Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 shtator – Hulumtime të ndryshme tregojnë se gratë në Maqedoni, mungojnë në numrin më të madh si udhëheqëse apo pronare të biznesit në shtet, shkruan gazeta KOHA. Hulumtimi i fundit i Institutit për komunikim, së bashku me Institutit slloven “ Izida Vita”, tregon se afarizmi në Maqedoni dominohet nga burrat, si në aspekt të pronësisë ashtu edhe të menaxhimit.
Sipas hulumtimit të tyre, në 73 për qind të kompanive të mesme dhe të mëdha, pronarë janë meshkujt, ndërsa në 67 për qind prej tyre drejtorë janë meshkujt. Femrat janë pronare të 27 për qind të këtyre firmave dhe menaxhojnë me 33 për qind të biznesit, në vend që në të vërtetë edhe qarkullon më shumë para, por edhe angazhon më shumë të punësuar si dhe fiton më shumë në totalin e biznesit në Maqedoni. Hulumtimi kushtuar barazisë gjinore tregon edhe shkaqet e ndryshme që nuk shkojnë në favor të rolit më të madh të femrës në biznes.
“Pengesat kryesore pse gratë nuk promovohen në pozitat më të larta udhëheqëse, janë pasiguria e tyre në aftësinë që ta kryejnë atë funksion, për shkak se punojnë në qëllime me përgjegjësi sociale dhe nuk janë të fokusuara vetëm në arritjen e qëllimeve financiare. Gjithashtu ato edukohen të përkujdesen për familjen dhe jo të jenë gra me karrierë të suksesshme”, thuhet më tej në hulumtim. Gratë e anketuara ankohen se janë ballafaquar me situatat kur një kohë të gjatë kanë punuar që të përfundojnë ndonjë projekt, ndërsa burrat kanë marrë meritën (18.8 për qind e përgjigjeve), ndërsa 13.8 për qind e tyre janë ballafaquar me stereotipe se gratë udhëheqëse nuk janë të këndshme dhe nuk dinë të urdhërojnë. Gratë, në 12.8 për qind të përgjigjeve, janë ankuar edhe për atë se kur kanë konkurruar për pozitë më të lartë, punën e ka fituar burri, edhe pse përvoja apo shkathtësitë e tyre kanë qenë të njëjta apo edhe më të larta në raport me burrat. Bile, gratë tregon më tej hulumtimi, nuk janë të diskriminuara vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë shoqëror. Në vazhdim, hulumtimi tregon se vetëm 19 për qind e njerëzve që japin deklarata në programet informative televizive janë gra. Jo-barazinë gjinore e tregon edhe fakti se vetëm 8.8 për qind të grave ishin kandidate për kryetare komunash në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ndërsa vetëm 4.7 për qind të tyre u zgjodhën për të udhëhequr komunat në Maqedoni. Analiza thekson edhe faktin se në vitin 2011, nga totali i të diplomuarve në Maqedoni, bile 56 për qind kanë qenë gra, ndërsa 44 për qind kanë qenë meshkuj, njofton KOHA.
Hulumtimi është kryer në 1200 firma të mesme dhe të mëdha me pjesëmarrjen e 304 të punësuarve nëpër kompani. Njëherazi hulumtimi ka treguar se barazia gjinore ka ndikim pozitiv në punën efektive të biznesit, rezultatet më të mira të kompanisë, proceset krijuese në kompani, uljen e rrezikut në vendimmarrje si dhe sjelljen më të madhe etike të kompanisë.
Faktin se pak gra janë aktive, sidomos në bizneset më fitimprurëse si dhe menaxhimin e firmave, e tregojnë edhe hulumtimet e viteve të kaluara. Andaj kërkohet të punohet në mënyrë sistemore dhe të përbashkët që të përforcohet sipërmarrja tek gratë, e cila nuk mund të realizohet pas dialog dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Duhet të ekzistojnë edhe politika të organizuara dhe programe që do të avancojnë sipërmarrjen te gratë dhe vetëpunësimin e tyre. “ Gratë më rrallë hyjnë në biznes, sidomos në veprimtaritë ekonomike që sjellin më shumë para. Andaj, ka një rëndësi të madhe që të punohet në mënyrë sistemore dhe të përbashkët në përforcimin e sipërmarrjes së grave, që duhet të mbështetet edhe me politika të organizuara dhe programe për avancimin e saj. Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe vetëpunësimit të grave, për shkak se sipas të dhënave statistikore, vetëm 18.4 për qind e të gjithë qytetarëve të vetë – punësuar janë gra”, thotë Valentin Disoska, kryetare e Shoqatës së grave afariste të Maqedonisë.
Sipas saj, edhe hulumtimet e ndryshme kanë treguar se gratë, më shumë se burrat, kanë frikë nga dështimi gjatë hapjes së firmës, edhe pse vlerësojnë se kushtet për hapjen e biznesit janë të mira. Nga ana tjetër, gratë në tërë rajonin dhe jo vetëm në Maqedoni, akoma nuk kanë fuqi të barabartë ekonomike me meshkujt, për dallim prej ekonomive të zhvilluara, ku ato janë bartëse të ndryshimeve shoqërore dhe kontribuojnë në mënyrë aktive për përparimin e shteteve perëndimore. Përvojat e shteteve të rajonit tregojnë se në raport me meshkujt, gratë sipërmarrëse, shpesh kanë status dhe kredibilitet jo të barabartë, e kanë më vështirë të krijojnë kompani dhe ju nevojitet më shumë kohë t’i pranojë komuniteti i biznesit, që ndikon në pozitën e tyre fillestare gjatë nisjes dhe zhvillimit të biznesit.
Nga mbi 70 mijë subjekte afariste në vend, rreth 20 mijë janë në pronësi të grave, por megjithatë 8139 biznese janë të sektorit të tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe më pak në industrinë përpunuese. Hulumtimet e shoqatave të grave tregojnë se gratë me biznes vetanak shumë pak shfrytëzojnë grante dhe kredi, dhe më shumë janë të orientuara në mjetet e fondeve të ndryshme për zhvillim. Krahas asaj se biznesi i tyre zhvillohet ngadalë dhe me mjaft vështirësi, gratë në përgjithësi janë edhe më pak të paguara se burrat. Bile, pagat për vendet menaxheriale janë edhe deri në 30 për qind më të vogla për burrat se gratë në vendet e ngjashme të udhëheqjes së bizneseve të mëdha. (koha.mk)