“Edhe për Maqedoninë e Veriut, ne flasim me zëra të ndryshëm. Tjetër gjë po diskutohet në ministrinë e jashtme, diçka tjetër nga kryeministri dhe kabineti i tij dhe tjetër nga partneri i koalicionit PSB”, thotë Andrej Kovaçev
Xhenur ISENI
Shkup, 16 mars – Deri sa përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell gjatë vizitës së tij të djeshme në Shkup konfirmoi përkushtimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, nga Bullgaria fqinje, aty ku është çelësi për zhbllokimin e vetos, vijnë mesazhe për “zëra të ndryshëm” të Sofjes për debllokimin e vetos për Shkupin. Eurodeputeti i GERB, Andrej Kovaçev në një intervistë për mediat bullgare flet pikërisht për këto mosmarrëveshje mes tyre. “Edhe për Maqedoninë e Veriut, ne flasim me zëra të ndryshëm. Njëra po diskutohet në ministrinë e jashtme, diçka tjetër nga kryeministri dhe kabineti i tij dhe tjetër nga partneri i koalicionit PSB. Zërat që dëgjoj nga kolegët e mi në institucionet evropiane janë se kryeministri bullgar Kiril Petkov pothuajse premton se në qershor do të lirohet RMV dhe do të bjerë vetoja.
Nga ana tjetër, kemi Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila thotë se nuk duhet të kemi një afat kohor, por a ka përparim në pikat që janë të rëndësishme për Bullgarinë dhe nga të cilat nuk mund të devijojmë”, tha Kovaçev. Dhjetë ditë më parë, kryetari i partisë bullgare “Prerodba” Kostadin Kostadinov, u përpoq të sqaronte të gjithë ata që nuk ishin të njohur me këto mosmarrëveshje. “Dua të shtroj pyetjen – si mund ta kualifikojmë zotimin e Kiril Petkovit ndaj eurokomisionerit Varheji se deri në fund të qershorit 2022 do të heqë veton ndaj Maqedonisë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE? Procesverbali i takimit të Gençovskës me Varhejin është lakonik, vetëm duhet të kuptojmë pse këto zotime nuk janë bërë publike”, ka shkruar Kostadinov në Facebook.
PETKOV FLET NDRYSHE, GENÇVSKA NDRYSHE?
Por ai shkoi një hap më tej. Për të vënë në dukje argumentimin e pyetjes së tij, Kostadinov ka publikuar një fotografi ku lexohet një pjesë e përmbajtjes së procesverbalit nga takimi Gençovska – Varheji. Kjo përmbajtje sugjeron një dallim mes qëndrimeve të kryeministrit bullgar dhe ministrit të Jashtëm, por edhe një dallim mes “narratives” së ministrit të Jashtëm Osmani dhe ekspertëve në MPJ të Maqedonisë. “Ministrja Gençovska e informoi komisionerin Varheji për bisedimet e zhvilluara më 11 shkurt 2022, ndërmjet Ministrive të Jashtme të Bullgarisë dhe RMV-së, në të cilat u konstatua se pozitat e Shkupit janë forcuar, duke përfshirë edhe devijimet nga propozimet e dhëna tashmë. Vihet re mospërputhja, të cilën e shohim në rrëfimin në nivel politik nga ministri Bujar Osmani, i cili tregon konstruktivitet, dhe qëndrimet, të mbrojtura në nivel ekspertësh nga Ministria e Punëve të Jashtme të RMV. Nga kjo rezulton se zgjidhja e çështjeve të hapura duhet kërkuar në nivel politik mes ministrave të jashtëm të dy vendeve”, thuhet në pjesën e procesverbalit të publikuar.
Pakënaqësia dhe pyetja e Kostadinov ka të bëjë vetëm me deklaratën në procesverbal, e cila i referohet kryeministrit bullgar. “Komisioneri Varhei ndau se në një takim në Bruksel më 17 shkurt 2022, kryeministri Kiril Petkov shprehu gatishmërinë e tij për të heq veton ndaj procesit të negociatave në kuadër të presidencës franceze të Këshillit. Ministrja Gençovska siguroi se për këtë ka vullnet politik, por procesi nuk varet nga një kalendar i caktuar, por nga arritja e rezultateve konkrete. Ne raportojmë me shqetësim se çdo javë që kalon, arritja e një zgjidhjeje pozitive në qershor 2022 bëhet gjithnjë e më pak e mundshme. Komisioneri Varhei kërkoi garanci se paketa e masave ‘1+4’ e propozuar nga Bullgaria mbetet e vlefshme. Ai vlerësoi se puna e përbashkët e KE-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë për paktin ‘1+4’ përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bërdo (16 tetor 2021) ishte në një fazë të avancuar dhe mori një përgjigje politike. Ai shtoi se është i disponueshëm për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje, përfshirë edhe Kornizën Negociuese, ‘vetëm nëse pala bullgare e konsideron të dobishme'”, thuhet në pjesën e procesverbalit të publikuar nga Kostadinov.
SHKUPI, “KALI I TROJËS” I MOSKËS NË BE
Tani për tani, është më e qartë se në bazë të cilave kritere është shprehur shqetësimi për (mos)arritjet në kalendari e caktuar, duke qenë se të dyja palët deri më tani janë shprehur të kënaqur me takimet intensive javore të grupeve të punës ndërministrore, ku numëroheshin fillimet e aktiviteteve të dakorduara. Por është edhe më e paqartë pse në një kohë kur situata aktuale është e rënduar nga lufta në Ukrainë, bashkëkryetari bullgar i Komitetit të Përbashkët për Çështjet Historike dhe Arsimore, Angel Dimitrov, u përpoq të paralajmëronte BE-në përmes “analizës” së tij se Moska jo vetëm që nuk ka asgjë kundër integrimit të RMV në BE, por ajo e dëshiron këtë, që të ketë “kalin e vet të Trojës” në Union.
Kolumna e tij, e cila u transmetua nga mediat bullgare, u botua në “L’europeo”, një revistë periodike për historinë, politikën dhe kulturën, dhe si hyrje në një “tezë” të tillë, Dimitrov i referohet leximit të historisë nga pala maqedonase. “A është shkencërisht e lejueshme të pretendosh se postulatet e tua historike janë të paprekshme dhe të pandryshueshme, nëse janë qartazi të pavërteta? Edhe kur i shërben këmbënguljes për të drejtën e multiperspektivitetit në interpretim, por e kuptuar jo në kuptimin e saj shkencor dhe edukativ, por si një e drejtë politike e ligjërimit që shpërfill faktet, burimet historike dhe tezat mbizotëruese në historiografinë botërore”, shkruan Dimitrov. Ndaj ai ndërton “argumentin” se politika e Sofjes është e drejtë dhe kritikat ndaj saj janë të pajustifikuara, sepse është Brukseli ai që rrezikon të “fut” kuajt e Trojës në Union. Dimitrov e fut RMV-në në “paketë trojane” së bashku me Serbinë. (koha.mk)