Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se ndarja e Kosovës është i vetmi plan që Beogradi e ka mbajtur në tryezë për më shumë se tre dekada.
Ajo ka thënë se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për këtë plan dhe ka theksuar se kjo varet shumë nga qëndrimin që do të mbajë Bashkimi Evropian apo më saktë Gjermania dhe Franca.
“Në qershor të vitit të kaluar, Vuçiq pat deklaraur: ‘Unë jam për demarkacionin dhe nuk kam turp për këtë, por serbët janë kundër tij dhe unë e kuptova mesazhin e njerëzve’. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, edhe atëherë kur të gjithë e dinë atë. Njerëzit nuk do ta pranojnë këtë, sepse prek emocionet e tyre. Një plan për ndarjen e Kosovës po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale. Burime nga Uashingtoni pohojnë se ndarja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiq në Uashington, në muajin shkurt të këtij viti. Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësor nëse plani do të ketë sukses apo jo. Shumë varet nga mënyra se si do të vendosë BE-ja, përkatësisht Gjermania dhe Franca”, ka thënë zonja Biserko për gazetën beogradase ”Danas”.
Sipas zonjës Biserko, Marrëveshja e Brukselit ka ngecur në momentin që ka arritur interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe.
Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, ka thënë se Vuçiq e kishte mbrojtur idenë e shkëmbimit të territoreve, gjatë viteve 2017 dhe 2018, ndonëse kjo ide nuk ishte mjaftueshëm e qartë.
“Herë fliste për korrigjim kufijsh, e herë thoshte se nuk mund t’i fitojë dikush të gjitha, kurse Serbia asgjë”, ka thënë Janjiq.
Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiq pa dyshim është përgatitje për një raund të ri bisedimesh politike për Kosovën me emisarin e presidentit amerikan, ambasadorin Richard Grenell.
“Kishim vetëm të ashtuquajturat bisedime politike dhe ekonomike. Por, është e qartë se po afrohet një raund i ri bisedimesh, me Lajçakun dhe BE-në. Pritja është më e rrezikshmja. Dhe nuk besoj se Vuçiq po pret diçka”, ka thënë Janjiq.