Kur po tentohet të sigurohet numër për shumicë parlamentare – në këtë rast 61 deputetë, për politikanët më e rëndësishmja është që të arrihet numri. Principet dhe mendjemadhësia harrohen pasi më e rëndësishme është të fitohet pushteti, zaten edhe për atë qëllim kanë garuar në zgjedhje, komentojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend
Destan JONUZI
Shkup, 10 gusht – Disa nga temat e mëdha në të cilat u përqendrua fushata e partive politike para zgjedhjeve, mbeten në harrësë gjatë bisedimeve për krijimin e shumicës së re parlamentare. Partitë do ti tejkalojnë dallimet e tyre programore, për të cilat para zgjedhjeve drejtonin shtizat ndaj njëri-tjetrit, ndërsa në betejën për pushtet – ato do të harrohen dhe do të ulen e do të merren vesh, ndërkohe do të gjejnë edhe një arsyetim të “ëmbël” para votuesve se pse është e nevojshme që ato të arrijnë marrëveshje, komentojnë për gazetën KOHA, njohësit e çështjeve politike në vend, tentimin e partive politike që të arrijnë shumicë parlamentare.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Aco Kabranov vlerëson se premtimet parazgjedhore janë që të arrihet të fitohet pushteti. Kështu ka qenë gjithnjë te ne, por edhe gjetiu, shton ai. “Kur po tentohet të sigurohet numër për shumicë parlamentar në këtë rast 61 deputet, për politikanët me e rëndësishmja është që të arrihet numri. Principet dhe mendjemadhësia harrohen pasi më e rëndësishme është që të fitohet pushteti, zaten edhe për atë qëllim kanë garuar në zgjedhje. Megjithatë, duhet të ketë kufi kush me cilin mund të bëjë koalicion, dhe kush me cilin nuk mundet, për shkak të ideologjive ose programeve zgjedhore. Partitë të cilat janë kundër Marrëveshjes me Bullgarinë, ose partitë të cilët në programet e tyre janë decide se janë kundër anëtarësimit të Maqedonisë se Veriut në NATO dhe BE, është tragjike të merren vesh për bashkëqeverisje”, deklaroi për KOHA, Kabranov. Ai thotë se takimet e partive që kanë dallime esenciale në këto pika janë protokollare, mirëpo shton, se do të jetë më e qartë pasi që të bëhet e ditur shumica e re parlamentare, nëse partitë kanë qenë të sinqerta në angazhimet e tyre programore ose jo.
Analisti Selim Ibraimi thotë se nga bisedimet e deritanishme të partive politike për të siguruar shumicë parlamentare, qartë vërehet se nuk ka parime por vetëm tentime se si të fitohet më shumë pushtet. “Po nga dinamikat e deritanishme, shihet se nuk ka parime, por vetëm mundësi se si të arrihet deri tek ministritë dhe drejtoritë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të zhvillohen bisedimet për formimin e qeverisë, megjithatë të presim se nëse formati qeveritar do të përmirësohet nga Zaevi dhe Ahmeti”, thekson Ibraimi.
Profesoresha universitare, Besa Kadriu, konsideron se nga përvoja e deritanishme e sistemit pluralist të Maqedonisë, por edhe nga aktualiteti politik mund të konstatohet se nuk ka parime mes partive kur zhvillohen bisedimet për të krijuar shumicë të re parlamentare. “Në përgjithësi, në përvojën e përgjithshme politike të deritanishme, jemi mësuar të ekspozohemi përballë një procesi politik, jomjaftueshëm të konsoliduar dhe i pa mbështetur në parime. Për më tepër, kjo përvojë ka sjellë edhe hendikepe të mëdha në vendosjen apo marrjen e vendimeve, jo në bazë të një parimi të shëndoshë dhe procesit të mirëfilltë politik, por në bazë të formave të tjera të cilat shpesh dëshmojnë se këtu ka një proces politik kaotik e jo të shëndoshë. E gjithë kjo ka një arsye, mungesën e demokratizimit të procesit politik dhe plotësimin e apetiteve të arritjes së pushtetit, pa çka se shkelet mbi rregulla”, deklaroi për KOHA, Kadriu.
Gazetari Venço Donev vlerëson se për fat të keq praktika e deri tanishme ka treguar se nuk ka as parime e as principe gjatë ndërtimit të koalicioneve mes partive në Maqedoni. “Për fat të keq, praktika e ka treguar këtë, nuk është ndryshe as tani, edhe pse ka tentime për të treguar principe dhe parime, kjo më e theksuar është te partitë më të vogla parlamentare. Deri kur kjo do të zgjatë nuk dihet. Habit edhe fakti se partitë u ikin normave etnike. Zgjedhjet zyrtarisht nuk kishin përfunduar, derisa dëgjonim për tentime për të blerë deputet. Kjo është një kulturë e ulët etike politike e cila i nënvlerëson votuesit, ndërsa flet edhe për atë se në çfarë shkalle është shteti. Në këtë situatë politikanët tanë lehtë manipulojnë me popullin”, shprehet Donev.
Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, në Parlament nga 120 deputet, koalicioni LSDM-BESA fitoi 46 deputet, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni ASH/AAA 12, Partia “E Majta” 2 dhe PDSH-ja 1 deputet. Ndërkaq, pas konstituimit të Parlamentit, PDSH komunikoi se në një takim të liderit të saj Menduh Thaçi me Zoran Zaevin, LSDM u ka ofruar atyre që të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. PDSH në përgjithësi pajtohet të jetë pjesë e qeverisë, por u dakordua për të krijuar grupe pune të kryesuara nga sekretarët e dy partive për të rënë dakord për hollësitë. Në pajtueshmëri me afatet, më së voni deri më 14 gusht Presidenti Stevo Pendarovski do të duhet t’ia jep mandatin koalicionit që ka siguruar mbështetjen e së paku 61 deputetëve, ndërkohë mandatari i caktuar në afat prej 20 ditësh, gjegjësisht deri në fillim të muajt shtator duhet ta formoi Qeverinë e re dhe ti dërgojë Parlamentit programin e saj katër vjeçar. (koha.mk)