar midis dy shteteve tejkaloi 600 milionë euro në vit, me tendenca për rritje. Edhe në lidhje me investimet midis dy shteteve janë vërejtur trende pozitive.
“Në kuadër të bashkëpunimit rajonal duhet të theksohet themelimi i Forumit investues të Odës në gusht të vitit 2015, me qëllim që me veprimin e përbashkët të odës, bashkëpunimin dhe harmonizimin e aktiviteteve në mënyrë të përbashkët të kontribuohet për zhvillimin e konkurrencës së ekonomive në rajon. Gjithsesi, duhet të theksohen edhe nismat për zhvillimin e bashkëpunimit nëpër veprimtari, veçanërisht në industrinë metalike dhe elektroindustri, si dhe në ndërtimtari, me formimin e konzorciumeve dhe formave të tjera të bashkimit, me qëllim të shfaqjes së përbashkët në tregjet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në tregjet e treta. Bashkëpunimi efikas në sferën e ndërtimtarisë dhe industrisë për materiale ndërtimore midis të gjitha odave ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor do të kontribuojë për realizimin e përbashkët të projekteve konkrete dhe shfaqjes së përbashkët në tregjet e treta”, theksohet në kumtesën e Odës ekonomike të Maqedonisë.