Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 dhjetor – Një pjesë e afaristëve mirëpresin masat e reja qeveritare për rritjen ekonomike, barazimin e kushteve për investime për biznesin vendor dhe të jashtëm, përkrahjen e eksportit dhe mbështetjen më të madhe për kompanitë e vogla dhe të mesme, por megjithatë shtojnë se ato janë shumë të përgjithësuara dhe jo shumë konkrete, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Menderez Kuçit, anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, mungon një strategji operative për realizimin e planit ekonomik qeveritar, për të cilin nuk e ka fajin vetëm ekzekutivi, por edhe të gjitha Odat Ekonomike për shkak se aktualisht – pjesa më e madhe e sektorëve në mënyrë individuale kërkon ilaç për problemet e veta duke filluar nga tekstili, turizmi apo komunikacioni.
“Nuk mundet që çdo biznes në aspekt vetëm të interesit të tij të kërkojë masa për zgjidhjen e problemeve në punën e tij të përditshme, por kërkesat duhet të vendosen sipas prioriteteve , sipas asaj se çka i nevojitet shtetit për të arritur me të vërtetë rritje ekonomike prej së paku 3 për qind. Gjithashtu mungon edhe një Analizë më e detajuar e masave konkrete apo kostoja e benefitit që do të tregojë dinamikën e realizimit të masave, si dhe vizion të caktuar se çka dëshirohet të arrihet pas realizimit të tyre. Për shembull, ne si taksapagues ndajmë për ndërtimin e një aksi rrugor me dhjetëra e dhjetëra milionë euro, ndërsa nuk e dimë se cili do të jetë edhe përfitimi konkret i këtyre harxhimeve”, vlerëson Kuçi.
Sipas tij, akoma ekziston hapësirë para se masat të fillojnë të zbatohen në praktikë, që të njëjtat të përmirësohen dhe plotësohen duke u qartësuar më shumë në drejtim të asaj se konkretisht cili rezultat mund të arrihet në praktikë nga masat e caktuara.
“Një nga mangësitë e këtij plani qeveritar është, për shembull, edhe anashkalimi i diasporës dhe potencialit të saj për të ndihmuar vendin lidhur me investimet në fusha të ndryshme, por edhe duke marrë në konsideratë potencialin e saj intelektual. Ose, pak flitet për promovimin dhe mbështetjen konkrete dhe më të madhe të kompanive eksportuese që të gjejnë tregje të reja ”, shton më tej Kuçi. Në ndërkohë, ekonomistët vlerësojnë se kushti i parë që duhet të realizohet që të mund të ketë rritje më të madhe ekonomike, është ruajtja e stabilitetit politik. Gjithashtu vlerësohet se do të duhet të realizohen reforma të thella dhe rrënjësore që të krijohen kushte për rritjen më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke filluar nga gjyqësori, sundimi i së drejtës, qasjes më të lehtë ndaj financave për bizneset, arsimi e kështu me radhë . Pritshmëritë e ekspertëve ekonomik janë që rritja më e madhe ekonomike e që nënkupton edhe rritje të pagave dhe përmirësim të standardit, duhet të mbështet si nga konsumi personal i qytetarëve, ashtu edhe nga investimet që do ti bëjnë kompanitë aktive në treg, si dhe firmat e reja që do të hapen. Masat pritet të hyjnë në fuqi prej muajit prill të vitit të ardhshëm, kur bizneset do të dorëzojnë llogaritë përfundimtare për vitin paraprak. Pas kësaj, ato do të mund të aplikojnë për masat e propozuara qeveritare për shfrytëzimin e mjeteve të pakthyeshme në të holla.
Ndryshe, për realizim të Programit për zhvillim ekonomik, për vitin 2018 janë caktuar 3.1 miliardë denarë ose rreth 50 milionë euro. Plani për rritje ekonomike bazohet në tre shtylla prej të cilave e para është për mbështetje të të gjithë operatorëve ekonomik, e dyta për kompanitë të cilat përfitojnë tregje të reja, ndërsa e treta u dedikohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat mund t’i shfrytëzojnë edhe masat nga shtylla e parë dhe e dytë. Që t’i shfrytëzojë masat, çdo kompani duhet të ketë realizuar të ardhura më të mëdha vitin e kaluar nga tre vitet paraprake dhe të mos e zvogëlojë numrin e të punësuarve. “Plani për rritje ekonomike është mbështetje e cila do të sigurojë rritje të ekonomisë dhe në qoftë se njihet nga investuesit pres që rritja e projektuar e BPV-së nga 3.2 për qind për vitin e ardhshëm të jetë më e lartë”, thuhet në vendimin e Qeverisë, ndërsa shpresohet se me këtë plan, investuesit e huaj të cilët janë tanimë të pranishëm në vend, do të fitojnë mbështetje më të madhe nga paraprakisht. (koha.mk)