Shkup, 24 maj – Qeveria të emërojë zëvendëskryeministër për çështje ekonomike sipas programit dhe planit të vet, por gjithsesi, të vendosë edhe mekanizma dhe rregulla për proces transparent konsultativ me të gjitha grupet e prekura të interesit, konsideron Konfederata e biznesit e Maqedonisë (KBM). Konfederata e biznesit, siç kumtoi kryetari i saj, Mile Boshkov, pret që qeveria e re t’i respektojë dhe zbatojë praktikat e deritanishme të konsultimeve dhe dialogut me përfaqësuesit e të gjitha grupeve të interesit të qytetarëve, subjekteve juridike dhe private, ndërkaq për vendosje të dialogut transparent dhe konsultativ socio-ekonomik, propozon funksione të rotacionit të kryetarëve të Këshillit ekonomiko-social dhe të Këshillit nacional për sipërmarrësi dhe konkurrencë. KBM thekson se në interes të përmirësimit të krijimit të politikave ekonomike dhe përmirësimit të konkurrencës së ekonomisë së Maqedonisë, qeveria dhe mbarë komuniteti afarist e riafirmuan dhe formuan Këshillin nacional për sipërmarrësi dhe konkurrencë. Propozimet, politikat e Konfederatës së biznesit të Maqedonisë për ambient më të mirë afarist janë të kapshme në faqen www.bcm.mk. Ndërkaq, gjithsejtë 13 organizata sindikaliste, duke iu drejtuar haptazi mandatarit për përbërje të qeverisë së re, kumtuan se janë kundër idesë që zëvendëskryeminsitri ekonomik të jetë një përfaqësues nga komuniteti afarist. Qëndrimi i këtillë i sindikalistëve është shkrirë në të ashtuquajturën Platformë për solidaritet të sindikatave dhe të gjithë miqve të punëtorëve në Maqedoni. Sipas tyre, që Maqedonia të nisë në rrugë të vërtetë të zhvillimit, duhet të ketë ndryshim në politikat ekonomike, por jo në drejtim të, siç theksojnë, favorizimit edhe më të madh të biznesit, por në drejtim të kundërt, të ndërtimit të një shoqërie më inkluzive. Politikat e këtilla, në kombinim me, siç thonë shoqatat sindikaliste, tatimet e ullta dhe të sheshta, shkurtimin e të drejtave të punëtorëve, shkatërrimin e arsimit dhe korrupsionin e përhapur, shkaktuan që në Maqedoni sot të ketë një sistem shoqëror predator në të cilin kanë sukses vetëm të fuqishmit dhe të pasurit. Nënshkrues të Kartës për solidaritet janë Sindikata e punëtorëve nga administrata, organet jurisprudente dhe shoqatat e qytetarëve (AOJSHQ), Sindikata e shërbimit diplomatik të Maqedonisë (SSHDM), Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve medial (SPGPM), Lëvizja majtiste Solidariteti, Lëvizja për të drejta sociale Lenka, Sindikata e kulturës e Republikës sl Maqedonisë (SKRM), Sindikata multietnike e arsimit (SMEA), Konfederata e organizatave sindikaliste të Maqedonisë (KOSM), Sindikata e pavarur akademike (SPAk), organizata rinore Mugra, AGRO Sindikata, Shumica e qetë (GLASNO (Shtip) dhe Punëtori dinjitoz (Prilep). (koha.mk)