Sistemi i Inteligjencës Artificiale e sheh secilën fytyrë si një figurë komplekse matematikore, me një varg vlerash të zhvendosshme. Përzgjedhja e tyre, si për shembull përcaktimi i madhësisë dhe formës së syve mund të ndryshojë të gjithë imazhin. Krijimi i këtyre imazheve të rreme u bë i mundur vetëm viteve të fundit në saj të një lloji të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur “rrjet kundërshtar gjenerues”
Nga teknologjia mund të presim gjithçka, madje shpesh tejkalon edhe pritshmëritë tona! Tanimë, mund të blihen edhe njerëz që nuk ekzistojnë. Tronditëse?! Në Generated.Photos, një person i rremë por unik, kushton vetëm 2.99 dollarë, ose mund të blini “me ofertë” 1 mijë njerëz për 1 mijë dollarë. Nëse ju duhen disa njerëz të rremë, për personazhe lojërash apo për të pasur më shumë interaktivitet në uebsajt-in e biznesit tuaj, mund t’i merrni fotot e tyre falas në ThisPersonDoesNotExist.com; t’i përzgjidhni karakteristikat e dëshiruara si mosha, përkatësia etnike, gjinia, etj. Në fakt, mbi ligjshmërinë e programeve të tilla nuk ka shumë informacion, edhe pse kritikat do të ishte e pamundur t’i mungonin. Këta njerëz të stimuluar kanë filluar të shfaqen kudo në internet, nga njerëz të vërtetë që fshihen pas një fytyre 2.99 dollarëshe, me qëllime të fshehta – infiltrim në një kompani, propagandë politike, ngacmime seksuale, etj. Thënë ndryshe, objektiva të kamufluara me pamje miqësore. Nju Jork Times ka krijuar sistemin e vet të Inteligjencës Artificiale për të kuptuar se sa e thjeshtë është të krijosh fytyra të ndryshme false.
Sistemi i Inteligjencës Artificiale e sheh secilën fytyrë si një figurë komplekse matematikore, me një varg vlerash të zhvendosshme. Përzgjedhja e tyre, si për shembull përcaktimi i madhësisë dhe formës së syve mund të ndryshojë të gjithë imazhin. Krijimi i këtyre imazheve të rreme u bë i mundur vetëm viteve të fundit në saj të një lloji të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur “rrjet kundërshtar gjenerues”. Në thelb, ju “e ushqeni” programin kompjuterik me një bandë fotografish të njerëzve realë. Programi studion fotot dhe përpiqet të zbulojë se cilat prej atyre fotove janë false. Produkti përfundimtar gjithnjë e më shumë po bëhet i padallueshëm nga fotot origjinale. Duke marrë në konsideratë hapat galopantë me të cilët teknologjia ecën, nuk është e habitshme që brenda shumë pak kohësh të përballemi jo vetëm me portrete njerëzish të rremë, por me koleksione të tëra të tyre, në grupime të rreme, duke u shoqëruar nga kafshë shtëpiake të rreme, të përqafuar me fëmijët e tyre të rremë, etj. Nisur nga e tashmja, mund të thuhet se do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të definosh se çfarë është reale, e çfarë është pjesë e “imagjinatës” kompjuterike.
“Kur kjo teknologji u shfaq për herë të parë në vitin 2014, ishte e keqe, dukej si Sims. Është një rikujtesë se sa shpejt mund të zhvillohet teknologjia. Zbulimi do të bëhet më i vështirë me kalimin e kohës” u shpreh Camille François, studiues i dezinformimit, puna e të cilit është të analizojë manipulimet e rrjeteve sociale. Nga ana tjetër, njerëzit çdo herë e më shumë po e kanalizojnë besimin e tyre në teknologji. Njeriu është qenie e gabueshme, padyshim, por kjo nuk e bën sistemin digjital apo Inteligjencën Artificiale të përsosur. Studimet kanë treguar se, në situatat kur njerëzit dhe kompjuterët është dashur të bashkëpunojnë për të marrë një vendim – për të identifikuar gjurmët e gishtërinjve ose fytyrat njerëzore – njerëzit vazhdimisht kanë bërë identifikimin e gabuar, kur një kompjuteri i ka orientuar ta bëjnë këtë. Në ditët e para të sistemeve GPS të panelit të kontrollit, shoferët kanë ndjekur udhëzimet e pajisjeve, duke bërë që makinat të përfundojnë në liqene, shkëmbinj apo të “përqafojnë” pemët.