Nga zhvillimi i sipërmarrjes do të ketë dobi edhe shteti për shkak se do të ulet presioni për tu punësuar në administratë , do të ulet papunësia, ndërsa shteti do të fitojë më shumë tatime dhe kontribute shoqërore. Një pjesë e këtyre të hollave do të shkojë për obligimet dhe përgjegjësitë që ka shteti ndaj qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër për zhvillimin e mëtejshëm të kompanive të vogla dhe të mesme
Nga PASHOLLI
Bizneset e reja në Maqedoninë e veriut më shumë hapen në Shkup, dhe shumë më pak në rajonet e tjera të shtetit. Nga 7346 firma që janë hapur në vitin e kaluar , gjysma apo 3164 janë hapur në Shkup si rajonin më të pasur dhe më të zhvilluar në vend. Nga ana tjetër, në të gjitha rajonet e tjera tregojnë të dhënat statistikore vërehet ulje e shpirtit sipërmarrës apo dëshirës për të hapur biznese të reja. Në rajonin e Pollogut për shembull në vitin e kaluar janë hapur 865 biznese të reja që paraqet një ulje në raport me 1117 biznese të hapura në vitin 2015, apo janë hapur 252 biznese më pak .Nga ana tjetër në rajonin e Shkupit është rritur nga 2988 në 3164 numri i bizneseve të reja. Rënie e numrit të bizneseve të reja vërehet edhe në rajonin jugperëndimor që përfshin komunat e Ohrit, Strugës, Kërçovës , Dibrës, nga 951 biznese të reja në vitin 2015 në 720 biznese të reja në vitin 2018. Rënie nga 500 biznese të reja në periudhën e kaluar trevjeçare në 377 biznese të reja shënohet edhe në rajonin Verilindor që përfshin komunat e Kumanovës, Likovës, Kriva Pallankës, Kratovës…
Bile edhe në rajonet që dallohen me fuqi ekonomike më të madhe në shtet dhe kanë Prodhim për kokë banori që vjen menjëherë pas rajonit të Shkupit vërehet zbehje e dëshirës për të hapur firma të reja. Në rajonin e juglindor ku bëjnë pjesë Strumica, Gjevgjelia, Radovishi, shënohet ulje prej 679 firma në 539 firma të reja, ndërsa edhe ulje shënohet edhe në rajonin e Vardarit ku bëjnë pjesë Kavadari, Velesi, Sv. Nikole , dhe atë prej 587 firma të reja në 440 firma të reja.
Ekonomistët thonë se shkaqet kryesore të uljes së nismave për hapjen e bizneseve të reja janë ulja e fuqisë blerëse, shpërngulja e popullatës në Shkup apo jashtë shtetit, si dhe mungesa e një zhvillimi të barabartë rajonal. Në ndërkohë Ligji për zhvillimin e barabartë rajonal shumë pak ka arritur të sigurojë një nga qëllimet e tij, atë të zhvillimit të barabartë dhe të qëndrueshëm në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, zvogëlimin e pabarazive ndërmjet dhe në kuadër të rajoneve të planit, rritjen e konkurrencës së rajoneve të planit nëpërmjet valorizimit të pasurisë natyrore, veçorive ekonomike të rajoneve të ndryshme, si dhe ringjalljes së fshatrave dhe zhvillimin e rajoneve me nevoja specifike zhvillimore. Aktualisht me vështirësi realizohet shpërndarja e një për qind të PBB-së apo rreth 100 milion euro në vit që si obligim buron nga Ligji për zhvillim të barabartë rajonal , pasi akoma nuk është saktësuar si duhet mënyra e ndarjes së këtyre mjeteve që ju dedikohen komunave .
Gjithashtu, njohësit e zhvillimit të barabartë rajonal theksojnë se mjetet e një përqinëdshit në vitet e kaluara si total janë shpërndarë , por duke mos respektuar indeksin e zhvillueshmërisë së rajoneve. Andaj ekspertët kërkojnë që Shkupi të kalojë nga modeli i zhvillimit monocentrik me vetëm një qendër të madhe në zhvillimin policentrik të më shumë qendrave urbane ku qytetarët do të kenë të gjitha kushtet e jetesës duke mos pasur nevojë të migrojnë në Shkup. Me fjalë të tjera kërkohet realizimi i zhvillimi i barabartë rajonal , si dhe lidhja shumë e mirë infrastrukturore e të gjithë vendbanimeve në Maqedoni, me Shkupin. Nga ana tjetër, trendet e shteteve të zhvilluara tregojnë se ardhmëria e zhvillimit ekonomik është tek sipërmarrja si burim i rritjes ekonomike, hapjes së vendeve të reja të punës dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve. Vlerësohet se shteti duhet vetëm të krijojë një ambient të favorshëm për hapjen e bizneseve dhe përkrahjen e sipërmarrjes , ndërsa kompanitë në pronësi shtetërore dhe administrata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe afaristëve.
Nga zhvillimi i sipërmarrjes do të ketë dobi edhe shteti për shkak se do të ulet presioni për tu punësuar në administratë , do të ulet papunësia, ndërsa shteti do të fitojë më shumë tatime dhe kontribute shoqërore. Një pjesë e këtyre të hollave do të shkojë për obligimet dhe përgjegjësitë që ka shteti ndaj qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër për zhvillimin e mëtejshëm të kompanive të vogla dhe të mesme. Duke ilustruar rëndësinë e sipërmarrjes, ekonomistët theksojnë shembullin e Gjermanisë që është aq e zhvilluar saqë pjesa më e madhe e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjen nga sektori i kompanive të vogla dhe të mesme që angazhohen nga kompanitë e mëdha në sistemin e prodhimit dhe shërbimeve, shumë më shpejt orientohen ndaj ndryshimeve në treg, dhe korrigjojnë gabimet e ndryshme në raport me gjigantet e mëdha ekonomike. (koha.mk)