Zejnulla VESELI
Shkup, 18 janar – Bitcoin është bërë i njohur në tërë botën dhe aktualisht një monedhë e këtillë virtuale është e barabartë me rreth 879 dollarë. Fjala është për një monedhë virtuale që ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryesh transaksione, ashtu si me para të vërteta, shkruan gazeta KOHA. Derisa në shumë vende të botës po tregtohet me Bitcoin, në Maqedoni tregtimi dhe pagesa me të përveç se mund t’ju sjell fitime, mund edhe të gjobiteni apo edhe të përfundoni në burg. “Tregtimi dhe pagesa me Bitcoin në vendin tonë do të sanksionohet sepse bëhet fjalë për valutë spekulative që investimin e bënë kategori rreziku. Tregtimi më Bitcoin nuk është i ndaluar, por mjet legal për pagesë është denari dhe çdo lloj pagese tjetër në valuta tjera bie ndesh me rregullativën ligjore. Shfrytëzimi i Bitcoinit është në kundërshtim me Ligjin për pagesë në qarkullim dhe Ligjin për punë me deviza. Të gjithë ata që kryejnë transaksione me Bitcoin derisa ende nuk ka ndryshim të këtyre dy ligjeve, përveç ndëshkimit me burg mund të gjobiten edhe me para në vlerë prej 7000 euro deri më 10.000 euro”, thonë nga Banka Popullore e Maqedonisë. Sipas ekspertëve të informatikës, Bitcoin është një formë e re paraje, një monedhë digjitale e decentralizuar, që nuk kontrollohet nga askush, nuk e nxjerr asnjë bankë qendrore dhe mund të përdoret nga të gjithë. “Bitcoinët prodhohen gjatë një procesi që quhet ‘gërmim’, duke përdorur një program kompjuteri falas, që mund ta shkarkojë kushdo. Programi u krijua në vitin 2009 nga një person me pseudonimin ‘Satoshi Nakamota’, identiteti i të cilit nuk dihet. Që të jesh posedues i Bitcoinit së pari duhet të shkarkosh programin dhe të prodhosh vetë Bitcoin. Por, sa më shumë njerëz ta përdorin programin, aq më pak Bitcoin do të përfitojë secili. Me një kompjuter të zakonshëm prodhohen 0.03 Bitcoin në muaj. Por, mund t’i blesh edhe online. Ka disa markete online në të cilët mund të blesh Bitcoin, vetëm se procesi i regjistrimit është i gjatë dhe i komplikuar. Gjithashtu, mund të blihen me para në dorë. Transakcioni kryhen në internet. Çmimi i saj preku maksimumin prej 1100 dollarësh, pasi spekulatorët përhapën lajmin për një përdorim më të gjerë të parasë digjitale, por aktualisht është në nivelet 879 dollarëve amerikan”, thonë ekspertët e informatikës. Përparësia e Bitcoinit, sipas ekspertëve, është pavarësia që ë kanë pronarët dhe tregtarët. “Me Bitcoin mund të blesh dhe të transferosh para në çdo vend të botës, duke shmangur tarifat e kompanive që transferojnë parat. Transfertat e Bitcoin janë falas dhe nuk ka kufizim se sa mund të transferosh Nëse zotëron Bitcoin, mund të blesh mallra online me çmim shumë herë më të ulët se çmimi në euro apo dollar”, thonë ekspertët e informatikës duke shtura se për momentin ka rreth 1.700 biznese në botë që pranojnë pagesën me Bitcoin. “Kjo para elektronike shitet, blihet dhe transferohet njëlloj si edhe paratë tradicionale,përmes kompanive tregtare, por transaksionet kryhen pa përfshirjen e një pale të tretë, të qeverive. Kjo e bën Bitcoin, monedhën e parë elektronike në botë, plotësisht të decentralizuar. Bitcoin lejon dy subjekte të kryejnë transaksione në internet, pra është një veprim i pakontrolluar nga askush. Pikërisht kjo e bën atë tërheqës për kriminalitetin”, thonë ekspertët ekonomik. Sipas ekspertëve të informatikës tani për tani përdorimi i saj i vetëm është brenda “kazinosë virtuale” të krijuar nga kompania dhe të ardhurat kryesore vijnë nga shitja e pakove arsimore me vlerë nga 130 deri më 15 500 euro. “Aktualisht vetëm 5 deri 10 për qind e klientëve janë nga Evropa, përdoruesit e tjerë jetojnë në Azi. Edhe kjo monedhë elektronike, siç valutat e tjera analogjike në rrjetin botëror, akoma nuk zotëron asnjë nga karakteristikat e parave të vërteta që të jetë mjet shkëmbimi, të mund të përdoret si standard për konsumin e vonuar dhe të përdoret për mbrojtjen e vlerës. Bitcoin si vlerë krijohet në kompjuter, në internet, në tregjet virtuale dhe për momentin në qarkullim ekzistojnë rreth 11 milionë dhe se numri i tyre numri i tyre është i kufizuar. Numri maksimal që mund të arrijë Bitcoini është 21 milionë dhe kjo sasi mendohet të arrihet në vitin 2140”, thonë ekspertë e informatikës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.