aralajmërimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të ishin mbajtur bashkë me zgjedhjet e rregullta presidenciale, i vënë në lëvizje jo vetëm politikanët, por edhe biznesmenët. Menjëherë pas kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lënien e mundësisë së tillë të hapur nga ana e pushtetit, vijuan deklarata jo vetëm të politikanëve nga vendi, por edhe nga jashtë. Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve të reja të parakohshme nuk i tangon vetëm politikanët, por edhe biznesmenët, meqë në çdo cikël zgjedhor stagnon ekonomia për rreth pesë deri gjashtë muaj.
Odat ekonomike në vend që i kontaktoi MIA janë të njëzëshme se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ndikojë negativisht në zhvillimin e ekonomisë dhe aktivitetin investues të kompanive. Sipas tyre, në këtë periudhë zgjedhore, institucionet shtetërore nuk janë tërësisht funksionale dhe prandaj bëjnë thirrje që në vend të zgjedhjeve, të punohet më shumë në agjendën ekonomike që e paralajmëroi Qeveria për vitin 2019.
“Gjithmonë kur do të ketë cikle zgjedhore, vjen deri te stagnimi i ekonomisë. Ciklet zgjedhore në çdo gjashtë muaj, me fushata të gjata të cilat u paraprijnë, janë fatale për ekonominë, për arsye se proceset politike, zgjedhjet presidenciale të paralajmëruara për sivjet, e ndoshta edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, do të shpenzojnë thuajse gjysmën e vitit të ardhshëm, gjë që do të reflektohet negativisht në ekonominë dhe aktivitetin investues të kompanive. Në një gjendje të këtillë nuk mund të presim lëvizshmëri më të madhe në aspektin e investimeve private, nuk diskutohet për ekonominë, por priten epilogë politik. Në mënyrë plotësuese, mjetet nga buxheti që shpenzohen në fushata, mund të shfrytëzohen për investime produktive”, shprehet Aleksandar Zarkov, drejtor ekzekutiv i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë rekomandojnë që nëse është e domosdoshme që të mbahen zgjedhje, atëherë fushatat të jenë të shkurtra dhe të përqendruara.
“Biznesi të zërë vendin e tij ngadalë dhe në mënyrë të papenguar, t’i ushtrojë punët e tij jashtë proceseve politike dhe të qëndrojë në kompetencat e tij, ndërsa politikanët t’i lënë hapësirë për ta bërë këtë, meqë kjo është edhe në interesin tonë edhe në interes të shtetit”, theksoi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azevski, në deklaratën e dhënë këtë javë në Shkup.
Nga ana tjetër, ministrat e sektorit ekonomik në Qeveri shprehen se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme është vendim politik, por bëjnë të ditur se të gjitha zgjedhjet ndikojnë negativisht në ekonominë meqë gjatë kësaj periudhe në njëfarë mënyre i gjithë shteti u përkushtohet proceseve zgjedhore.
“Ka dy momente se si zgjedhjet ndikojnë në ekonominë. I pari është ai që administrata në njëfarë mënyre ngadalësohet ose pushon së punuari meqë një pjesë e njerëzve që i drejtojnë institucionet u përkushtohen zgjedhjeve, ndërsa edhe në përputhje me ligjet në Maqedoni shumë punë nuk mund të bëhen. Nuk mund të lidhen marrëveshje të reja, koncesione, nuk mund të jepet truall dhe e gjithë kjo shkakton ngecje në punë. Ky është aspekti real i ndikimit negativ të zgjedhjeve në ekonominë, mirëpo ka edhe aspekt psikologjik. Para çdo zgjedhjeve, secili investitor nuk e di se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve dhe thotë “të pres që të shoh se çfarë do të ndodhë dhe më pas do t’i marr vendimet për investime“. Sado që nuk duam, në një shtet të vogël, ndikimet politike dhe ambienti që krijohet gjithsesi ndikojnë në aspektet ekonomike. Kështu që, thënë shkurt, të gjitha zgjedhjet ndikojnë negativisht në ekonominë”, thekson zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike, Koço Angjushev, në intervistën për MIA-n që do të publikohet më vonë .
Para do kohë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, tha se një ekonomi e vogël si kjo e jona nuk mund të ketë zgjedhje çdo vit.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhin punët në skenën politike dhe nëse 2019-a, ashtu siç është paralajmëruar, do të jetë vit që do t’i përkushtohet ekonomisë.