Mosbesimi në sistemin gjyqësor po rritet, sundimi i ligjit është njëra prej sfidave për të cilat alarmojnë edhe institucionet ndërkombëtare nëpër raporte, ndërsa proceset gjyqësore zgjasin disproporcionalisht gjatë, që është shkak i pakënaqësisë së bashkësisë afariste
Zejnulla VESELI
Shkup, 11 korrik – Oda e mediatorëve, e cila punon në zgjidhjen alternative të kontesteve përmes ndërmjetësimit, ka nënshkruar marrëveshje për tu bashkuar me Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë, si anëtare e 34-të, shkruan gazeta KOHA. Sipas kryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Danella Arsovska, kompanitë në ndërmjetësim shohin njërën prej mënyrave për zgjidhje të kontesteve të tyre në afat të shkurtë, pa numër të madh të shpenzimeve me të cilat tani po zgjidhen kontestet.
“Mosbesimi në sistemin gjyqësor po rritet, sundimi i ligjit është njëra prej sfidave për të cilat alarmojnë edhe institucionet ndërkombëtare nëpër raporte, ndërsa proceset gjyqësore zgjasin disproporcionalisht gjatë, që është shkak i pakënaqësisë së bashkësisë afariste. Besoj se institucionet duhet të marrin një përgjegjësi pak më të madhe që të ngritin vetëdijen, jo vetëm tek bashkësia afariste por tek të gjithë, se duhet të animohet opinioni i gjerë për rëndësinë e ndërmjetësimit dhe pse ajo duhet të shfrytëzohet, jo vetëm në punën e përditshme të kompanive, por edhe të qytetarëve”, theksoi Arsovska.
Siç u theksoi Sllave Mlladenovski, kryetari i Odës së mediatorëve, procedura për zgjedhjen e kontesteve përmes ndërmjetësimit, sipas ligjit, mund të zgjasë maksimumi deri në 60 ditë.
“Zakonisht asnjë lëndë në procedurë ndërmjetësimi nuk zgjatë më shumë se disa bisedime që i kanë patur palët në atë procedurë. Në momentin kur të drejtohet pala e parë si iniciator deri te mediatori që të zgjidhet lënda rrjedhin disa afate të caktuara ligjore në kohëzgjatje deri në 15 ditë, për të cilën duhet të deklarohet pala tjetër. Parë teknikisht, ata mund të takohen në ditën e gjashtëmbëdhjetë dhe për disa ditë, kur mediatori t’i organizojë në takim, që të definojnë interesat e tyre, në një ose dy ditët e ardhshme mund të nënshkruhet marrëveshja dhe mund të ketë edhe ndonjë ditë eventualisht për tu vërtetuar në noter nëse palët dëshirojnë dokumentit t’i japin karakter përmbarimi, që do të thotë e tërë procedura prej ditës aktive të ndërmjetësimit nuk mund të zgjasë më shumë se pesë ditë. Për lëndë caktuara mund të ndodhin disa takime, por serish ato janë shumë pak, janë thuajse afate të pakrahasueshme”, theksoi Mlladenovski.
Ai thotë se ajo që i motivon palët në kontest që lënda të zgjidhet në procedurë ndërmjetësimi është interesi.
“Ata saktësisht e dinë se cili është interesi i tyre dhe çdoherë do të udhëhiqen nga ajo. Ata do të shohin që procedura të jetë e shkurtë, të jetë e lirë dhe pasta të dyja palët të sjellin një zgjidhje nga e cila do të jenë të kënaqur”, shpjegon Mlladenovski.
Në pyetjen se sa do të ishin ulur shpenzimet e bizneseve nëse do të kishin shfrytëzuar ndërmjetësimin, kryetarja e LOEM thotë se ato do të ishin rritur shumë më shumë po nëse shkohej sipas procedurës së rregullt. “Dallimi mes ndërmjetësimit dhe kontesteve të rregullta është kohëzgjatja e procedurës. Koha në biznes dhe ekonomi është një prej faktorëve më të rëndësishëm dhe jo çdokush e ka atë luks në dispozicion që të mund të zgjidhë marrëdhënie të huamarrjes-huadhënies me vjet”, thotë Arsovska. Sipas listës së publikuar në faqen e Odës dhe të Ministrisë së Drejtësisë, zyrtarisht 43 mediatorë janë me licencë. (koha.mk)