Sipas të dhënave të Gjykatës themelore në Dibër para fillimit të pandemisë, vite më parë ka patur edhe afro 50 divorce në dy komunat të cilët i mbulon ky institucion gjyqësor, por tani ka ulje të dukshme të numrit të divorceve
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 shtator – Nga fillimi i pandemisë në muajin mars të vitit të kaluar, sipas institucioneve kompetente në Dibër dhe Qendër Zhupë ka një ulje të numrit të divorceve. Sipas të dhënave të Gjykatës themelore në Dibër para fillimit të pandemisë, vite më parë ka patur edhe afro 50 divorce në dy komunat të cilët i mbulon ky institucion gjyqësor, por tani ka ulje të dukshme të numrit të divorceve. Kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Mersim Marku për gazetën KOHA, thotë se numri i madh i divorceve gjatë viteve të kaluara, para fillimit të pandemisë ka qenë shumë më i lartë sesa tani. Ai thotë se të dhënat zyrtare të administratës së Gjykatës në Dibër vitin e kaluar kanë regjistruar 19 divorce, kurse në gjashtë muajt e parë të këtij viti numri i divorceve është vetëm shtatë. “Këto të dhëna tregojnë se në kohën e pandemisë në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ka një ulje drastike të numrit të divorceve”, thotë kryetari i Gjykatës, Mersim Marku.
Sipas të dhënave të lëndëve për divorc, por edhe sipas të dhënave të punëtorëve social si probleme kryesore për divorcet në këto dy komuna, janë problemet sociale. Lojërat e fatit, dhe pjesëmarrja e një pjese e popullatës në këto aktivitete, ka shkaktuar probleme në shumë familje. Lënia e parave në këto lojëra të fatit është një problem social që ka ndikime edhe në ndarjen e çifteve bashkëshortor. Lojërat e fatit tek disa dibran kanë formuar varshmëri. Ka raste të ndarjeve edhe për shkak të përdorimit të tepërt të alkoolit. Mes shkaqeve kryesore janë edhe martesat mes mërgimtarëve të rinj me banore apo banor në Dibër. Mënyra tradicionale e jetesës tek ne dhe tek mërgimtarët në botën e jashtme shkaktojnë probleme dhe martesat përfundojnë pa sukses, shumë shpejt. Si shkak shpesh herë përmendet edhe pavarësia ekonomike e gruas në këtë rajon.
Punëtori social pran Qendrës për punë sociale në Dibër, Ismail Mersimoski duke komentuar problemin në fjalë thotë se në këtë institucion ka komision i cili merret me tendencën për pajtim të çifteve para ndarjeve respektivisht divorceve. Poashtu, në këtë institucion social trajtohen edhe probleme të cilat paraqiten në familje pas divorceve, kryesisht me fëmijët të bashkëshortëve të ndarë. Ka patur raste kur aktivitete të Qendrës kanë ndikuar në uljen e “gjaqeve” mes bashkëshortëve, por siç thotë ai, varshmëria nga bixhozi dhe alkooli si dhe varfëria e thellë ka shkatërruar shumë familje dibrane. (koha.mk)