“Në takimet që kemi me biznesmenët dibran, parashtrohet edhe problemi i zgjerimit të bizneseve në kohën kur ka një ulje të numrit të popullatës për shkak të migrimit, por edhe aspekti i garancës të zhvillimit të bizneseve të tyre”, tregon Roland Pahumi, kryetar i Odës ekonomike rajonale në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 19 shkurt – Në Komunën e Dibrës veprojnë një numër i madh i bizneseve. Të dhënat e institucioneve bankare thonë se interesimi i tyre për të shfrytëzuar kredi është i ulët. Si shkaqe kryesore për mos interesimin e biznesmenëve për të shfrytëzuar kreditë është frika për ecurinë e biznesit, si dhe mungesa e biznesit të tyre në tregje më të mëdha. Eksperti bankar në Dibër, Roland Pahumi, thotë se edhe pse kushtet për shfrytëzimin e kredive janë të volitshme, vetëm një numër i vogël i bizneseve i shfrytëzojnë të njëjtat. Nëse marrim parasysh të dhënat zyrtare të bankës ekonomike në Dibër, bizneseve ju ofrohen kredi me interesa të ulëta. Sipas Pahumit, kredi kanë shfrytëzuar dhe shfrytëzojnë vetëm kompanitë e ndërtimit dhe tregtisë, por jo edhe ato të sferave të tjera. “Në krahasim me komunat tjera të vendit, Dibra është një ndër komunat ku biznesi shumë pak shfrytëzon kredi”, thotë Pahumi, ndërsa shton se bizneset kanë mundësi dhe mund të prosperojnë duke shfrytëzuar kreditë me interesa, të cilat aktualisht jepen.
Në takimet që kanë Odat rajonale ekonomike me biznesin dibran, po ashtu vlerësohet se problemi i kredimarrjeve është një problem i cili pengon zhvillimin ekonominë e kompanive, të cilët veprojnë në Dibër dhe rajon. Në këtë drejtim thuhet se pa para të gatshme, shumë rëndë mund të funksionojnë bizneset në këtë pjesë të vendit. Situata krejtësisht ndryshe sa u takon kredive për biznese është në Gostivar, Tetovë, Strugë , Shkup… thotë Pahumi, i cili njëkohësisht është edhe njeriu i parë i Odës ekonomike rajonale në Dibër. “Në takimet që kemi me biznesmenët dibran, parashtrohet edhe problemi i zgjerimit të bizneseve në kohën kur ka një ulje të numrit të popullatës për shkak të migrimit, por edhe aspekti i garancës të zhvillimit të bizneseve të tyre”, tregon Pahumi.
Duke patur parasysh se Dibra nga viti në vit ka një ulje drastike të numrit të popullatës, si qytet por edhe si komunë në përgjithësi, biznesmenët në vlerësimet e tyre ekonomike janë të bindur se nuk ia vlen zgjerimi i aktiviteteve meqë numri i popullatës është në rënie. Sipas rrjetit tregtar, nëse në qytetin e Dibrës nuk frekuentojnë banorë të viseve kufitare të Shqipërisë, të cilët furnizohen me artikuj ushqimor, teknikë të bardhë, dhe prodhime të tjera, atëherë biznesi në sferën e tregtisë do të pësojë humbje të mëdha. Sa i takon garancive për një zhvillim të sigurt të biznesit që kanë, pronarët e kompanive theksojnë se edhe situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë është një ndër problemet që ndikon në këtë drejtim. Në bisedën që patëm me disa nga biznesmenët dibran, u informuam se përveç tregtisë dhe ndërtimtarisë, ku kryesisht shfrytëzohen kredi – nuk ka mundësi të tjera për të shfrytëzuar huamarrje. Këto dy sfera ekonomike viteve të fundit kanë një zhvillim të mirë, meqë ka interes të theksuar për blerjen e banesave në ndërtesat kolektive dhe njëkohësisht ka një zhvillim të rrjetit tregtar të bizneseve – kryesisht markete ushqimore. (koha.mk)