Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se kredi me kushte të lehta mund të ndihmojnë për tejkalimin e problemit me mungesën e likuiditetit, por vetëm në rast se një biznes ka punë, apo i është anuluar pagesa e shërbimeve të tij. Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon të vazhdohet me ndihmën financiare për pagat edhe në pakon e pestë të ndihmave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 shkurt – Një pjesë e përfaqësuesve të biznesit si dhe sindikatave kanë kundërshtuar idenë e fundit të Qeverisë që të paguhen kredi pa kamatë në vend të subvencioneve për paga. Një nga opsionet që përflitet është që, ndihma në kredi të jetë me afat prej tre vitesh të kthimit, një vit afat i shtyrjes së pagesës së kredisë, si dhe mundësia që 30 për qind e borxhit të shndërrohet në grant apo mjete të pakthyeshme. Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se kredi me kushte të lehta mund të ndihmojnë për tejkalimin e problemit me mungesën e likuiditetit, por vetëm në rast se një biznes ka punë, apo i është anuluar pagesa e shërbimeve të tij.
“Kredi të tillë mund të ndihmojnë vetëm kompanitë që kanë probleme me disponimin me para të gatshme, por nuk paraqesin ndihmesë për kompanitë që për shkak të telasheve të ndryshme, por edhe për shkak të pandemisë, kanë rënie të punës në vëllime të ndryshme që mund të shkojë edhe deri në 50 për qind, andaj nuk ka mundësi që edhe me kredi të buta të paguajë pagat”, thotë numri një i punëdhënësve, Angel Dimitrov. Sipas tij, subvencionet për pagat nevojitet të mbulojnë orët që punëtorët nuk i kanë punuar për shkak se punojnë me orar të shkurtuar. Apo me fjalë të tjera, kërkohet të mbulohen pagat e atyre që janë në pushim të detyrueshëm për shkak se nuk kanë punë apo që punojnë më pak orë punë dhe nuk kanë mundur të realizojnë orarin e planifikuar të punës.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkojnë të vazhdohet me ndihmën financiare për pagat edhe në pakon e pestë të ndihmave, për shkak se ekzistojnë më shumë sektorë që kanë vështirësi të mëdha siç janë hoteleria, turizmi, ndërtimtaria, industria e tekstilit dhe lëkurës etj. “Qeveria duhet të sigurojë ndihmë dhe përkrahje financiare për kompanitë që nuk mund të realizojnë planet e tyre për shkak të pandemisë apo i kryejnë ato me vëllim më të vogël. Kërkojmë që subvencionimi i pagave si masë të vazhdojë aty ky prodhimtaria është zvogëluar siç është përcaktuar me pakon e katërt të masave, mirëpo mjetet të paguhen drejtpërdrejtë në llogaritë e punëtorëve dhe jo të firmave”, thotë kreu i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski. Sipas tij, pakoja e pestë e masave duhet të jetë e orientuar ndaj ruajtjes së vendeve të punës dhe rikuperimit ekonomik me qëllim që më lehtë të kapërcehet kriza.
Nga LSM kërkojnë edhe orientimin e furnizimeve publike nga ana e organeve shtetërore, vetëm ndaj kompanive vendore që nuk kanë larguar punëtorë nga puna dhe nuk kanë keqpërdorur ndihmën financiare për pagesën e pagave. Në ndërkohë, për tre herë nga dy muaj janë mbështetur më shumë biznese për pagesën e pagave prej 14.500 deri 21.000 denarë. Vetëm për muajin nëntor, sipas të dhënave të Drejtorisë për të Ardhura Publike, janë mbështetur 13.178 punëdhënës që për pagat e 65.960 punëtorëve ju janë paguar 1.028.448,344 denarë. Në muajin tetor të vitit të kaluar janë parashtruar 13.819 kërkesa nga 12.598 punëdhënësve për të cilat janë paguar 961.613.984 denarë për gjithsej 61.556 të punësuar. (koha.mk)