Njohësit e çështjeve ekonomike në vend vlerësojnë se shteti nevojitet të kthejë të gjitha borxhet ndaj privatit qoftë me rebalancin apo me hyrjen e re në borxhe jashtë shtetit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 maj – Në një vit krize ekonomike të shkaktuar si nga pasojat e pandemisë që ngadalë po rikuperohen, kriza energjetike, shtrenjtimet e mëdha të naftës, lufta në Ukrainë, ambienti politik e kështu me radhë po vështirësohet edhe më te ambient i biznesit në Maqedoninë e Veriut.
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave, tregojnë se deri në fund të muajit mars, borxhet e shtetit që nuk janë paguar ndaj kompanive private kanë arritur në afër 198 milionë euro dhe janë për 44 milionë euro më shumë se tre muaj më parë, apo në raport me muajin dhjetor të vitit të kaluar. Përkundër angazhimeve të shtetit që të mbështesë likuiditetin e sektorit privat, megjithatë kriza po merr përmasa të theksuara, dhe borxhet janë rritur edhe në raport me fundin e vitit 2020 kur kanë qenë 120 milionë euro.
Vonesat e ndryshme të shtetit në pagesën e borxheve më të vogla apo më të mëdha nuk janë risi në ekonominë vendore dhe po regjistrohen në vazhdimësi në periudhën e kaluar. Nga Organizata e Punëdhënësve theksojnë se në strukturën e borxhit të shtetit ndaj sektorit privat dominon kthimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar që veçmë është paguar, duke shtuar se bizneset do të jenë në telashe serioze në raste se në periudhën e ardhshme nuk fillohet me kthimin më të shpejtë të TVSH-së. Kompanitë edhe në të kaluarën në pritje të të hollave që ju pasojnë me ligj, orientohen të zgjidhin problemet në mënyra të ndryshme si me kompensime, vonesa ndaj debitorëve të tjerë, marrjen e kredive që të mund të punojnë dhe paguajnë punëtorët, por edhe me ngadalësimin e investimeve.
Njohësit e çështjeve ekonomike në vend vlerësojnë se shteti nevojitet të kthejë të gjitha borxhet ndaj privatit qoftë me rebalancin apo me hyrjen e re në borxhe jashtë shtetit.
Analisti ekonomik Arben Halili në një prononcim për gazetën KOHA, vlerëson se problem më i madh i shtetit ndaj sektorit privat nuk është vetëm çështja e kthimit të TVSH-së, por është shlyerja e detyrimeve të ndryshme dhe me kohë të shtetit ndaj privatit. Ai shton më tej se pavarësisht miratimit të Ligjit për disiplinë financiare që tenton të rregullojë marrëdhëniet e biznesit ndërmjet afaristëve, është pikërisht shteti ai që nuk respekton ligjet dhe as nuk obligohet që të kthejë me kohë borxhet e tij. “Zgjidhja e problemit me kthimin e TVSH –së , së pari duhet të fillojë me kthimin e të gjithë obligimeve të shtetit ndaj bizneseve, duke marrë parasysh edhe situatën e rëndë ekonomike dhe financiare në vend dhe më gjerë. Njëherësh nuk do mend se edhe dikasteri i Ministrisë së Financave do ta ketë të vështirë të kthejë detyrimet financiare ndaj biznesit. Zgjidhja e arsyeshme për të kthyer këto detyrime mund të gjendet tek rebalanci i paralajmëruar për në muajin qershor. Opsioni tjetër janë huamarrjet e jashtme”, vlerëson Halili. Sipas tij, shpesh marrja e borxheve nga jashtë vendit nuk ka një synim të caktuar apo ndodh që në shumicën e rasteve ato merren për kthimin e borxheve të vjetra. Besoj se këto borxhe të reja mund të shfrytëzohen edhe për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit nga ana e shtetit, me qëllim që ai më lehtë të përballojë krizën dhe të vendosë këto mjete financiare në qarkullim, konstaton Halili.
Nga ana tjetër, analizat dhe anketat ndryshme tregojnë se në mesatare, gjysma e kompanive në Ballkanin perëndimor që nga muaji mars 2020 apo nga fillimi i pandemisë dhe deri në shtator të vitit të kaluar kanë shënuar rënie të të ardhurave prej mbi 50 për qind, 65 për qind e kompanive kanë pasur probleme me likuiditetin dhe 60 për qind kanë përdorur masa të ndryshme të përkrahjes së shtetit dhe kredi të bankave.
Kohë më parë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhovska theksoi e bartësit e politikave përfshi edhe bankat qendrore në mënyrë të konsiderueshme kanë përkrahur likuditetin apo disponimin me para të gatshme të sektorit korporativ, me çka janë përkufizuar rreziqet e aftësisë pagesore. Në periudhën e ardhshme është e rëndësishme të ndërmerren masa të targetuara, që do të sigurojnë përkrahje për kompanitë e qëndrueshme dhe të shëndosha, që së bashku me vazhdimin e reformave strukturore apo përmirësimin e ambientit të biznesit do të mundësojë rikuperim më të shpejtë nga kriza e pandemisë, shton ajo.
Në ndërkohë, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se vendi gjatë vitit 2021 ka realizuar kthimin e TVSH-së ndaj ekonomisë për 22.8 për qind më shumë krahasuar se me vitin 2020 dhe 20.8 për qind në raport me vitin 2019. Konkretisht në kompanitë vendore në bazë të kthimit të TVSH-së gjatë vitit 2021 kanë hyrë 30 miliardë denarë ose 488 milionë euro që është për 5.6 miliardë denarë (91 milionë euro) më shumë krahasuar me vitin paraprak. (koha.mk)