Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 shtator – Në procedurë e sipër është procesi për zvogëlimin e dënimeve me të cilin ballafaqohen bizneset. Sipas ministrit pa portofol, Zoran Shapurinq, një proces i tillë parashikon ndryshmin e më shumë se 120 ligjeve që synon edhe mos mbylljen e kompanive në rast të shkeljeve të Ligjit, shkruan gazeta KOHA. Parashikohet që kompanisë edhe zyrtarisht ti vendoset dryni për një apo dy muaj nëse ka kryer ndonjë vepër penale, por jo edhe të mbyllet tërësisht, shton Shapuriq.
Nga ana tjetër, parashikohet edhe shlyerja e dënimit me të cilin obliguesit tatimor, krahas pagesës së gjobës, i bllokoheshin edhe hapësirat afariste. Me fjalë të tjera, është përgatitur propozim-ligji për regjistrimin e pagesave me para kesh që do të mundësojë që obliguesi tatimor tek i cili është konstatuar parregullsi gjatë mos-lëshimit të llogarisë fiskale, të mos ketë ndalesë për kryerjen e veprimtarisë në hapësirat afariste në kohëzgjatje prej 15 ditësh, por ti mundësohet puna pa pengesë menjëherë pas pagesës së dënimit për shkeljen e Ligjit. Kjo është edhe në frymën e përcaktimit të ekzekutivit të ri që politikat ndëshkuese të jenë parandaluese dhe jo represive. Propozuesit e Ligjit, në arsyetimin për nevojat e ndryshimeve ligjore, thonë se dispozitat aktuale ligjore me të cilat obliguesve tatimor, krahas pagesës së gjobës, ju mbylleshin edhe hapësirat afariste, nuk kontribuojnë për zhvillimin ekonomik të shtetit dhe as për atë që obliguesi tatimor pa kryer veprimtarinë e tyre, të paguajnë dënimin dhe obligimet e tjera ndaj shtetit. Analistët ekonomik thonë se janë për të përshëndetur hapat në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, por megjithatë shtojnë se duhet pasur kujdes që ulja e dënimeve për kompanitë të mos i stimulojë ato të përsërisin gabimet dhe sërish të shkelin dispozitat e ndryshme ligjore. “Është pozitive që me uljen e dënimeve do të ulet edhe presioni ndaj ekonomisë dhe biznesit që nuk do të ketë ndikim më të madh në financat e kompanive. Megjithatë, nga ana tjetër – nëse dënimi është më i vogël nga ajo që përfitojnë afaristët në rast se e shkelin ligjin, në atë rast ato do ta paguajnë gjobën dhe në të ardhmen ekziston rreziku i përsëritjes të njëjtën vepër”, thotë për KOHA eksperti ekonomik Pavle Gaçov. Sipas tij, me uljen e dënimeve do të ulen edhe të ardhurat në arkën e shtetit nga gjobat e ndryshme, edhe pse në parim dënimet nuk duhet të kenë qëllime fiskale apo të sjellin para në arkën e shtetit, por qëllimi i tyre duhet të jetë parandalues. Ndryshe, është paralajmëruar se përzgjedhja e subjekteve juridike që do të kontrollohen do të kryhet me përzgjedhje të rastit ose me paraqitje të mbështetur më dëshmi të forta. Për eliminimin ose uljen e shkallës së subjektivitetit në kryerjen e kontrolleve të inspektorateve do të vendoset edhe Regjistër publik i kontrolleve që do ti kryejnë organet shtetërore dhe inspektoratet. Së pari do të shqiptohet paralajmërimi për shkeljen e Ligjit, ndërsa vetëm me përsëritjen e tij – do të shqiptohet dënimi. Dënimet do të jenë proporcionale me të ardhurat dhe madhësinë e subjekteve afariste. (koha.mk)